Kasapët e trotuareve, rrugët vijojnë të jenë të zaptuara nga thertoret
Durrës- Ka plas mishi rrugëve, therjet. Zoti Ministër i Mjedisit dhe Bujqësisë. Në menyrën më të prerë dhe përgjegjësitë ligjore më të ashpra ndaj punonjësve përgjegjës për këtë. Nëse një drejtues lokal shndërron rrugët e veta në thertore, atij i jepet fatura më e rëndë. Do të merremi me kryetarin e komunës, me të bashkisë, me përfaqësuesin e autoritetit ushqimor, të shëndetit publik. Do te dalim nga Mesjeta apo do të rrimë? Autostradë moderne, mishi i varur në të katër anët e saj. Zotërinj keni edhe ju përgjegjësite tuaja. Kjo situatë nuk mund të tolerohet më- kështu deklaroi kreu i qeverisë, duke urdhëruar edhe ngritjen e një task force për të pastruar rrugët nga thertoret mesjetare.
Zoti Berisha iu referua autostradave dhe rrugëve të tjera nacionale të cilat në të dyja anët janë të mbushur te tenda ku theret e shitet mish në kushte skandaloze higjenike. Gazeta IDEA këtë fundjavë kreu një vëzhgim në një ndër zonat më të frekuentuara këtë verë, plazhi i Gjirit të Lalzit, rrugën nga Kamza në Lezhë apo edhe në periferi të kryeqytetit.
Asgjë nuk ka ndryshuar veç faktit se thertoret mund të jenë shtuar. Madje në Sauk, një kasap kishte guxuar që të varte bagëtitë që rripte edhe në stacionin e autobuzit duke shfrytëzuar hijen që ofronte tenda e ndërtuar për qëndrimin e udhëtareve në pritje të autobusit.
Rrugët në dyja anët e tyre të ofrojnë pamjen e një filmi horror, me bagëti të varura në çengele në mesin e një muaji kur termometri po shënon mbi 40 gardë celsius.
Tregtarët thanë për IDEA-n se janë brenda standarteve dhe se mishin sapo fillon i nxehti e fusin brenda pasi jashtë qëndron vetëm gjatë therjes, por fotoja tregon qartë se ai edhe mund të blihet fare lehtë.
Sakaq në mbrojtje të shëndetit të konsumatorit dhe në përmisimin e pamjes që ofrojnë rrugët e vendit, veçanërisht ato që na çojnë drejt zonave turistike, duket qartë se kërkohet më tepër angazhim dhe seriozitet në zbatimin e ligjeve që sado ashpër të artikulohen jo në të njëjtën formë vihen në zbatim.
