E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga fshati në Milan

Lindi në Kazakistanin e largët, ndërsa për futboll mësoi në Gjermani. Sot, me vetëm 19 vjet është anëtar i njërës prej skuadrave më të famshme në botë, Milan. Alexander Merkel thotë se ëndrra i është bërë realitet, ndërsa synon të mësojë nga prania e yjeve të shumtë në San Siro. Nga Express më 01 prill 2011 në ora 11:25

I madhi Bernd Schuster ishte vetëm 20 vjeç kur u largua nga Koln drejt Barcelonës, në fillim të një aventure të ndritur në La Liga. Mesfushori gjerman kaloi 13 sezone në elitën e futbollit spanjoll, ku përveç gjigantit katalan luajti edhe për Real Madridin dhe rivalin e tyre të qytetit, Atletico.

Schuster tani është 51 vjeç, trajner i suksesshëm, por gati tri dekada më vonë një gjerman i ri duket se do të trashëgojë ‘engjëllin biond’ në një aventurë të huaj, kësaj radhe në Itali. Alexander Merkel ndan mbiemrin me një personalitet të njohur ndërkombëtarisht, kancelaren gjermane Angela Merkel, por krahasimi merr fund me kaq. Paralelet me Schusterin janë më të ngjashme: biond, energjik dhe stil i kulturuar i lojës.

“Ajo që ndodhi në javët e kaluara ende nuk është konsumuar brenda, por është përvojë e shkëlqyeshme”, tha 19 vjeçari për FIFA.com.

“Çdo ndeshje është paksa e veçantë dhe shpresoj të kem rastin të luaj edhe më tepër ndeshje për Milanin. Jam shumë i lumtur”, shtoi ai.

Reprezentuesi i ri gjerman debutoi si profesionist në dhjetor të vitit të kaluar. Në moshën 6 vjeç, Merkel dhe familja e tij u larguan nga qyteti i tij i lindjes Pervomayskiy në Kazakistan drejt fshatit Waldernbach në Gjermani, ku ai kaloi fëmijërinë në kodrat Westerwald, një komunitet prej vetëm 2000 banorëve. Atje mësoi gjërat bazike rreth futbollit në klubin lokal JSG Westerwald para transferimit te sektori i të rinjve të Stuttgartit më 2003. Nuk kaloi gjatë dhe ai ra në sy me kreativitetin e tij dhe debutoi për ekipin U-15 të Gjermanisë më 2007.

Kjo dhe paraqitjet e tij për skuadrat e të rinjve të Stuttgartit paralajmëruan skautët e klubeve të mëdha evropiane, përfshirë Milanin - që arriti ta transferojë atë. Rossonerët aktualisht kryesojnë në Serie A dhe i ofruan tinejxherit një vend në akademinë e tyre, ku stafi i ndihmoi atij të adaptohet në Itali.

“Kalimi në Milan ishte i vështirë sepse nuk flisja gjuhën dhe nuk dija shumë rreth Italisë. Por, ishte transferim i ëndrrave, andaj ishte një hap që duhej ta merrja. E konsideroj nder që jam futbollist i Milanit”, theksoi Merkel. Mirëpo, gjermani i vetëm që luan në elitën e futbollit italian pranon se e pret një rrugë e gjatë dhe punë e madhe.

“Në ditët e sotme ka gjëra të cilat duhet t’i lini nëse synoni të arrini në krye”, theksoi Merkel i cili bart numrin 52 në Milan, ku ka nënshkruar kontratë deri në qershor 2013. “Ju duhet të keni kujdes të veçantë në jetën tuaj private, sepse stërvitjet dhe ajo çfarë bëni në ditët e lira janë shumë me rëndësi. Është e vetmja mënyrë si mund të zhvilloheni si futbollist”, vazhdoi ai.

“Të luaj përkrah këtyre yjeve është ëndërr e realizuar. Kurrë nuk kam menduar se kjo mund të ndodhë, por mund të mësoj shumë nga këta futbollistë”, theksoi Merkel i cili si idhuj të tij përmendi Ronaldinhon dhe Zinedine Zidanen.

I pyetur rreth golit të tij të parë për Milanin, të shënuar kundër Barit në Coppa Italia më 20 janar, Merkel tha: “Isha i befasuar, por ishte e shkëlqyeshme. Golin ia dedikoj familjes time, i falënderohem bashkëlojtarëve të mi dhe gjithë stafit teknik që festuan me mua”, deklaroi ai. Përveç objektivave të mëdha me Milanin, Merkel ka të tilla edhe me Kombëtaren e Gjermanisë. “Dua të fitoj Euron dhe Kampionatin botëror me Gjermaninë. Por, para kësaj prioriteti im është Milani”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›