Kasami mund të huazohet

Pajtim Kasami nuk pati hapësira të mjaftueshme këtë sezon në Palermo. Mesfushori shqiptar në shumicën e ndeshjeve në Serie A qëndroi në bankinë, ndërsa në Europa League luajti më shumë.
Por, ekipi sicilian duket se mendon ta huazojë përfaqësuesin U21 të Zvicrës, për t’u zhvilluar në një skuadër më mesatare, ku ka mundësi të luajë rregullisht.
“Kasami ishte një blerje e ish drejtorit sportiv Sabatini, i cili e njihte që nga koha kur ishte në Lazio. Është lojtar i mirë, këtë vit ka luajtur në Europa League më shumë ndeshje. Palermo ka një ekip të përbërë nga lojtarë të nivelit të njëjtë, ai ka kontribuuar aq sa ka pasur mundësi”, ka thënë zëvendëspresidenti i Palermos, Guglielmo Micciche, për radio ‘Mana Mana.
- “Të shohim në fund të sezonit nëse do ta dërgojmë diku për të luajtur më shumë, apo do ta mbajmë. Një huazim i tij për të bërë përvojë është njëri prej opsioneve”, shtoi ai. Kasami ishte transferuar në Palermo gjatë verës së vitit të kaluar nga Bellinzona. Më parë, ai ishte pjesë e Lazios.