Kur gratë e politikanëve hyjnë në garë
Ndryshimi mund të ketë nisur me gruan e ish-kryeministrit britanik, Bler, çeri, por është tashmë një fakt se ndikimi që kanë bashkëshortet e politikanëve në fushatat e tyre zgjedhore dhe imazhin e bashkëshortëve në popull, është gjithnjë e më i madh. Dikur roli i bashkëshortes së një lideri politik ishte aq simbolik dhe i parëndësishëm, sa një shkrimtar britanik tha se në vend të gruas mund të vendosej edhe një dordolec me kapele e me lule në dorë dhe ndryshimi nuk do të vihej re. Por bëhet fjalë për një brez të tërë më parë, kur gratë e politikanëve ishin thjesht disa shtojca ornamentale dhe të parëndësishme të burrave të tyre. Detyra e tyre ishte vetëm ajo e shoqërimit të bashkëshortit në vizita zyrtare, buzëqeshja, veshja e përshtatshme dhe tundja e kokës pas çdo fraze të bashkëshortit. Po t’i referohemi Britanisë së Madhe, ky vend ka pasur edhe një kryeministre femre, pra si pasojë jo një zonjë të parë, por një zot të parë të vendit, por edhe në këtë rast nuk pati ndonjë ndryshim në rolin në fjalë. Një tjetër grua kryeministrore ishte edhe bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik, Major, Norma Major. Ajo e urrente aq shumë mënyrën formale dhe të kotë të pjesëmarrjes së saj në udhëtimet dhe takimet e bashkëshortit, sa në një intervistë deklaroi se kishte raste kur i vinte që të ikte me vrap, apo të ulërinte nga mërzia dhe kotësia e situatës. Më pas erdhi Toni Bler, me bashkëshorten e tij çeri, një juriste për nga profesioni, së cilës i pëlqente shumë që jo vetëm të shfaqej, por edhe t’i dëgjohej zëri. Kjo dëshirë e saj bëri që gjërat të ndryshonin dhe ajo të ishte një zonjë e parë me axhendë dhe me në ndikim shumë të madh të brendshëm dhe të jashtëm në karrierën e të shoqit. Nga ana tjetër ishte e vendosur deri në fund që të gëzonte të gjitha privilegjet që ia mundësonte jeta në shtëpinë numër 10. Por roli i vërtetë i grave të politikanëve, veçanërisht atyre që konkurrojnë për postin e lartë të Kryeministrit të ardhshëm të vendit, ka ndryshuar kryekëput në Britaninë e Madhe javës që shkoi, ndërsa në vend filloi fushata zgjedhore e votës që do të hidhet më 6 maj. Dy gratë e konkurrentëve kryesorë, Cameron dhe Braun, përkatësisht Samantha dhe Sarah, kanë një rol shumë të rëndësishëm dhe të ndryshëm nga ato të paraardhësve të tyre. Nga mënyra se si do të performojnë, do të varet deri në njëfarë pike edhe rezultati i votimeve. Sikundër edhe burrat, tashmë gratë e tyre kanë një ushtri mjeshtrash të marrëdhënieve me publikun, që i këshillojnë si të vishen, si të flasin dhe në çfarë eventesh të marrin pjesë. Tashmë mund të konsiderohen si armët sekrete dhe të reja të zgjedhjeve të përgjithshme në Britaninë e Madhe. Si pa e kuptuar dhe si pa u ndjerë, Britania është shndërruar në vendin e parë që po i jep një rëndësi shumë të madhe rolit të grave të konkurrentëve në garën zgjedhore. Një gjë mund të thuhet me siguri tani, se gruaja e Kryeministrit të ardhshëm të vendit do të ketë gjithashtu një rol ndryshe, sigurisht shumë më aktiv nga sa ka qenë ky rol tradicionalisht dhe ajo do të jetë pjesë qendrore e veprimtarisë politike të së shoqit dhe jo më një shtojcë dekorative.
Ajo çka është më e rëndësishme, është fakti që ky transformim i rëndësishëm dhe i beftë i politikës nuk është iniciuar nga konservatorët, por nga laburistët. Ishte Braun që, pas ardhjes së tij në krye të vendit, i dha një hapësirë të re bashkëshortes dhe veprimtarive të saj të ndryshme, të cilat i kryente e vetme si Zonja e Parë e vendit. Më pas ishte Cameron me bashkëshorten e tij të bukur, Samantha, që ndoqi shembullin e laburistëve dhe i dha gjithashtu shumë hapësirë gruas së tij në kuadrin e veprimtarive politike, por edhe private. Kështu, hapi i parë i zonjës Braun në këtë strategji të re politike ishte në një moment shumë të vështirë të bashkëshortit të saj, në vitin 2008, gjatë fillimit të krizës ekonomike. Ndërsa mbi Kryeministrin britanik po binin shigjetat e helmëta të akuzave të kundërshtarëve politikë, por edhe të njerëzve brenda partisë së tij, në një forum publik, Sarah Braun u ngrit dhe gjoja si krejt në mënyrë të papritur deklaroi se ajo kishte ardhur në atë sallë “për të mbrojtur heroin e saj”. Sarah në fakt personalisht është një specialiste e marrëdhënieve me publikun dhe shumë e qartë për sa i takon të kuptuarit të politikës dhe pushtetit të saj. Për shumë kohë ajo është kujdesur që të bëjë gjithçka që mund të ketë në dorë një bashkëshorte për t’i dhënë Braunit një mandat tjetër, apo për ta mbrojtur. Por këtë e ka bërë duke u përkujdesur kryesisht për imazhin e vet personal. Për të arritur një qëllim të tillë, ka grumbulluar rreth vetes një skuadër ekspertësh të marrëdhënieve me publikun. Ajo ka sekretaren e saj të shtypit dhe dy aleatë të jashtëzakonshëm nga bota e publikimeve, që janë edhe avangarda e “ushtrisë” së Sarës.
