E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Mbrojtjes merr mbështetje të plotë nga Pentagoni

“SHBA e sheh me interes anëtarësimin e Shqipërisë, si aleate e NATO-s”


Ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa i ftuar nga Komandanti i Gardës Kombëtare të Nju Xhersit, Gjeneral Major Gleen K. Rieth zhvilloi një vizitë zyrtare në Nju Xhersi dhe në Uashington D. C. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministri Oketa gjatë vizitës së tij në SHBA, pati një axhendë të ngjeshur takimesh të rëndësishme me personalitete të larta të administratës. Fillimisht Oketa u prit në një takim të veçantë nga Komandanti i Gardës së Nju Xhersit Gjeneral Majori Reith. Pasi e falënderoi për mikpritjen ministri shqiptar i Mbrojtjes, përgëzoi Gjeneral Major Reith dhe oficerat që i kanë dhënë jetë bashkëpunimit disa vjeçar dhe shumë të suksesshëm Shqipëri - Garda e Nju Xhersit, duke dhënë kështu një kontribut cilësor në progresin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.


“Falënderojmë Presidentin dhe mbështetjen e gjerë amerikane për ndihmën e dhënë Shqipërisë. Ne jemi në hapat e fundit drejt NATO-s dhe jam optimist se deri në Samitin e ardhshëm të gjithë aleatët do të jenë në gjendje të ratifikojnë protokollet shtesë për Shqipërinë dhe Kroacinë. Ne kemi një plan dhe dimë se ku shkojmë.


Përfaqësimi juaj në zyrën e ODC është një mbështetje e madhe dhe ne bashkëpunojmë ngushtë. Tashmë po punojnë fort për demilitarizimin dhe fabrikat kanë nisur punën. Gjithashtu së fundmi na ndihmon edhe aprovimi i 8 poligoneve, që do jenë të shtrira në gjithë territorin dhe do të ndihmojnë së tepërmi në këtë proces. Ne synojmë që deri në 2010 të asgjësohet municioni i rrezikshëm, ndërsa municioni i tepërt të magazinohet dhe të jetë i sigurt, sipas standardeve. Ne jemi të vendosur të vijojmë me projektet e demilitarizimit. Qeveria shqiptare e kryesuar nga z. Berisha është e vendosur të mbështesë në të gjitha hallkat Ministrinë e Mbrojtjes, nuk mund të anashkaloj këtu politikën dhe parlamentarët shqiptarë që kanë dhënë një ndihmesë të madhe, kemi një arritje që 2.01 % e GDP është buxheti i mbrojtjes”, u shpreh Oketa.


Gjenerali Reith pasi i uroi mirëseardhjen Ministrit Shqiptar të Mbrojtjes bëri një pasqyrë të shkurtër të marrëdhënieve dhe ekzistencës së Gardës së Nju Xhersit.


“Ne po festojmë sot 15 vjetorin e bashkëpunimit dypalësh, për të cilin ne ndihemi krenar. Kur isha në pranverë në zyrën tuaj në Tiranë- u shpreh Gjenerali amerikan, ju thashë që Garda Kombëtare e Nju Xhersit është e vendosur të bashkëpunojë deri sa ju të bëheni anëtarë të NATO-s. Ne ndihemi krenar për këtë arritje. Miqësia që është zhvilluar është një miqësi e pastër. Ne vlerësojmë arritjet dhe duam që kjo miqësi të vijojë dhe është në interesin e SHBA që Shqipërinë ta ketë një aleat”. Më tej, ministri shqiptar i Mbrojtjes pati një ftesë të veçantë dhe u takua me Guvernatorin e Shtetit të Nju Xhersit Jon S. Corzine. Gjithashtu, ministri shqiptar i Mbrojtjes u takuan në selinë e Pentagonit në Ëashington me Sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes Dr. Robert Gates si dhe zv/ Sekretarin e këtij Departamenti z.. Gordon England. Zv/Sekretari e falenderoi Ministrin Oketa për pjesëmarrjen e Shqipërisë me trupa në Irak dhe Afganistan.


Ndërsa në takimin e shkurtër që Ministri Oketa pati me Sekretarin Gates i caktuar sërish nga Presidenti i zgjedhur Barak Obama, për të vijuar detyrën e Sekretarit të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, ky i fundit i shprehu ministrit Oketa falënderimet e tij të veçanta për kontributin që Shqipëria ka dhënë në Operacionet Ndërkombëtare dhe e siguroi atë se SHBA, Departamenti i Mbrojtjes do vijojnë të mbështesin Shqipërinë në vijimin dhe thellimin e reformave demokratike. Në Departamentin e Shtetit ministri Oketa i shoqëruar edhe nga Ambasadori Shqiptar në Amerikë Aleksandër Sallabanda pati takime me zv/Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare Judy Ansley, Asistentin e Sekretarit të Departamentit të Shtetit Mark Kimmit, me Asistentin e Departamentit të Shtetit për Euro-Azinë Stu Johns.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›