E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ kthen mbrapsht listat e kandidatëve të Ramës, Gjinushit, Dules dhe Veliajt

Arsyet, mungesa e theksuar në legjislacion dhe shkelje e Kodit Zgjedhor. Miratohen kandidatët e PD-ës dhe LSI-së

Katër nga 5 partitë që përbëjnë koalicionin opozitar “Bashkimi për ndryshim”
u janë refuzuar dje listat zgjedhore nga ana e KQZ-së. Ndërkaq listat e LSI-së
dhe PD-së janë pranuar pas asnjë problem.

TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në mbledhjen e djeshme listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Pas shqyrtimit të listës së paraqitur nga Partia Demokratike, KQZ miratoi listën me 140 kandidatë, e cila u gjet në përputhje me ligjin nga KQZ.
Në mbledhjen e paraditës së djeshme, KQZ-ja vijoi edhe shqyrtimin e dokumentacionit të kandidimit të subjekteve politike, duke pranuar vetëm ato të Partisë Lëvizja e Legalitet dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pasi listat e kandidatëve të paraqitura prej tyre ishin në përputhje me ligjin.
Ndërkohë KQZ-ja vendosi dje pasdite në mënyrë unanime të kthejë mbrapsht listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për shkak të një mangësie në dokumentacion, që lidhet me kriterin e kuotës gjinore. Në përfundim të shqyrtimit të dokumenteve të kandidimit për listat e propozuara nga PS-ja, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se “lista e PS-së ka një mangësi te Qarku Lezhë, për  shkak të kriterit të 30 përqindëshit, ndaj duhet ta kthejmë për plotësim. Besoj se brenda ditës së hënë më së shumti të martën kjo mangësi do të plotësohet nga PS”, theksoi ai.
Lista e Partisë Socialiste, e paraqitur në KQZ, kishte tre ndryshime; përkatësisht në qarkun Lezhë kandidati i publikuar zyrtarisht Luan Dalipaj zëvendësohet me Manushaqe Kulin, ndërsa në qarkun e Shkodrës, Helidon Bele zëvendësohet me Suzana Golemaj. Në emrat e kandidatëve në Qarkun e Kukësit, me qëllim respektimin e kodit zgjedhor për 30 për qind e kuotës gjinore, kemi një zhvendosje të emrave ku kandidatja Tatiana Kerxhaliu, e renditur e katërta në listë, ngjitet e treta, duke u ndërruar me kandidatin Rexhep Ukperaj.
PS, partia më e madhe opozitare në vend, ishte subjekti i fundit zgjedhor që përcolli listat në KQZ, përtej afateve të përcaktuara në ligj. Ajo i paraqiti listat vetëm në orën 07.50 të datës 20 maj. Po dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kthimin e listave shumëemërore të kandidatëve për 12 subjekte zgjedhore, të regjistruara për zgjedhjet e 28 qershorit, pasi kishin parregullsi në dokumentacion.
Partia Socialdemokrate, Partia Aleanca Demokratike, Partia Republikane, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Socialiste e Vërtetë ’91, Partia e Reformave Demokratike Shqiptare, Partia Toleranca e Re, Partia Ora Shqiptare, Partia Aleanca Maqedonase për Integrim Evropian, Partia Demokracia e Re Evropiane, G 99 dhe Partia Konservatore ishin partitë dokumentacioni i të cilave u vlerësua me probleme nga anëtarët e KQZ-së. Listat e këtyre subjekteve ishin me mangësi kryesisht në dokumentet e identifikimit të kandidatëve si dhe nuk respektonin kriteret e kuotës gjinore, prej 30 për qind të grave.
Pas dorëzimit të listave të kandidatëve në 19 maj, afati i përcaktuar për këtë qëllim nga KQZ, i shkelur vetëm nga PS, deri më sot ky institucion ka shqyrtuar dokumentacionin e kandidatëve për rreth 30 subjekte zgjedhore, nga 35 të regjistruara për zgjedhjet e 28 qershorit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›