Pikërisht kjo makineri e ka ndihmuar që ta ndërtojë imazhin vit pas viti. Aktualisht në Twitter ajo ka rreth 1 milionë “shokë” dhe ndërkohë ka arritur që të sigurojë edhe postin e ambasadores së modës britanike në botë. Ajo çfarë ka bërë Sarah, është shumë e rëndësishme për bashkëshortin, madje sipas disa ekspertëve, pikërisht puna dhe angazhimi i saj e kanë shpëtuar disa herë Braunin që të dalë nga krizat më të rënda dhe më të mëdha të qeverisjes së tij. Ndaj edhe vetë Braun e ka kuptuar rëndësinë e së shoqes dhe me sa duket edhe ekspertët e marrëdhënieve publike me partinë. Kjo është arsyeja që asaj i është dhënë një pozicion shumë i rëndësishëm në makinën e marrëdhënieve me publikun gjatë këtyre zgjedhjeve. Por nëse ambicia e Sarah Braun është pushteti, Samantha Cameron është e fiksuar pas suksesit. Për sa i përket rolit të saj në këtë fushatë zgjedhore, edhe ai është i paraplanifikuar deri në detaje. Ka nga ata këshilltarë brenda partisë që e kanë kundërshtuar praninë e saj në shkallë të gjerë, e të tjerë që mendojnë se një ekuivalent i Sarah Braunit, për më tepër i nivelit të Samathas, do të jetë një plus i madh për partinë. Kështu, nën shembullin e Braunit, edhe Cameron ka filluar që të shfaqet gjithnjë e më shumë në internet, por këtë herë, ndryshe nga sa ndodhi me çeri Blerin, gjithçka është shumë e kontrolluar dhe asgjë nuk i lihet rastësisë. Samantha ndërkohë është e aktivizuar ende në një punë me kohë të plotë, pra impenjimet e saj jashtë punës janë dytësore dhe i zënë shumë kohë. Ajo ende nuk ka vendosur që t’i dedikohet në këtë stad tërësisht fushatës, edhe pse do të duhet që të marrë një vendim shumë shpejt. Kryesisht Samatha është e përqendruar tek imazhi i një bashkëshorteje dhe nëne të devotshme. Por pas skene ajo është pa dyshim aseti më i vlefshëm i të shoqit. është politikisht e mprehtë dhe shumë inteligjente. Sikundër David, edhe Samatha beson në politikën moderne dhe nevojën për transparencë ndaj popullit, edhe kur bëhet fjalë për jetën private. Ajo është pjesë e rëndësishme e asaj çka e bën Cameronin të jetë ai që është dhe të ketë arritur aty ku është aktualisht, e shumë shpejt sipas të gjitha gjasave në krye të Britanisë së Madhe.
Ndërkaq, të dyja gratë ndodhen përballë një presioni shumë të madh të mediave, të cilat i ndjekin hap pas hapi, në kërkim të gjetjes së të metave dhe detajeve të padeklaruara, si për sa i përket jetës private, ashtu edhe asaj profesionale. çdo ditë në gazetat britanike flitet edhe për veshjet e tyre, për çmimet, preferencat e modeleve, orët dhe bizhutë që ato përdorin. Por ka edhe një grua të tretë, bashkëshorti i së cilës është vënë gjithashtu në garë. Ajo është gruaja modeste e Nick Clegg, liberal demokratit që është bërë shumë i fuqishëm. Por gruaja e tij, ndryshe nga dy gratë e tjera për të cilat folëm, nuk është bërë pjesë e këtij “cirkusi” dhe ka vendosur që të qëndrojë në hije. Ajo është një juriste shumë e famshme dhe shumë e bukur. Ajo ka vendosur që të qëndrojë e tërhequr, por duke vepruar kësisoj, ka bërë efekt të kundërt, pasi kështu për të interesi i medias është maksimal.
Ajo çka më në fund bie në sy në këto zgjedhje, është fakti se përfundimisht zonjat e para dhe gratë e politikanëve të fuqishëm kanë dalë njëherë e mirë nga zonat e tyre të komfortit dhe me sa duket, edhe në të ardhme do të vazhdojnë që të jenë pjesë e dukshme e punës së bashkëshortëve të tyre.
#