Karter, Presidenti i famshëm, pasi la detyrën
Të jesh ish-president i Shteteve të Bashkuara, mund të jetë një biznes më i mirë se të jesh President. Njerëzit e përdorin shumë titullin e vjetër dhe është tërheqëse të bësh pjesë në klubin më ekskluziv të botës: klubin e ish-presidentëve, të cilit Bush do t’i bashkëngjitet në 20 janarin e ardhshëm. Anëtari më i vjetër i këtij klubi, që nga dalja e tij nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1980, është edhe i vetmi që ka rishkruar rregullat e tij. Ky ish-president është Xhimi Karter, i cili u parapri nga presidentë me shumë probleme. Franklin Rusvelt dhe Xhon F.Kenedi ndërruan jetë, ndërsa ishin në krye të detyrës, Lindon Xhonson u largua shumë shpejt, Riçard Nikson u tërhoq dhe preferoi që ta “ndëshkonte” veten me vetmi. Ish-presidentët që pasuan kanë një karakteristikë që i bashkon, janë leksionet universitare, apo pjesëmarrja në bordet e korporatave të ndryshme, pa përmendur këtu përkushtimin ndaj çështjeve të bamirësisë dhe sigurisht pjesëmarrjen e zellshme në lojën e golfit. Ky lloj shablloni u përcaktua nga paraardhësi i Karterit, Xherald Ford, dhe është respektuar pak a shumë nga të gjithë, përveçse nga Karteri. Ndërsa ish-presidentët e tjerë e kanë kthyer në biznes pozicionin e post-presidentit. Kështu, Bill Klinton, që kur ka dalë nga Shtëpia e Bardhë ka grumbulluar nga fjalimet e leksionet plot 109 milionë dollarë. Për Karterin, kjo nuk ishte një mënyrë tërheqëse e kalimit të viteve pas detyrës së rëndësishme. “Një gjë e tillë nuk më josh. Unë preferoj të jetoj me pensionin tim dhe me paratë që marr nga librat që botoj”, thotë ish-presidenti. Ndërkohë, ai ka hapur një qendër ku janë punësuar 150 persona, qëllimi i së cilës është përqendrimi te çështjet me rëndësi globale, si monitorimi i zgjedhjeve problematike, sëmundjet masive. Ky pozicionim post-presidencial i dha Karterit çmimin “Nobel” për paqen në vitin 2002 dhe bëri që edhe kritizerët e tij më të zellshëm ta quanin si ish-presidentin më të suksesshëm në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me gjithë moshën shumë të avancuar, është 84 vjeç, ai mbetet aktiv dhe njëherazi është një figurë shumë më tepër interesante dhe kontradiktore sot, se sa kur ishte në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë tre dhjetëvjeçarëve post-presidenciale të Karterit me punën dhe shprehjet e tij, Karter ngriti shumë pikëpyetje edhe në lidhje me vetë ekzistencën dhe rolin e politikës: “Përse ndodh që persona, të cilët për kompromise të caktuara ndodhen në majat e politikës, nuk janë shumë të efektshëm në pushtet, por jashtë tij ka raste që mund të shndërrohen në ikona të vërteta të një çështjeje të caktuar? Përse, për shembull, Al Gore për sa kohë që ishte zv/president i SHBA-së nuk ishte shumë aktiv dhe sapo u largua nga kjo detyrë është bërë një nga mbrojtësit më të mëdhenj të çështjes së ngrohjes globale? Në fund të fundit, përse vetë Karteri është shumë më aktiv në pozicionin e ish-it se sa në atë të Presidentit aktual? Vetë Karteri është një person shumë modest. I veshur gjithmonë sport dhe thjesht, me të shoqen, Rozalin, ai ngjan si një pensionist i zakonshëm amerikan. Por, nga ana tjetër, ai është tërësisht i përfshirë në jetën politike, të paktën nga pozicioni i tij vëzhgues. Së fundmi, deklaroi se dëmi i madh që i ka bërë imazhit të Shteteve të Bashkuara politika e 8 viteve të fundit e Shtëpisë së Bardhë në arenën ndërkombëtare nuk do të riparohej me ndonjë fushatë 100-ditëshe, por vetëm me një fjalim 10-minutësh, në të cilin të përfshihej fjalia: “Amerika nuk do t’i torturojë kurrë më të burgosurit, nuk do të sulmojë kurrë një tjetër