E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kostoja e rrugës, shifra mbetet mister

Rrugës më të përfolur po i vjen fundi dhe bashkë me të, makthi i qeverisë për të gjetur paratë. Në çdo fillim viti, që prej 2006-s, krerëve të Financës iu është dashur një punë e lodhshme për të llogaritur koston e saktë, fondin për rrugën, pa prishur ekuilibrat me projektet e tjera. U desh marrja e 480 milionë eurove kredi dhe tkurrja e fondeve për rrugët e tjera, pasi po punohej me variantin "projekto dhe ndërto". Sot që flasim, shumë pak e dinë se sa do të kushtojë rruga Rrëshen-Kalimash, 60 kilometra e gjatë, e përbërë nga dy tunele, madje nuk dihet me siguri se sa janë shpenzuar. U nis në fillim me 418 milionë euro dhe variantet e ndryshme paraqesin një kosto finale përtej 1 miliard eurosh. Rruga që lidh Shqipërinë e Mesme me Kosovën, e më tej pjesën tjetër të Ballkanit, vazhdon të mbetet mister rreth situatës financiare, e shkaktuar nga vet qeveria, e cila heziton të japë shifra. Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi për mediat pak kohë më parë se rruga, pjesë e Durrës-Kukës, nuk do të kushtojë më shumë se 720 milionë euro. Opozita pretendon mbi 850 milionë euro, kurse prokuroria paralajmëron një total mbi 1 miliard euro. Organet kompetente deklarojnë paraprakisht se dëmi financiar shkaktuar buxhetit të shtetit nga mosrespektimi i ligjit për prokurime, kapërcen 50 milionë dollarë, ndërsa vlerësimi i bërë nga Prokuroria e Përgjithshme del me efekt negativ rreth 230 milionë euro. Në këto mori shifrash, pakkush mund të thotë se cila është e vërteta, pasi jo vetëm që ka mungesë informacioni, por rruga është ndërtuar pa pasur një projekt tërësor. Në këtë pikë, deri sa dhe tuneli tjetër të shikojë dritën, parashikuar në shtator 2009, asgjë nuk e sigurt rreth shifrave që dalin. Dje, sikurse u transmetua në të gjitha mediat, dy kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, u takuan në pikën finale të tunelit të Kalimashit, aty ku u pa për herë të parë drita.

Kontrata

Mes qeverisë dhe kompanisë fituese amerikane-turke, "Bechtel & Enka" u nënshkrua kontrata më 6 tetor 2006, ku thuhej qartësisht se rruga 60 kilometra e gjatë, do të kushtojë 418 milionë euro. Duke iu paraprirë debateve për mungesë projekti, qeveria shtoi më pas, se te kostoja nuk ishte përfshirë TVSH-ja, gati 83 milionë euro. Nuk kaluan dy muaj, dhe në dhjetor, me kalimin e një akti normativ, firmës ndërtuese iu dhanë parapagim gati 100 milionë euro. Politika dhe ekspertët nisën debatet pro dhe kundër, nëse veprimi i qeverisë ishte i drejtë, aq më tepër kur mungonte projekti. Në pranverën e vitit 2007, fill pas raportit të KLSH-së, ku vërente shkelje, Prokuroria e Rrethit Tiranë, nis hetimin, duke mbledhur prova. Po në këtë periudhë, fundi i muajit prill, fillimi i majit, qeveria negocion me bankat tregtare dhe arrin të marrë 230 milionë euro borxh.

Ecuria

Bindja se rruga do të kushtojë më tepër se sa thuhej në kontratë u bë më e qartë, kur shikohej se muajt kalonin dhe projekti mungonte, ndërsa nga Ministria e Financave dilnin zëra se nevojiteshin më shumë fonde. Futja në borxh për një rrugë, ku as partnerët tanë tradicionalë si FMN dhe Banka Botërore, nuk kishin rënë dakord, pështjelloi edhe më shumë debatin, kurse prokuroria mblidhte fakte. Në fillim të shtatorit 2007, u bë publike dosja me shkeljet, ndërsa u mësua se rruga kapte vlerën e 800 milionë eurove. Ende nuk ka projekt, as studim fizibiliteti, ndërsa opinioni mësoi se ministri i Financave e paska kundërshtuar vendimin e ministrit Lulzim Basha, për të ndërtuar rrugë pa tender, si dhe të tjera propozime. Më tej, çdo e ardhur nga privatizimi shkonte për rrugën, e cila kërkonte mesatarisht 20 milionë euro në muaj fonde. Qeveria i kishte kërkuar ndërtuesit që rrugën ta kishte gati në qershor 2009, ndërsa reagimi ishte sjellja në Shqipëri e makinerive me teknologji të fundit dhe gatishmëria e 3 mijë punëtorëve. Fatura rritej, ndërsa statistikat tregonin se gjysma e investimeve shkonin vetëm për Rrëshen-Kalimash. Vjen buxheti i vitit 2008, nga i cili akordohen për rrugën gati 30 miliardë lekë. Vlera fillestare ishte harruar, ndërsa ekspertët llogarisnin efektet në ekonomi të përqendrimit të qindra milionë eurove në një rrugë të vetme.

