Me lodra kundër Putinit

Policia ruse në qytetin siberian Barnaul ka kërkuar nga prokuroria që të hetojë ligjshmërinë e të ashtuquajturave nano-protesta, të organizuara përmes figurash, kryesisht në formë të arinjve të kadifenjtë, lego figurave dhe të karaktereve nga seriali vizatimor ‘The South Park’.
Lodrat u vendosën ashtu që të dukeshin sikur po protestonin, ndërkohë që pranë tyre shiheshin edhe parullat si “Unë jam për zgjedhje të pasta”, ose “Hajni duhet të jetë në burg e jo në Kremlin”.
“Forcat opozitare po shfrytëzojnë teknologji të reja për të realizuar tubimet e tyre publike, duke shfrytëzuar madje edhe lodra, të cilat ‘bartin’ parulla”, raportoi zëvendëskomandanti i policisë, Andrey Mulintsev, për mediat lokale. “Sipas mendimit tim, sido që të jetë, ky tubim edhe më tej mbetet një ngjarje e palejuar publike”, shtoi ai.
Aktivistët opozitarë e përgatitën këtë perfomancë pasi autoritetet ruse vazhdimisht i refuzonin kërkesat e tyre për mbajtjen e një demonstrate të ngjashme me ato të Moskës, me qëllim që të protestonin kundër hajnisë zgjedhore gjatë zgjedhjeve të paradokohshme parlamentare në Rusi.
Qytetarët e Barnaul kalonin duke buzëqeshur para lodrave të vendosura në qendër të qytetit të tyre, por policët lokalë, të cilët me sa duket u brengosën shumë nga kjo ngjarje, filluan një hetim serioz, duke analizuar secilin detaj dhe duke shënuar gjithçka që mund të lexohej në parulla.
“Përderisa policia po e kufizon të drejtën tonë kushtetuese për të organizuar një tubim të lirë dhe të qetë, të drejtat e lodrave nuk u shkelën deri më tani”, thekson Andrey Teslenko, njëri nga organizatorët e protestës.
Mirëpo, policia beson se në rastin e nano-protestave ka pasur shkelje të ligjit nga na e iniciatorëve të saj, të cilët nuk kanë pasur leje nga autoritetet lokale për organizimin e “lojës” së tyre.
Duke theksuar se meqenëse dhe vetë organizatorët ishin prezentë gjatë protestës, zyrtari qeveritar Mulintsev beson se këtu bëhet fjalë për një “ngjarje publike”.
“Dikush është dashur t’i sjellë lodrat në shesh, në mënyrë që nëpërmjet tyre të shpreh qëndrimin e vetë”, thotë ai për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti.
“Njerëzit afroheshin dhe i shikonin këto lodra. Pra, ekziston njëlloj publiciteti në ngjarjet e tilla, apo jo”, pyet tutje Mulintsev.
Megjithatë, meqë janë të pasigurt në interpretimin e ligjit në këtë rast (sepse “në rregulloret ligjore federale për tubimet publike nuk ekziston asnjë term i tillë si nano-protestat”), policia i është drejtuar prokurorisë për këshillë se si të veprojë tutje, sqaron në vazhdim zyrtari i kryeministrit Putin.
Aktivistët opozitarë në Barnaul ndërkaq pohojnë se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përpos përdorimit të metodave të ndryshme kreative të protestës. Që nga 1o dhjetori i vitit të kaluar – që ishte dita e parë e protestave në Rusi në nivel kombëtar - autoritetet lokale në Barnaul kanë refuzuar që të lëshojnë një pëlqim për mbajtje të protestave.
Autoritet ruse tashmë, me sa duket, janë në gjendje gatishmërie ndërkohë që Rusia po përgatitet për protestat e 4 shkurtit, vetëm një muaj para fillimit të zgjedhjeve presidenciale në vend, në të cilat pritet që kryeministri Vladimir Putin të fitojë të drejtën e kthimit në Kremlin.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Moskës miratoi të enjten kërkesën e opozitës ruse për tubimin e 50,000 qytetarëve, në kuadër të marshit të tyre nëpër zonën qendrore të kryeqytetit rus.
Një konkurrent më pak
Autoritetet zgjedhore në Rusi kanë diskualifikuar nga gara presidenciale Grigori Javlinski’n. Javlinski është lider i partisë opozitare Jabloko dhe një kritik i ashpër i kryeministrit Putin.
Duke e arsyetuar vendimin për përjashtimin e Javlinski’t, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka ardhur në përfundim se afro 20 përqind e nënshkrimeve të mbledhura nga mbështetësit e tij për regjistrim ishin të pavlefshme.
Paraprakisht, Javlinski deklaroi se, autoritetet dëshirojnë ta parandalojnë nga pjesëmarrja në zgjedhje me qëllim të bllokimit të një gare të vërtetë zgjedhore.