E Shtunë, 31 Tetor 2026

Videoja Meta-Prifti, ja detyrat që Prokuroria i caktoi ekspertit anglez

SHKRUAN: Leonard Bakillari 25-03-2011 16:24

Tiranë- Hetimi për video-përgjimin Meta-Prifti rikthehet në pikën zero, siç mund të konsiderohet zëri i patranskriptueshëm i CD-së. Ky është versioni zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka vendosur tashmë t’i drejtohet një eksperti anglez, të quajtur Adrian Phillips, për pastrimin e zërit të dialogëve mes Metës dhe Priftit, në kohën kur i pari ishte zv.kryeministër e i dyti ministër i Ekonomisë. Në vendimin për caktimin e ekspertit dhe kryerjen e ekspertimit teknik, dy prokurorët e çështjes, Anila Leka dhe Bujar Sheshi, tregojnë edhe arsyet përse nevojitet një ekspertim i dytë për këtë video. Sipas vendimit që mban datën 21 mars, praj rreth një muaji e gjysmë pas përfundimit të ekspertimit të parë, Prokuroria e Përgjithshme është e mendimit se videoja ka nevojë për një tjetër ekspertim, pasi biseda mes dy bashkëbiseduesve nuk mund të dëgjohet. Por ky vendim është kundërshtuar sërish nga avokatët mbrojtës të ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, të cilët sot pritet të depozitojnë në Prokurori kundërshtimet me shkrim. Sipas Prokurorisë, bëhet me dije se në kuadër të procedimit nr.1 të vitit 2011, gjatë hetimit është kryer ekspertim teknik në lidhje me materialin audio-viziv të dorëzuar së bashku me lap-topin nga ish-ministri Dritan Prifti, por audio mbetet ende e padëgjueshme. “Në këtë ekspertim teknik, ndër të tjera është kërkuar edhe pastrimi i materialit audio që përmban video e regjistruar, veprim i cili është kryer nga eksperti, duke hedhur videon e pastruar në një DVD, por rezulton se përsëri cilësia e dëgjimit nuk është në nivelin e duhur për të mundësuar një transkriptim të plotë dhe të saktë të këtij materiali”- thonë prokurorët e çështjes, në vendimin për ekspertimin e dytë të video-përgjimit. Sipas tyre, në këto kushte del e nevojshme kryerja e këtij veprimi me specialistë përkatës, me njohuri të posaçme në këtë fushë teknike. Për të realizuar këtë proces, Prokuroria e Përgjithshme ka ngarkuar ekspertin britanik Adrian Phillips, i cili është specialist në fushën audio pranë kompanisë “Control Risks Forensics” në Londër. Gjatë punës së tij, eksperti britanik do të ketë në dispozicion DVD-në ku është hedhur materiali i pastruar nga eksperti amerikan, ndërsa për rastin konkret organi qendror i akuzës thotë se ekspertimi i dytë do të kryhet me sistemin cilësor e profesional të pastrimit, të cilat disponohen nga shërbimi i policisë shkencore të Britanisë së Madhe. Në vendimin për ekspertimin e dytë, Prokuroria i cakton ekspertit Adrian Phillips disa detyra konkrete, ku më kryesorja është “kryerjen e ekspertimit teknik për pastrimin e materialit audioviziv të regjistruar, nga zhurmat në sfond, si dhe nga tik-taku i orës, të cilat krijojnë vështirësi në lidhje me dëgjimin e plotë dhe të qartë të zërave të njerëzve bashkëbisedues që janë regjistruar në këtë video”. Vendimi i Prokurorisë për kryerjen e ekspertimit të dytë ndaj videos Meta-Prifti vjen rreth një muaj e gjysmë pas të parit, duke paraqitur si arsye pastrimin e pjesës audio të bisedës mes ish-zv.kryeministrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›