Sezon historik për Bambin
Aventura e Bambit për këtë edicion mori fund të mërkurën mbrëma, kur u eliminua nga Peja me rezultat 2-0 në serinë e ndeshjeve gjysmëfinale të play-off’it në BKT Superligën e Kosovës në basketboll.
Megjithatë, ky fakt nuk i ka mërzitur fare serbët nga veriu i Mitrovicës. Përkundrazi, ata janë shumë të lumtur që mbërritën deri në gjysmëfinale të play-off’it.
Padyshim se Bambi befasoi në këtë edicion, sepse garat e rregullta kampionale i përfundoi duke u pozicionuar në vendin e dytë të tabelës, derisa në gjysmëfinale nuk u dorëzua aq lehtë përballë Pejës, e cila sivjet është mobilizuar për ta fituar titullin e kampionit, sikurse që fitoi Kupën e Kosovës.
Andaj, kryetari i Bambit, Igor Dashiq, thotë se edicioni i sivjetmë ishte më i miri në historinë e klubit të tij, i cili në të kaluarën faktikisht nuk ishte aq serioz, duke i lënë në gjysmë garat shpeshherë.
“Kemi pasur sezonin më të mirë në historinë e klubit tonë. Ky sezon mund të vlerësohet si mjaft i suksesshëm për ne, kur kemi parasysh kushtet dhe vështirësitë e shumta dhe të ndryshme me të cilat jemi ballafaquar”, deklaroi të enjten Dashiq për Express.
“Ishim gjysmëfinalistë në garat për kupë dhe në ato të play-off’it. Në play-off, Peja na eliminoi me meritë, pasi kishte kushte dhe ekip më të mirë”, shtoi Dashiq i cili kujtoi se kriza e madhe financiare ishte pengesa kryesore për skuadrën e tij për të bërë sivjet diçka më shumë se kaq.
Ai mbetet me shpresë që të vijnë akoma ditë më të mira për skuadrën e tij, përkatësisht Bambit të mos i përsëriten vështirësitë e njëjta, veçmas ato financiare, në mënyrë që edhe në edicionin e ardhshëm të vazhdojë me ritëm të njëjtë dhe të kërkojë trofe.
Trepça e dëshpëruar shikon kah e ardhmja
Sikurse Bambi, edhe Trepça të mërkurën i dha fund aventurës së vet për këtë edicion në basketbollin kosovar, pasi u eliminua nga Sigal Prishtina me rezultat 2-0 në serinë e ndeshjeve gjysmëfinale të play-off-it.
Për dallim prej Bambit, për rivalin nga qyteti i njëjtë ky edicion është për t’u harruar sa më shpejt. Përveç që mbetën duarthatë pa fituar ndonjë trofe, ‘Xehetarët’ në garat e play-off’it u kualifikuan në mënyrën jo më të mirë. Trepça në play-off u inkuadrua duke i përmbyllur garat e rregullta kampionale në vendin e katërt të tabelës me 14 fitore dhe po aq humbje të pësuara.
Pra, Trepça sivjet ishte e zbehtë. Këtë e pranon edhe drejtori i kësaj skuadre, Besim Braha. “Humbja është e pranueshme. Por, sivjet humbëm keq e jo si burrat, siç themi ne sportistët”, tha Braha për Express.
“Ne kampionatin nuk e kemi nisur mirë, duke u ballafaquar me dënimet që na i pati shqiptuar Federata në kampionatin e kaluar, shkaku i atij eksesi në ndeshjen finale të kupës. Pastaj në këtë kampionat erdhi eksesi tjetër në duel me Bambin. Gjithashtu kriza financiare po e bën të veten, e të gjitha këto kanë ndikuar negativisht për ne”, theksoi ai.
Megjithatë, Braha është i bindur se Trepça do të këndellet shpejt dhe sezonit të ri do t’i hyjë me shumë seriozitet.
“Ne, anëtarët e kryesisë, pasi u eliminuam nga play-off’i, e kemi mbajt një mbledhje, në të cilën jemi dakorduar që nga tani t’i qasemi me seriozitet punës. Kemi plane më afatgjate. Mitrovica ka kapacitet dhe me punë serioze besoj se do të vijnë edhe frytet”, përfundoi ish ikona e Trepçës.