E Diel, 1 Nëntor 2026

Tan Lepri, biznesmeni me lidhje politike

Dritan Avllaj, një personazh i lakuar për lidhjet e tij me politikën, ia kishte dalë, megjithatë, deri verën e shkuar, të ishte i panjohur për shumicën e shqiptarëve. Fushata e akuzave PS-PD në shtatorin e 2010-s do ta kthente këtë biznesmen në qendër të vëmendjes publike, mbi një çështje që mori përmasat e një skandali, por që në fund u mbyll si e paprovuar nga Prokuroria. Shofer i politikanëve në mesin e viteve ’90, Dritan Avllaj u përfshi më pas në biznesin e ndërtimeve në Tiranë, kryesisht pas vitit 1998. Çështja e lejeve të ndërtimit te diga e Liqenit Artificial u denoncua nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila akuzoi Dritan Avllajn, i njohur ndryshe si Tan Lepri, se kishte marrë 20% të aksioneve, në këmbim të lejes së ndërtimit. Në këtë kontratë, të hetuar më pas nga zyra e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës, ishin ortakë edhe Rrahman Selmanllari e partneri i deputetes Albana Vokshi, Arian Tartari. Zhurma rreth kësaj kontrate për ndërtimin e një kompleksi në Liqenin Artificial rinxori në skenë marrëdhënien e ngushtë të Dritan Avllajt me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Ramën. Ka qenë ky i fundit, që në një intervistë televizive pranoi miqësinë me Tan Leprin, duke refuzuar në mënyrë kategorike se e kishte favorizuar atë apo dikë tjetër për ndërtime në Tiranë. Nga ana tjetër, Dritan Avllaj njihet edhe për lidhjet e tij të ngushta me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë, biznesmeni i njohur me nofkën “Tan Lepri” ka shërbyer si një ndër njerëzit kryesorë të shtabit elektoral të kreut të PDK-së, Hashim Thaçi. “Zoti Avllaj vjen dhe viziton shpesh Kosovën. Në lidhje me përfshirjen e tij në fushatë, ne kemi informacion se ai ka mbërritur këtu që para një muaji, ose më saktë kur nisi fushata elektorale dhe në dijeninë tonë, ai është investuar dhe angazhuar posaçërisht në këtë fushatë për Partinë Demokratike të Kosovës, si një njeri i besuar dhe mik i ngushtë i kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi”, -pohuan asokohe për MAPO-n zyrtarë të PDK-së. Me lidhje të shumta në politikë dhe biznes, Tan Lepri është përballur dje me atentatin e tretë të dështuar, prej të cilit doli me një plagë plumbi në shpatull.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›