Financat

Prokuroria, e më pas KLSH, pretendonin se gjatë ndërtimit të rrugës nuk ishin zbatuar rregullat e prokurimit publik, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një efekt financiar negativ rreth 230 milionë euro. Në muajin gusht 2008, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit deklaron zyrtarisht, se rruga kërkon fonde shtesë dhe se janë hasur disa probleme teknike. MPPTT zbardhi koston paraprake të rrugës, duke përmendur shifrën e 620 milionë eurove. Ndërkaq, në shtator, Ministria e Financave nis hartimin e buxhetit për vitin 2009, ku vëmendja kryesore ishte te financimi i rrugës. Privatizimet e ARMO-s, OSSH-së dhe INSIG-ut po vonoheshin, ndërsa shpresa e vetme ishte marrja sërish borxh nga bankat. Ndërkaq, debatet politike nuk mungonin, me akuza ndaj qeverisë për shpërdorim fondesh, ndërsa PS përmend vlerën alarmante të rrugës, 1.2 miliardë euro. Qeveria miraton buxhetin, duke i akorduar Rrëshen-Kalimashit rreth 270 milionë euro fond, pa përcaktuar burimin e financimin. Në janar 2009, nisin procedurat për tenderin e marrjes së kredisë, por shtyhen për efekt të krizës financiare. Në prill, qeveria zhvillon ankandin dhe siguron 250 milionë euro nga dy banka tregtare, të mjaftueshme për vijimin normal të punimeve. Rrugës po i vjen fundi, duke nisur asfaltimet, kurse dy tunelet 6 kilometra të gjatë ishin në pikun e punës. Në maj, bankat dhanë 95 milionë euro, kurse të tjerat do të akordohen në qershor. Së fundmi, nga privatizimi i OSSH-së u siguruan 102 milionë euro, ku gjysma mendohet se do të shkojnë për rrugën Durrës-Kukës. Përfundimi rezulton te shifra zyrtare rreth 730 milionë euro, në një kohë që finalizimi i rrugës kërkon dhe tre muaj.

Plani

Tuneli, me koncesion!

Tuneli prej 6 kilometrash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës, do të jepet nga qeveria me koncesion. Këtë fakt e konfirmoi Lulzim Basha, në nëntor të vitit 2006, kur në atë kohë ishte ministër i Punëve Publike. Ky qëndrim duket se është harruar për vet faktin se nuk ka ende një projekt për të lëshuar tunelin e Rrëshen-Kalimash me koncesion. Deklarata e ish-ministrit të Transporteve u bë në kohën kur qeveria po diskutonte ligjin e ri "Për koncesionet".

Rruga

Përshkimi, me 2 orë

Pjesa e rrugës Durrës-Kukës është 170 kilometra e gjatë dhe lidh Shqipërinë me Kosovën. Rruga e re do të shkurtojë rreth 45 kilometra nga ekzistuesja dhe nga 6 orë, distanca do të shkurtohet në gati 2 orë. Vetëm segmenti Rrëshen-Kalimash ka gjatësi rreth 60 kilometra, brenda të cilit janë dy tunele 6 kilometra (më i gjati në Ballkan) dhe me nga dy korsi. Shpejtësia lëvizëse për automjetet llogaritet diku tek 100, deri në 120 kilometra në orë.

Berisha:

Çmim i lartë,

por ia vlen

"Tuneli është një vepër e kushtueshme, por dua të theksoj se, çmimi i kohës është çmimi i të gjitha çmimeve, ndaj dhe ky tunel kushton shumë më pak, se sa koha e kalimtarëve nëpër të", tha dje Berisha në inaugurim. Ai shtoi se, "Tuneli ka qenë i kushtueshëm, por çmimi i tij është dhjetëra e qindra herë më i vogël, se vlera e tij e madhe morale".

PS:

Shkolla të reja

dhe spitale moderne

Me këto para ekstra, mund të ishin ndërtuar 1450 shkolla të reja si kjo dhe 145 spitale moderne, për t‘i shërbyer qytetarëve të Shqipërisë. Ky është vlerësimi i bërë dje nga Partia Socialiste, duke iu referuar dëmit të shkaktuar ndaj buxhetit në shumën e 230 milionë eurove. Akuzat e PS shkuan deri aty sa përfshinin familjen e Kryeministrit në projektin e Durrës-Kukës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›