Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni, në hetim një i ri
POGRADEC - Një 27-vjeçar është vënë në hetim nga policia, pasi akuzohet se ka shfrytëzuar si prostitutë një vajzë 30 vjeçe. Burime zyrtare nga Policia e Korçës thanë se dje kanë nisur hetimet ndaj një personi që dyshohet se ka shfrytëzuar për tetë muaj me radhë në Itali një vajzë 30 vjeçe si prostitutë. Policia tha se janë kryer veprimet hetimore procedurale ndaj të riut Gentian Syngjyllari, për veprën penale të “shfrytëzimit për prostitucion”. 27-vjeçari banues në Pogradec, mësohet se do të ndiqet në gjendje të lirë nga uniformat blu. Hetimet për këtë rast kanë nisur pas kallëzimit të bërë nga shtetasja me inicialet Zh. Sh., 30 vjeçe, lindur në Pogradec dhe banuese në Torino, Itali. Ajo ka denoncuar se për një periudhë prej 8 muajsh, në vitin 2007, është shfrytëzuar për të ushtruar prostitucion në qytetin e Torinos në Itali nga 27-vjeçari Gentian Syngjyllari. Pasi ka marrë denoncimin, policia lokale ka kryer veprimet e para hetimore dhe dosja penale i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për hetime të mëtejshme.
Drogë dhe armë, pranga shqiptarit në Itali
ROMË - Policia italiane ka arrestuar një emigrant shqiptar nën akuzën e posedimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Arrestimi i 26-vjeçarit erdhi pas hetimeve dhe ndjekjes së tij nga policia në kohën kur shpërndante drogë. Pas kontrolleve në banesën e emigrantit Marsel Met’hasa, në rajonin e Florës në Breshia, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 kilogramë drogë, 2 pako heroinë e pastër, 174 mijë euro, një pajisje që numëron paratë, dy pistoleta me numrin serial të hequr dhe një revolver të prodhimit amerikan i kalibrit 45. Shefi i policisë që zhvilloi aksionin e arrestimit tha se Met’hasa qarkullonte në tregun e lëndëve narkotike në Breshia edhe produkte të tjera, përveç heroinës, të cilat i kishte në shtëpi. Në komunikatën e bërë publike për mediat, policia tha se shqiptari bënte një jetë normale, duke mos krijuar dyshime për veprimtarinë e tij të paligjshme.
16 Qershor 2010