Atentat me 9 plumba Tan Leprit, shpëton nga makina e blinduar
Tiranë- Dritan Avllaj, personazhi i lakuar falë lidhjeve të tij me politikën, ka mbetur i plagosur gjatë një atentati me armë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Ngjarja ndodhi rreth orës 22.15 minuta, në rrugën “Mihal Grameno” në Tiranë, kohë kur i njohuri si Tan Lepri po udhëtonte me makinën e tij të blinduar “Mercedez Benz”, me targa gjermane EL 412 S. Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se makina luksoze e Avllajt drejtohej nga shoferi i tij, ndërsa objektivi i atentatit ndodhej në sediljen e parë. Rutinën e këtij udhëtimi e ka prishur një motor me dy djem të rinj, që i është vënë pas makinës së biznesmenit të shumëpërfolur. “Pasagjerët e motorit ishin të rinj, por me skafandra në kokë. Ata kanë ndjekur makinën, ndërsa djali i ulur në vendin e pasmë qëllonte në drejtim të makinës Benz”, - pohoi për MAPO-n një dëshmitar në vendngjarje, i cili po kalonte rastësisht në rrugë, në momentin e ngjarjes. Plumbat kanë plasaritur xhamin e makinës së Avllajt, ndërsa njëri prej tyre e ka plagosur në shpatull biznesmenin. Mësohet se gjatë goditjeve shoferi i Avllajt është përpjekur të manovrojë, duke u larguar nëpër rrugica, ndërkohë që motori i atentatorëve është zhdukur përmes një rruge të errët. Nuk dihet ende arsyeja, por makina e Avllajt është rikthyer sërish në vendin e krimit, para se të nisej në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku edhe ndodhet Tan Lepri. Pak minuta pas atentatit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të komisariatit numër 1 dhe Drejtorisë së Policisë të Tiranës, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plagosjes. Burime nga policia bënë me dije për MAPO-n se në vendin ku u godit automjeti i Dritan Avllajt u gjendën 9 gëzhoja pistolete, të cilat janë bllokuar në cilësinë e provës materiale. Spitali Ushtarak është kthyer në një tjetër vendngjarje, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ku janë mbledhur miqtë e të plagosurit, por edhe forca të shumta policie, të kryesuara nga drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj. Në dhomën e reanimacionit, ku po kurohej Dritan Avllaj, ka shkuar me urgjencë edhe deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, i njohur si mik i Avllajt. “Dritan Avllaj ka marrë një plumb në shpatull, por pa rrezik për jetën. Ai do të futet për pak minuta në sallë, ku do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale”, - bëri me dije për MAPO-n një mjek i Spitalit Ushtarak. I plagosuri është kontaktuar për pak minuta edhe nga kreu i Policisë së Tiranës, Muçaj, ndërkohë që dëshmia e tij e plotë pritet të merret pas ndërhyrjes kirurgjikale. Zyrtarë të policisë së kryeqytetit pohuan se deri në mesnatë nuk kishin asnjë person të dyshuar për atentatin, ndërkohë që hetimet janë fokusuar në pistën e konflikteve. Emri i Dritan Avllajt është tashmë i njohur për të gjithë shqiptarët, pas akuzave të ndërsjella PS-PD për lejet e ndërtimit. Ai u akuzua zyrtarisht nga deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, se kishte marrë 20% të aksioneve në kompaninë mes Rrahman Selmanllarit dhe Arian Tartarit, në këmbim të lejes së ndërtimit, falë njohjeve të tij me Edi Ramën, por Prokuroria e Tiranës e pushoi këtë çështje për mungesë provash.