“Kasapët”, goditet banda italo-shqiptare e 1 150 kg drogë
Një tonelatë drogë e sekuestruar, me vlerë mbi 6 milionë euro dhe 19 të arrestuar, është bilanci i një operacioni të policisë italiane, në shkatërrimin e një bande narkotrafiku. Operacioni “Kasapët” ka shkatërruar kështu një biznes që qarkullonte miliona, duke u maskuar pas një dyqani mishi dhe dy sallamerive në Torito. Në pranga ka rënë kreu i bandës së narkotrafikut, i shumëgjykuari Cosimo Zonno, 68-vjeç nga Toritto, i njohur si një ndër furnitorët më të fuqishëm të lëndëve narkotike në rajonin e Pulias. Por jo vetëm kaq. Tek ai furnizoheshin, si në një pikë me shumicë, shpërndarësit dhe klanet aktive në të gjithë Italinë. Baza operative e kësaj organizate kriminale ishin dyqani i mishit, dhe dy dyqanet e sallamit të familjes Zonno, që fitimet i ndante me bosin shqiptar, Arben Paluka, aktualisht i shpallur në kërkim për të disatën herë. Bashkëpunëtori tjetër i tij, Eduart Premtaj, me banim në Salento, është gjithashtu njëri prej drejtuesve shqiptarë, që kishte arritur të krijonte lidhje edhe me klanet lokale mafioze. Ky i fundit, i integruar mjaft mirë me banorët e zonës, konsiderohej person mjaft i fuqishëm: ishte ai që siguronte sasitë e drogës në vendin e Shqiponjave, të cilat më pas zbarkoheshin në plazhet e Salentos. Nga ana tjetër, lënda narkotike mbërrinte në duart e kësaj organizate edhe nga Spanja apo Holanda.
Të arrestuarit
Nëntë italianë, nëntë shqiptarë dhe një qytetare polake, kanë përfunduar në pranga, pas operacionit të Antimafias. Gjashtë shqiptarë të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërkohë që 20 persona, 17 prej të cilëve italianë dhe 3 shqiptarë rezultojnë të jenë nën hetim. Akuza e ngritur ndaj tyre është ajo e krijimit të organizatës kriminale, për qëllime trafiku të lëndëve narkotike. Policia italiane ka sekuestruar gjatë këtij operacioni dy sallameritë në Torito, një dyqan mishi në Grumo Appula, si dhe prona të tjera, të luajtshme dhe të paluajtshme, vlera e të cilave kap shifrën e 3 milionë e 700 mijë eurove. Mes 19 të arrestuarve, policia italiane ka arrestuar edhe vëllezërit shqiptarë, Arian dhe Dritan Aga, si dhe kushëririn e tyre, Luan Aga, të gjithë banorë në Trani. Të arrestuarit e tjerë shqiptarë janë Loni Paluka e Artan Karaj, banorë në altamura, Ylli Dalipaj, banor në Foxhia, Gentjan Hamzaraj, banor në Firence, Petref Kondaj si dhe Eduart Premtajn, i njohur si “Toli”, banor në Leçe. Polakja e përfshirë në këtë organizatë të trafikut të drogës, Eva Janus ka rënë gjithashtu në pranga. Sipas “La Repubblica”-s, klani i shqiptarëve në këtë rrjet të trafikut të drogës ishte i skeduar prej kohësh nga policia italiane. Vetëm pesë muaj më parë, Arben Paluka ishte shpallur sërish në kërkim, në kuadër të operacionit “Shoku”, kohë kur u godit një organizatë shqiptare në trafikun e drogës. Për disa prej hetuesve, Arben Paluka është një prej trafikantëve më të mëdhenj të drogës nga Shqipëria, ndërsa gjatë hetimeve paralele, u gjetën lidhje të tij me njërin prej klaneve kamorriste të Sekondilianos. Në të njëjtin hetim figuron edhe Karaj e Premtaj, të arrestuar dje në Itali. Hetimet e këtyre viteve tregojnë gjithashtu se Premtaj kishte vendosur raporte të qëndrueshme edhe me eksponentët e malavitës lokale, të lidhur me klanin Sacra Corona Unita. Trafikanti shqiptar më pas mund të mbështetej tek këto klane gjatë aktivitetit të vet kriminal. Forcat ushtarake të Guardia di finanzës kishin gjetur depozita të fshehura përgjatë bregdetit. Që aty, droga shpërndahej më pas në të gjithë Pulian apo rajone të tjera të Italisë.