E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD dhe PS përplasen edhe për qendrën e Korçës

Deputetja e djathtë akuzon për përdorim personal të projektit. Kryebashkaiku: është në të mirë të qytetarëve

Projekti i zonës këmbësore në Korçë kthehet në debat mes të djathtëve dhe të majtëve. Zona këmbësore dhe kërkesa e qeverisë për anulimin e investimit të Bankës Botërore për Bashkinë e Korçës për t’ia kaluar fondin zonave të prekura nga përmbytjet ka sjellë përplasjen mes deputetes demokrate, Ledina Alolli, dhe kryetarit të bashkisë, Niko Peleshi. Në një deklaratë për shtyp, deputetja demokrate ka deklaruar se qeveria nuk po e pengon investimin e zonës këmbësore, ndërkohë që sipas saj, projekti nuk është miratuar ende në KRRTSH dhe si rrjedhojë nuk dihet në rast se do të financohet apo jo. Sipas Alollit, zona këmbësore po trajtohet politikisht për interesa të kryebashkiakut, i cili pritet të rikandidojë në zgjedhjet lokale, duke e bërë këtë projekt objekt të një fushate. “Duke u hequr si i shqetësuar kryetari i bashkisë gënjeu në mes të ditës duke thënë se qeveria po pengon investimin për ndërtimin e zonës këmbësore të qytetit. Ai po mundohet ta shesë këtë si projektin e shekullit dhe bën mirë t’ju thotë qytetarëve se ky projekt nuk është miratuar në KRRTSH kështu që nuk ka arsye të paragjykojë në rast se ai do të financohet apo jo. Këmbëngulja për të marrë financime nga qeveria nuk është gjë tjetër vetëm faza përgatitore e fushatës së ardhme elektorale”, është shprehur Alolli. Nga ana e tij, kryetari i bashkisë, Peleshi, ka thënë se investimi për zonën këmbësore është një projekt madhor, një investim për qytetin dhe qytetarët, i cili po mbahet peng nga qeveria, duke ndëshkuar kështu gjithë Korçën. Ai ka thënë se financimi për projektin është miratuar bashkë me vlerën e projektit, ndërkohë që zona këmbësore sipas tij, nuk po përdoret për qëllime politike të kryebashkiakut, por nga vetë qeveria për të sjellë pengesa në investime, aty ku bashkitë kryesohen nga të majtët. Ai tha se anulimi i projektit dhe denoncimi publik i këtij fakti nuk duhet të ngatërrohet me motivet politike siç pretendohet nga të djathtët. “Projekti i zonës këmbësore është një nga projektet më të rëndësishme që ka të miratuar edhe vlerën e investimit. Anulimi i këtij investimi do të thotë që të mos kryhen ndërhyrje në infrastrukturë, në qytet dhe këtë nuk po e përdorim ne politikisht. Vetë deputetja që përfaqëson Korçën në Parlamentin shqiptar duhet të ngrejë zërin, që qyteti të mos mbetet pa investime dhe të mos bëhet pre e deklaratave politike të orientuara. Investimet kryhen për qytetin dhe qytetarët dhe jo për interesat e kryetarit të bashkisë”, është shpehur Niko Peleshi. Pak ditë më parë, kreu i Bashkisë së Korçës kundërshtoi me forcë kërkesën e bërë ndaj Bankës Botërore për ndryshimin e destinacionit të fondeve që janë planifikuar për investime në infrastrukturë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›