E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Berisha i ka dhënë shoferit të tij galeri kromi në Bulqizë

Tiranë- Deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Sali Berisha duke e akuzuar për korrupsion.

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare për votimin e imuniteteve, ai fillimisht i ka bërë një pyetje të drejtpërdrejtë kryeministrit Berisha, duke e pyetur se kush është Mehmet Shkreli.

Sipas Tahirit, Shkreli është shoferi personal i Berishës dhe brenda shumë pak muajsh është bërë aksioner i një shoqërie e cila merret me gërmimet për minerale në minierën e Bulqizës.

Kush është Met Shkreli zoti kryeministër. Eshtë një oficer në Gardë, prej më shumë se 10 vjetësh është shofer i Berishës. Ai ka blerë 49% të aksioneve të shoqërisë Miti 03 dhe ka një galeri kromi në Bulqizë. Mendoni se ku është katandisur pasuria kombëtare. Çfarë lloj imuniteti ka shoferi yt, përveç të pasurit imunitet personal prej teje. Nuk ka shofer kryeministri në botë që të ketë galeri kromi. Kemi më shumë se 5 muaj që kërkojmë interpelancë për masakrën që po ndodh në Bulqizë,- tha Tahiri.

Më tej ai sqaron se brenda 1 muaji nga hapja e kësaj shoqërie, Shkreli bëhet një ndër aksionistët kryesorë, ndërsa brenda pesë muajve ai ka marrë një liçensë për të nxjerrë minerale në minierën e Bulqizës.

Në përfundim deputeti socialist i ka drejtuar disa pyetje kryeministit, ndërsa ka thënë se për shkak të të tilla pazareve numri i të vdekurve në minierën e Bulqizës është mbi 70 persona.

A është shoferi yt Mehmet Shkreli që ka në pronësi një galeri? Çfarë imuniteti ka shoferi yt për veç se ka imunitet e të qenurit shoferi yt? Ai i jep dhe rrogë shoferit tënd përveç licensave për shfrytëzimin e mineraleve? Kjo është një arsye sepse qeveria nuk jep llogari për masakrën që po ndodh në Bulqizë.

Gjithashtu Tahiri ka paralajmëruar qeverinë se kusuret me drejtësina do i lani një më një dhe këtij populli do i lani çdo qindarkë.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›