Shaqiri, entuziast për vazhdimin e sezonit

Baseli do të luajë të dielën (sot) ndaj Sionit, në ndeshjen e parë të sezonit vjeshtor. Mesfushori kosovar dëshiron ta ndihmojë kampionin e Zvicrës që t’i përsërisë sukseset e vitit që kaluar. “Jam i lumtur që më në fund po fillon”, deklaroi futbollisti gjilanas, i cili mezi pret po ashtu të luajë në të tetën e finales së Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munchenit.
Pikërisht klubi bavarez mund të jetë e ardhmja e 20 vjeçarit. “Të shohim. Për momentin jam i koncentruar vetëm në pjesën e dytë të sezonit”, shtoi ‘Shaq Attack’, i cili në janar u kërkua nga Galatasaray dhe Zenit Saint Petersburg.
Bayerni ideal për Shaqirin
Ndërkohë menaxheri i Xherdan Shaqiri, njëkohësisht edhe vëllai i tij, Erdin Shaqiri, thotë se Bayern Munichu është një destinacion i çmueshëm për yllin e Baselit. Bavarezët thuhet se e kanë përgatitur terrenin për ta bërë të vetin përfaqësuesin zviceran gjatë verës, ndërsa interesim për të kanë shfaqur edhe dy klubet më të mëdha angleze, Liverpool e Manchester United. Sidoqoftë, klubi gjerman mbetet opsioni më i pëlqyer i futbollistit gjilanas.
“Deri tash, Bayerni është klubi më i mirë për Xherdanin, sepse është e qartë se atje do të mund të zhvillohej në vazhdimësi. Ai duhet ta bëjë hapin e radhës gjatë kësaj vere, sepse duke luajtur për katër sezone ne Superligën e Zvicrës kundër ekipeve të njëjta, nuk është e mjaftueshme për zhvillimin e tij”, deklaroi menaxheri Shaqiri për Basler Zeitung.
Ai megjithatë ka konfirmuar se nuk ka pasur asnjë kontakt zyrtar me klubin më të madh gjerman. “Nuk ka pasur ndonjë kërkesë. Bayerni nuk më ka kontaktuar as mua e as Xherdanin”, konfirmon Erdini.