E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat edhe 10 ditë afat, tregtarët e refuzojnë

SHKRUAN: Sabina Veizaj 22-12-2010 12:48

Afati i pajisjes me kasa fiskale të biznesit të vogël përfundon për 10 ditë, ndërsa tregtarët e vegjël të Medresesë kundërshtojnë vendosjen e tyre, me argumentin se është e papërballueshme për buxhetin e tyre.

Më 31 dhjetor përfundon afati i vendosjes së kasave fiskale për biznesin e vogël, ndërsa biznesmenët e tregut industrial tek zona e Medresesë refuzojnë vendosjen e pajisjeve fiskale. “Do të refuzojmë çfarëdo afati ligjor të vendosur prej qeverisë dhe nuk paguajmë gjobat. Nuk ka kuptim që në tregun e lirë të vendosim kasa, për më tepër nuk mundemi t’i përballojmë. Nuk duam rimbursim, ata duan të mbushin xhepat e tyre” - shprehen tregtarët. Sipas tyre, pajisja me kasa fiskale do të sjellë falimentin e bizneseve në tregun industrial, pasi shifra e kërkuar për pajisjen me kasa fiskale është shumë e rëndë për xhepat e tyre. Ndërsa, tregtarët e pakët që i kanë blerë pajisjet fiskale nuk i kanë instaluar ende. Tregtarët e zonës së Medresesë rezistojnë të vendosin pajisjet fiskale, duke mos e parë të arsyeshme procesin e fiskalizimit për një biznes të vogël si i tyre. Rimbursimi i kasave fiskale ka hasur debate të ashpra në radhët e politikës. Ligji për taksat e pushtetit vendor, i miratuar pak javë më parë në Parlament, do të orientojë rimbursimet për kasat fiskale të blera nga biznesi i vogël në masën 44 000 lekë pa TVSH dhe 33000 për taksimetrat. Sipas ligjit në fjalë, të gjitha bizneset e vogla, që kryejnë aktivitetin si të tillë, të gjithë ato biznese që do të rezultojnë të vogla pas miratimit të reformës së re fiskale dhe të gjithë bizneset e vogla që do të regjistrohen deri në gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit “Për sistemin e Taksave vendore” të ndryshuar, do të përfitojnë rimbursim të pagesës së kasave fiskale, të blera deri në datën 28 shkurt 2011, dhe shifra e rimbursimit në total kap shifrën e 2,3 mld lekëve. Rimbursimi do të bëhet në çastin e pagesës së këstit pasardhës së taksës së biznesit të vogël në zyrat e pushtetit vendor. Debati i opozitës ka konsistuar në kërkesën për një rimbursim të drejtpërdrejtë, pasi në këtë mënyrë do të boshatisen arkat e pushtetit vendor dhe do të cenohet autonomia e bashkive dhe komunave të vendit. Ndërsa në buxhetin e 2011 u parashikua që rimbursimi në total prej 2,3 mld lekësh do të lëvrohet nga fondi rezervë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›