Karzai për prani afatgjate ndërkombëtare në Afganistan
Fuqitë e mëdha filluan dje bisedat në Londër, në kërkim të gjetjes të një zgjidhje për konfliktin në Afganistan, për hartimin e planeve për t’ia dorëzuar forcave lokale kompetencat për situatën e sigurisë dhe për të shtypur kryengritjen, me ofertën për punësim dhe ndërtim të shtëpive, për të joshur militantët talebanë që të heqin dorë nga dhuna.
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, përshëndeti delegatët nga rreth 70 shtete dhe institucione, në përpjekje që të sigurojë përkrahje të re ndërkombëtare, pas tetë viteve të luftës, e cila po rrezikon që të shterë vullnetin e mirë të opinioneve publike në shtetet perëndimore.
Në Konferncën në Londër ishin të pranishëm edhe Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ko Moon dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në fillim të Konferencës, Ban diskutoi për vendimin për të emëruar diplomatin suedez, Staffan de Mistura, për kryesues të misionit të OKB-së në Afganistan.
De Mistura ka qenë përfaqësues i OKB-së në Irak dhe në krye të misionit në Afganistan ai do ta zëvendësojë diplomatin norvegjez, Kai Aiden.
Është kjo një periudhë vendimtare për bashkëpunimin ndërkombëtarë, i cili po i ndihmon popullit afganë që të sigurojë dhe të qeverisë vendin e vet. Kjo Konferencë shënon fillimin e procesit të tranzicionit”, tha në hapje të Konferencës kryeministri i Britanisë, Gordon Brown.
Karzai theksoi se parasheh që qeveria e Afganistanit deri në vitin 2015 të marrë përsipër kontrollin për situatën e sigurisë në të gjitha 34 provincat e vendit, por shtoi se pret që forcat e huaja të qëndrojnë së paku edhe një dekadë në vendin e tij.
“Sa i përket trajnimit dhe pajisjes së forcave afgane të sigurisë, do të mjaftojnë prej pesë deri në dhjetë vjet. Sa i përket mbështetjes së tyre, deri në momentin kur Afganistani të jetë i gatshëm që të kujdeset financiarisht për forcat tona, do të nevojitet një periudhë prej 10 deri 15 vjet”, tha Karzai.
Aleatët ndërkombëtarë kanë premtuar një ndihmë prej 500 milionë dollarë, për të mbështetur programin e Karzait për të joshur rikthimin e luftëtarëve talebanë në shoqëri.
Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së në Afganistan dhe Pakistan, Richard Holbrooke, theksoi se shumë luftëtarë talebanë të nivelit të ulët dhe të mesëm janë të motivuar nga nevojat financiare, e jo nga përkrahja ideologjike për talebanët apo Al Qaidën.
Ai shtoi se gjasat janë të vogla që të zhvillohen negociata me zyrtarët talebanë të nivelit më të lartë, edhe përkundër faktit se diplomatët perëndimorë kanë theksuar se në periudhën afatgjate, në shënjestër të programit mund të vihen edhe udhëheqësit e talebanëve.
Në anën tjetër, talebanët kanë hedhur poshtë planin e Karzait, duke theksuar se luftëtarët talebanë nuk mund të joshën me nxitje financiare.
“Për kryengritësit, të cilët refuzojnë të pranojnë kushtet e ri-integrimit, ne nuk kemi asnjë opsion tjetër, pos t’i ndjekim ushtarakisht”, tha Brown.