Stili Kirshner
Nestor Kirshner u zgjodh President i Argjentinës në vitin 2003, kur ekonomia e vendit po e rimerrte veten nga kriza që 18 muaj më parë kishte shkaktuar falimentimin dhe zhvlerësimin e monedhës vendase. Kirshner ua hodhi fajin Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe privatizimeve, pastaj forcoi kontrollin e shtetit mbi ekonominë. Rritja e çmimeve ndërkombëtare të eksportit bujqësor argjentinas dhe programet e zhvillimit të qeverisë sollën një zhvillim të madh ekonomik, duke e transformuar Presidentin në një hero popullor. Falë këtij suksesi, në vitin 2007, bashkëshortja e Kirshnerit, Kristina Fernandez, fitoi zgjedhjet. Nestor nuk është më president i republikës, por merr ende vendimet më të rëndësishme për vendin.
çifti Kirshner ka një pasuri jashtëzakonisht të madhe. Gjatë këtyre viteve ata kanë mundur t’ua mbyllin gojën kundërshtarëve, të cilët i akuzonin se ishin pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe se kanë shkatërruar institucionet. Kristina Fernandez akuzon rregullisht shtypin e përditshëm se sajon histori nga më të ndryshmet për të diskretituar qeverinë e saj. Situata për Presidenten sa vjen e bëhet më e vështirë. Kriza ekonomike ndërkombëtare, rritja e inflacionit dhe disa gabime politike e kanë ulur në fund të fundit reputacionin e saj. Pasi humbi mazhorancën në Parlament, në vitin 2009, tani qeveria rrezikon të humbasë edhe kontrollin e disa komisioneve strategjike parlamentare. Në fakt, nuk bëhet fjalë për një humbje të lehtë, por për një humbje vërtet me vlerë. Katër sekretarë personalë të Presidentes janë vënë nën hetim për pasurim të jashtëligjshëm. Dy prej tyre, Julio Daniel Alvarez dhe Fabian Gutierrez, janë pushuar nga puna. Ndërkohë, Nestor Kirshner është në telashe për një transaksion të ndodhur në tetor të vitit 2008: ka shkëmbyer pesos, për një vlerë prej 2 milionë dollarësh, në prag të kolapsit të papritur të monedhës kombëtare. Sipas ish-presidentit, operacioni shërbente për një kuotë për të blerë aksionet e një zinxhiri hotelesh, çmimi i të cilave ishte në dollarë. Qëllimi i tij nuk ishte të spekulonte kundër pesosit. “Qeverisja nuk është sinonim i pandëshkueshmërisë”, ka thënë Kirshner në vitin 2003. Por kur erdhi në pushtet, ai dhe bashkëshortja e tij i përgënjeshtruan menjëherë këto propozime të bëra vite më parë: filluan të ngriheshin kundër institucioneve që pengonin bizneset e tyre dhe përdorën forcën e shtetit për të vënë në vështirësi kundërshtarët. Ata që dolën të fituar nga ardhja e tyre në pushtet ishin disa prej aleatëve të ngushtë, të cilët bashkëpunonin me çiftin Kirshner.
çifti Kirshner vjen nga e majta e lëvizjes peroniste dhe ishte pjesë e rezistencës kundër diktaturës ushtarake. Nestor, me origjinë gjysmë zvicerane dhe kroate, u formua politikisht në provincën e Santa Kruzit, në Patagonia. Ka qenë guvernator i provincës nga viti 1991 deri në ditën që u transferua në “Casa Rosada” (Pallatin presidencial). Sipas Rafael Flores, ish-parlamentar peronist që ka përfaqësuar provincën për 12 vjet, Kirshner solli metodën e tij të punës dhe politikën e tij të ekonomisë, në qendër të jetës politike. “Në Santa Kruz u bënte presion sindikatave dhe i persekutonte ata që nuk ishin dakord me të”, shpjegon ai. Kirshner pothuajse nuk flet kurrë me gazetarët. Gjatë viteve të tij të presidencës (2003-2007) nuk ka mbajtur kurrë një konferencë shtypi. As ai dhe as e shoqja nuk kanë pranuar t’u përgjigjen pyetjeve të revistës “Economist”. Kështu që nuk jemi në gjendje të tregojmë versionin e tyre të fakteve.
Mister në Santa KruzSanta Kruzi është një vend i izoluar, me pak banorë, por shumë i pasur me naftë dhe gaz. Kur ishte guvernator, Kirshner i investonte të ardhurat që vinin nga hidrokarburet në sektorin publik dhe projektet për krijimin e infrastrukturave të reja. Kompanitë energjetike që ishin të interesuara të bënin investime në atë zonë, duhet të kërkonin në fillim autorizimin e administratës së tij. Gjatë atyre viteve, Nestor dhe Kristina krijuan një rreth të ngushtë miqsh shumë të besuar, madje disa prej tyre i morën me vete kur u transferuan në Buenos Aires. Motra e Kirshnerit, Alicia, është ministre për zhvillimin social. Arkitekti Julio de Vito, ministër i planifikimit, është mik i ngushtë i çiftit që në kohërat e Santa Kruzit. Ishte ekspert i ekonomisë së provincës kur Kirshner ishte guvernator. Që prej vitit 2003 është përgjegjës i një perandorie burokratike që përfshin punët publike, transportin, telekomunikacionin, energjinë dhe aktivitetin mineral. Edhe bashkëshortja e De Vitos ka një detyrë si drejtuese në një agjenci të qeverisë.
Vitet në Santa Kruz kujtohen edhe për misterin që rrethon 600 milionë dollarët e investuara nga provinca në tituj. Në vitin 1999 provinca shiti aksionet e “Yacimientos Petroliferos Fiscales”, ish-kompania shtetërore e naftës. Transaksioni, shumë i favorshëm, ndodhi jashtë shtetit. Sipas juntës provinciale, interesat u investuan në sektorin publik. Një pjesë e pasurisë iu kthye provincës, por Kirshner nuk ka shpjeguar kurrë se çfarë u bë me pjesën tjetër të lekëve.
Pavarësisht rënies së çmimeve, Argjentina e ka punën pisk me inflacionin. Në 2007-n, ministri i Tregtisë, Guillermo Moreno, ndryshoi sistemin, përmes së cilit një institut mat treguesin e çmimeve të konsumit, duke pasur parasysh shifrat zyrtare mbi inflamacionin.
#