E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasami refuzoi Juventusin

Pajtim Kasami ndihet i nderuar që e kërkoi Juventusi, gjatë afatit kalimtar të janarit. Mirëpo, futbollisti shqiptar e refuzoi gjigantin italian, pasi që vendosi t’i mbetej besnik klubit londinez. Ai ndihet në borxh ndaj Fulhamit, tek i cili synon ta japë maksimumin, para se të mendojë për largim.

Pajtim Kasami vendosi ta refuzonte Juventusin, për të qëndruar në Fulham. Mesfushori shqiptar dëshiron të lërë shenjë te klubi anglez, para se të vendosë të lëvizë nga Londra.

Përfaqësuesi U-21 i Zvicrës flitej se do t’i bashkohej klubit nga Torino gjatë janarit, për t’u huazuar deri në verë në Torino ose Cesena, por ai vendosi të mbetej në klubin aktual, ku planifikon t’i shfaqë vlerat e tij.

“Jam i nderuar që kam marrë një ofertë nga Juventusi, një klub i madh. Mirëpo, ky ishte vetëm gjysmësezoni im i parë në Fulham dhe nuk dëshiroja të largohesha tash. Është e qartë se kohëve të fundit po luaj pak dhe nuk jam i lumtur për këtë, por kam preferuar të mbetem këtu, për ta kërkuar një vend në formacionin bazë. Dëshiroj të punoj fort dhe ta meritoj këtë”, u shpreh ish-futbollisti i Bellinzonës dhe Lazios, në një intervistë për të përditshmen zvicerane, Blick.

19-vjeçari ishte transferuar në Fulham gjatë verës së vitit të kaluar nga Palermo, ku e kaloi një vit pa lënë gjurmë. Në klubin anglez ai shihej si një e ardhme e ndritshme, sa që trajneri Martin Jol llogarit në të në vitet e ardhshme. “Unë kam biseduar me menaxherin Jol. Do të punoj shumë, në mënyrë që ta bind atë të më fusë në lojë më shpesh”, përfundoi Kasami.

Futbollisti shqiptar nga Maqedonia ka kontratë me Fulhamin deri në qershor të vitit 2015. Ai ishte pjesë e përfaqësueses U-17 të Zvicrës, e cila në vitin 2009 u shpall kampione e botës. Po ashtu, ai e ndihmoi ekipin helvetik U-23 që të shpallej nënkampion i Evropës vitin që shkoi, në kompeticionin i cili u mbajt në Danimarkë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›