vend, përveçse në rastin kur siguria e saj do të jetë e kërcënuar seriozisht dhe do të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare, duke bërë të gjitha përpjekjet për mjedisin”. Vetë Karter thotë se gjatë viteve që ishte në pushtet, ai ndërmori disa masa që i shkojnë për shtat filozofisë së tij aktuale: “Vumë në bazë të politikës sonë të jashtme çështjet e të drejtave të njeriut. Në të shkuarën qeveritë amerikane ‘kanë shkuar në shtrat’ me çdo diktator. Normalizuam marrëdhëniet diplomatike me Kinën, sollëm paqe në Lindjen e Mesme, mes Izraelit dhe Egjiptit. Mbajtëm marrëdhënie paqësore me Bashkimin Sovjetik. E mbajtëm vendin tonë në paqe dhe nuk hodhëm kurrë një bombë, apo nuk lëshuam kurrë një raketë”. Karterit i pëlqen shpesh të përdorë frazën: unë kam autoritet moral, deri në momentin që nuk e kam shkatërruar atë. Një ndër sukseset e qendrës së tij “Karter” është edhe ndërmjetësimi i paqes në konfliktin e Guinesë. E, megjithatë, suksesi i ish-presidentit është shumë më i madh jashtë Shteteve të Bashkuara, se sa në Shtetet e Bashkuara. Kjo, sepse aty ku një europian sheh një pëllumb, një amerikan (administrata) sheh një skifter. Nëse europianët, ose më gjerë, e konsiderojnë Karterin një person të paqtë, amerikanët e konsiderojnë një njeri të dobët. Për disa amerikanë, Karteri përfaqëson krizën e vetëbesimit të kombit të tyre, i cili gjatë presidencës së tij zgjati krizën e 52 diplomatëve amerikanë të zënë peng për 444 ditë në Teheran, pa bërë ndërhyrje të dhunshme. Karteri ishte shumë më i dhënë ndaj aspektit humanist, sesa atij të përdorimit të forcës. Për sa i përket qendrës “Karter”, ajo tenton të jetë e dobishme në rastet kur ka vakume nga institucionet ndërkombëtare, veçanërisht të çështjeve që janë injoruar nga shumica të tilla, si sëmundjet apo uria në Afrikë, çështje të cilat një politikani nuk do t’i sillnin ndonjë votë në kutinë e votimit. “Unë nuk e konsideroj një sakrificë që të shkoj në Nepal, apo të flas me përfaqësuesit e Hamasit. është sfiduese, e dobishme, e paparashikueshme, mbresëlënëse dhe mbi të gjitha, nga arritja pozitive e një negocimi paqeje, të gjithë kanë të mira”. Në vitin 2007, Karteri ishte iniciatori i një polemike ndërkombëtare me titullin: “Paqe dhe jo Aparteid në Palestinë”, duke vënë kështu shenjën e barazisë mes Aparteidit dhe Izraelit. Për shumë palestinezë dhe paqedashës, ky ishte një lajm i mirë, pasi më në fund një person i këtyre përmasave mund të fliste kaq hapur dhe me forcë për ata fatkëqij që jetojnë nën dhunën e Izraelit. Së fundi, Karter ka shkuar edhe më përtej, në lidhje me çështjen e vuajtjeve të palestinezëve, duke thënë se: burgosja e disa personave nga Gaza është një nga krimet më të mëdha të njerëzimit të të gjitha kohërave. Edhe në këtë rast, reagimi ndaj deklaratave të Karterit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte shumë i ndryshëm. Krahasimi me Aparteidin u pa nga shumë politikanë si një deklaratë që shkonte shumë më përtej asaj çka një amerikan duhet t’i lejojë vetes kur flet për Izraelin. Në fakt, Karter sqaron se ai nuk i referohet Izraelit, në të cilin jetojnë palestinezët, por vetëm territoreve të pushtuara palestineze.
Karteri lavdëron edhe inteligjencën e Presidentit sirian, Assad, inteligjencë së cilës ai i shtonte kompetencë dhe forcë. Karter është i ndërgjegjshëm për reagimet që sollën deklaratat e tij, madje edhe për hamendësimet se ai është shndërruar në një përkrahës të sirianëve e palestinezëve. Megjithatë, për pjesën e mbetur të jetës dhe veprimtarisë së tij ai është betuar që të vazhdojë të mbrojë çështjet delikate të paqes e të luftës dhe këtë ta bëjë pa asnjë lloj kompromisi.
#