Karzai takon sot presidentin Obama
Presidenti afgan Hamid Karzai do të zhvillojë sot bisedime në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Barak Obama, në kuadër të vizitës katër ditore në Uashington.
Të martën Karzai u takua me ushtarët amerikanë që janë plagosur në Afganistan, gjatë një vizite që bëri në qendrën mjekësore ushtarake në Uashington. Po dje, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, u zotua se Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin Afganistanin. ajo bisedoi me presidentin afgan Hamid Karzai dhe shtoi se Uashingtoni është i përkushtuar ndaj Kabulit, dhe se dy palët mund të kenë mospajtime, por pa cënuar raportet mes tyre. Bisedimet e delegacionit afgan dhe palës amerikane do të fokusohen në shqetësimet afgane për shtimin e numrit të viktimave në radhët e civilëve gjatë operacioneve të forcave ndërkombëtare kundër talibanëve, si dhe shqetësimet amerikane për korrupsion dhe qeverisje të dobët në Afganistan.