E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preferojnë garë me kandidatë

Ideja e krerëve të Lirisë për ndryshimin e sistemit të zgjedhjes së kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës po pëlqehet edhe nga klubet e tjera të Superligës. Sikurse prizrenasit, aty-këtu me ndonjë vërejtje të vogël, edhe drejtuesit e skuadrave të tjera thonë se duhet të krijohen kushte që prej zgjedhjeve të ardhshme të mund të kandidohen më shumë sesa dy individë.

Iniciativa e Lirisë - për ndryshimin e sistemit zgjedhor të kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) - po mbështet edhe nga krerët e skuadrave të tjera të Superligës.

Në fakt, Liria është hedhur në aksion që ta ndryshojë pikën e statutit të FFK-së, i cili e rregullon procesin e zgjedhjes së kryetarit. Prizrenasve nuk u la përshtypje mënyra e zgjedhjes së Fadil Vokrrit në krye të shtëpisë së futbollit kosovar, pa u sfiduar nga asnjë njeri tjetër.

Kjo pasi Vokrri unanimisht ishte nominuar kandidat për kryetar nga Lidhjet Rajonale, me ç’rast nuk kishin mbetur nënshkrime të mjaftueshme (15 sipas statutit të FFK-së) për t’u kandiduar edhe ndonjë njeri tjetër.

Andaj, prizrenasit thonë se nga zgjedhjet e tjera, një kandidat mos të ketë të drejtë të tubojë më shumë sesa 20 nënshkrime, me qëllim që të ketë më shumë kandidatë për postin e kryetarit të FFK-së.

Kjo nismë e krerëve të ekipit bardhezi po pëlqehet nga udhëheqësit e klubeve të tjera të elitës, të cilët aty-këtu po mundohen ta plotësojnë akoma më mirë atë ide.

“Ajo patjetër duhet të ndryshojë. Madje, kryetari aktual mos të ketë fare nevojë të mbledhë nënshkrime. Atë le ta kandidojë Komiteti Ekzekutiv. Me nënshkrime le të nominohen kandidatë të tjerë. Le të bëhen edhe katër kandidatë, pse jo. Le të bëjnë fushatë dhe më i miri të fitojë”, tha për Express, nënkryetari i FC Prishtinës, Ahmet Kurtolli.

Afërsisht njëjtë shprehet edhe delegati i Vëllaznimit në Kuvendin e shtëpisë së futbollit kosovar, Blerim Vula.

“Ne e mbështesim nismën e Lirisë, por duke e plotësuar atë. Ne jemi për atë që një kandidatë t’i ketë maksimum 17 apo 18 nënshkrime, me qëllim që teorikisht të ketë mundësi që tre kandidatë të konkurrojnë për postin e kryetarit, sepse ashtu siç pretendon Liria, nuk mund të dalin më shumë sesa dy kandidatë”, u shpreh Vula.

Edhe klubet e tjera thonë se do ta analizojnë idenë e prizrenasve, dhe nëse është e qëlluar, atëherë do ta mbështesin realizimin e saj.

“Nëse iniciativa e Lirisë është e arsyeshme, sigurisht se do ta mbështesim, pse jo. Ne do ta mbështesim çdo iniciativë që është në interes ë futbollit tonë. Mënyra e kandidimit të Vokrrit, për mendimin tim, ishte krejt në rregull, por nëse iniciativa e Lirisë e rregullon edhe më shumë këtë çështje, do ta mbështesim atë”, u shpreh kryetari i Besës, Bakir Burri.

Qëndrim të njëjtë kishte edhe delegati i Trepçës ’89 në Kuvendin e FFK-së, Abedin Zeka. “Ndoshta nuk ka nevojë, sepse FFK-ja nuk ka faj që asnjë njeri nuk del për të kërkuar nënshkrime. FFK-ja nuk ia ka ndaluar askujt të kërkojë nënshkrime. Në klubin tonë askush nuk ka kërkuar nënshkrim. Por, nëse iniciativa e Lirisë është në interes, ne do ta përkrahim”, pohoi ai.

Sipas statutit të FFK-së, ai që dëshiron të kandidohet për postin e kryetarit duhet t’i tubojë të paktën 15 nënshkrime të delegatëve. Por, nuk e kufizon se deri sa nënshkrime mund t’i mbledhë më së shumti.

Në këtë mënyrë edhe në zgjedhjet e ardhshme, që do të mbahen pas katër vitesh, për postin e kryetarit mund të kandidohet vetëm një individ, siç ndodhi në rastin e Vokrrit, i cili mori përkrahjen e thuajse gjithë delegatëve, me ç’rast askush nuk mundi ta sfidojë atë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›