Kartolina “Berisha” - shpërblime për festat e fundvitit për 800 mijë familje

Qeveria miraton vendimin për akordimin e shpërblimeve me rastin e fundvitit për të gjitha kategoritë e pensionistëve, punonjësve të administratës publike dhe qytetarëve që trajtohen me skema të veçanta ndihme financiare nga shteti. Qeveria konfirmon gjendjen e shëndetshme financiare dhe shndërrimin e “kartolinës Berisha për festat” si një traditë që do të respektohet edhe në mandatin e dytë qeverisës
Plot 800 mijë familje do të përfitojnë shpërblimin e fundvitit. Është ky vendimi më i fundit i qeverisë i miratuar dje në mbledhjen e radhës që mundëson akordimin nga ekzekutivit të shpërblimeve të fundvitit pensionistëve në fshat dhe qytet në masën 5 mijë lek, punonjësve të administratës publike nga 10 mijë lekë deri në një pagë dhe qytetarëve që trajtohen me skema të veçanta ndihme financiare nga shteti.
Kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar këtë vendim si “kartolinën e qeverisë për festën e fundvitit”, u shpreh se nga ky vendim përfitojnë rreth 800 mijë familje shqiptare.
“Ne ndërmarrim këtë akt tradicional për këtë qeveri si një vullnet të qeverisë për t’i uruar vitin e ri qytetarëve të vendit jo vetëm me fjalë, por edhe me një shpërblim në fund të vitit, me të cilin bëhet i paqenë inflacioni, që ishte në nivelet më të ulëta prej 2.6 për qind. Në këtë mënyrë, ata lehtësohen dhe kursimet e tyre nuk preken shumë për të festuar vitin e ri”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi se shpërblimi i fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë nuk përfshihet në rritjen e njoftuar të pensioneve në 1 maj.
“Pensionistët, në mbarë vendin do të marrin një shumë prej 5 mijë lekë, kudo që ndodhen dhe të të gjitha kategorive. Kjo shumë nuk llogaritet në rritjen e premtuar të pensioneve. Rritja e pensioneve në datën 1 maj do të jetë 20 për qind për pensionet në fshat dhe 10 për qind për pensionet në qytet. Ndaj dhe shpërndarja e lajmeve nga zyrat e ‘dëshpërimit’ se nuk ka lekë për rritjen e pensioneve, më lejoni t’i siguroj 520 mijë pensionistë shqiptarë se lekët ekzistojnë dhe pensionet në 1 maj, për 170 mijë pensionistë në fshat do të kapin dyfishimin e tyre dhe për 260 mijë pensionistë në qytet pensionet rriten nga 40 deri në 70 për qind në 4 vjet, duke tejkaluar në këtë mënyrë të gjitha premtimet tona që për pensionet në qytet ka qenë pensione jo më të vogla se 100 dollarë”, nënvizoi kryeministri.
Ndërsa për administratën publike, kryeministri Berisha tha se si rezultat i mirë administrimit në fondin e pagave, shpërblimi do të jetë nga 10 mijë deri në një pagë.
“Qeveria këtë vit ka qenë sërish e vëmendshme ndaj administratës, e cila do të shpërblehet jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se dyfishim i pagës dhe kjo me përparësi absolute për pagat e ulëta. Nëse nga mirë administrimi kanë tepruar në fondin e pagave, edhe përmbi pagat e ulëta limiti për administratën do të jetë jo më pak se 10 mijë lekë dhe jo më shumë se një pagë dhe me këtë kemi dalë nga rregulli i një viti më parë, kur shpërblimi ka qenë vetëm 10 mijë lekë. Shpresoj që me mirë administrimin e fondit të pagave që është bërë, të shpërblejmë me një pagë të veçantë, në radhë të parë, ata që janë më në nevojë, me paga të ulëta dhe ata që kanë më shumë fëmijë.”
Kryeministri Berisha u shpreh se parimet mbi të cilat mbështetet ky vendim janë qeveria e shërbimit dhe shërbesave.
“Ky është një qëllim konstant i qeverisë dhe nuk ka të bëjë me asnjë qëllim tjetër përveç shërbimit dhe shërbesave dhe zemrës së dhembshur, parime nga të cilat ne nuk tërhiqemi për sa kohë do të jemi në pushtet, për sa kohë do të na votojnë qytetarët, për sa kohë të na besojnë të rinjtë, të rejat, gratë, burrat, të moshuarit e këtij vendi”, theksoi kryeministri.
Duke shfrytëzuar këtë rast, kreu i qeverisë i shprehu urimet më të përzemërta pensionistëve dhe familjarëve të tyre, punonjësve dhe të gjithë shqiptarëve për vitin e ri.
...