E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca “Shqipëria dhe të Drejtat e Njeriut”, siguron Ministri Lulzim Basha

“Shqipëria respekton të drejtat e minoriteteve, për të shmangur diskriminimin racial”


Me rastin e 60-vjetori të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, u zhvillua dje konferenca “Shqipëria dhe të Drejtat e Njeriut”.


Në këtë Konferencë, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara, morën pjesë dhe folën ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, punonjës të Administratës Publike etj.


Ministri Basha, duke folur në konferencë, theksoi se në Shqipëri, një vëmendje e madhe po i kushtohet edhe respektimit të të drejtave të minoriteteve, në përputhje të plotë me Konventën për Eliminimin e Diskriminimit Racial, Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës dhe instrumenteve të tjerë në këtë fushë.


Shefi i diplomacisë shqiptare, vuri në dukje se “Përkujtimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut përbën një festivitet të dyfishtë për Shqipërinë, e veçanërisht për rininë e saj, po të kujtojmë se, tetëmbëdhjetë vjet më parë, në prag të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, rinia e këtij vendi u ngrit hapur, me vendosmëri e guxim, për të kërkuar më shumë liri, më shumë dinjitet e më shumë të drejta, për t’i hapur rrugën një ere të re, të demokracisë dhe inisiativës së tregut të lirë.


“Është tashmë e njohur se, miratimi i Deklaratës Universale përcaktoi parimet themelore e vendosi standarde të përbashkëta për të drejtat e njeriut, gjerësisht të pranuara në mbarë botën”, vuri në dukje ministri.


Basha veçoi se gjatë këtyre 60 viteve, Deklarata Universale ka frymëzuar miratimin e mbi 60 instrumenteve ndërkombëtarë në fushën e të drejtave të njeriut, midis të cilëve nëntë instrumentet themelorë të të drejtave të njeriut, çka përbën një sistem të plotë ligjor detyrues për të drejtën ndërkombëtare humanitare.


Shqipëria është një ndër 90 demokracitë që Deklaratën Universale e kanë mishëruar në parimet kushtetuese të vendit.


Ndaj Basha kujtoi faktin se në procesin e saj të demokratizimit e respektimit të të drejtave të njeriut, Shqipëria është bërë palë në tetë, nga gjithsej nëntë instrumentet themelore ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke bërë pjesë në grupin e mbi 80% të vendeve të OKB-së që kanë ratifikuar katër ose më shumë të tilla.


Qeveria shqiptare, vijoi ministri Basha, vazhdon të mbetet e angazhuar në drejtim të garantimit e të respektimit e zbatimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe frymës së Deklaratës Universale.


“Këtë angazhim, pata kënaqësinë ta rikonfirmoj ditët e fundit në Helsinki, së bashku me kolegët e mi të Këshillit Ministerial të OSBE-së, nëpërmjet Deklaratës Ministeriale me rastin e 60 Vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, theksoi ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›