Gjuha dhe letërsia, debat mes profesorëve
Gjuha dhe letërsia në tekstet shkollore të sistemit parauniversitar janë shndërruar në debatin e fundit mes profesorëve të katedrave të gjuhës dhe letërsisë së shumë universiteteve publike, studiuesve, albanologëve dhe akademikëve, të cilët dje janë mbledhur në një takim të organizuar nga Qendra e Albanologjisë. Aty është hedhur edhe propozimi për hartimin e programeve alternativë për këto lëndë të vlefshme për shkollat e sistemit parauniversitar. Një gjë kjo e paaplikuar më parë. Ministria e Arsimit aktualisht botimin e kurrikulës mësimore e ka mbështetur në procesin e Altertekstit, ku për një program lëndor ka disa variante tekstesh, që përzgjidhen sipas preferencave, të vetë shkollave. Ndërkohë që, propozimi për programe alternative lëndore do të duhet që paraprakisht të kërkojë mbështetje më të gjerë, sidomos në radhët e specialistëve të Ministrisë së Arsimit.
GrupimetDy linja, të përvijuara qartë dhe me kohë, kanë prezantuar përmes 12 ligjëratave dhe më tej debateve, opinionet dhe argumentet e tyre pro dhe kundër. Njëra linjë ka mbështetur idenë se gjuha dhe letërsia duhet të kenë një peshë më të madhe në tekstet shkollore të sistemit parauniversitar e në mënyrë të veçantë edhe në shkollat e mesme. Po kështu, ata kanë qenë edhe mbështetës të idesë se gjuha dhe letërsia duhet të studiohen si lëndë të ndara nga njëra-tjetra dhe jo së bashku, sikundër është aktualisht në shkollat e mesme shqiptare.
Nga ana tjetër, është vënë re edhe grupimi i dytë, i cili ka konsideruar faktin se për nxënësit e këtyre grupmoshave është më se e mjaftueshme marrja e informacionit të integruar, ku gjuha dhe letërsia shkrihen së bashku në të njëjtin tekst. Ndërkohë që, ata kanë kundërshtuar edhe ngarkesën e madhe të teksteve shkollore të këtyre lëndëve, me argumentin se kapaciteti thithës i nxënësve është i kufizuar dhe shumë njohuri të detajuara për gjuhën dhe për letërsinë ata mund t’i thellojnë në fakultetin përkatës, nëse studiojnë në këtë fushë.
DebatiEkspertet e gjuhës dhe letërsisë në këtë debat të hapur në lidhje me tekstet shkollore u përqendruan kryesisht te libri i gjuhës shqipe dhe ai i letërsisë. Një pjesë e gjuhëtarëve dhe albanologëve kanë propozuar që këtyre dy teksteve t'u jepet më shumë peshë në kurrikulat e shkollës së mesme. Këtë ide ka përqafuar edhe drejtori i qendrës albanologjike, Ardian Marashi. Ai është shprehur se letërsia dhe gjuha duhet të jenë të detyrueshme për të gjithë, çka do të thotë që një pjesë e nxënësve të mos e marrin këtë lëndë të cunguar siç ndodh aktualisht.
VendimmarrjaDeklaratat u bënë gjatë tryezës së konsultës, lidhur me politikat shkencore të këtyre dy lëndëve në arsimin shqiptar. Në këtë aktivitet morën pjesë akademikë, botues, pedagogë të departamenteve të gjuhës e letërsisë. Aty u vendos krijimi i një këshilli, i cili do t'i dorëzojë Ministrisë se Arsimit propozimet mbi këtë çështje. Të gjitha ligjëratat e mbajtura nga të pranishmit në këtë tryezë do të botohen nga qendra albanologjike dhe ky material do t’i vihet në dispozicion specialistëve të Ministrisë së Arsimit, që janë edhe hartues programesh e politikash.
#