Mungesa e energjisë elektrike, banorët bllokojnë rrugën
Banorët e zonës së Sukthit kanë protestuar paraditen e djeshme për mungesën e energjisë elektrike, e cila sipas tyre mungon plot 16 orë. Banorët e lagjes Stalla dhe Katund Sukth, prej dy javësh po përballen me kufizime të tejzgjatura të energjisë elektrike, derisa ditën e djeshme në shenjë proteste kanë bllokuar rrugën që lidh Sukthin me Manzën dhe fshatrat e tjerë të kësaj bashkie. Në orën 10:00 banorët kanë vendosur në mes të rrugës kazanet e plehrave dhe mbeturina të tjera dhe për rreth 30 minuta rruga është bllokuar nga të dy anët e saj. Ata shprehen se kanë dy javë që furnizohen me vetëm 8 orë energji në 24 orë. Kujtim Ferra, banor i lagjes “Stalla” shprehet se: “Dritat vijnë në orën 22 dhe ikin në orën 06:30. Nuk e dinë arsyen. Ne na është prishur gjithçka që kemi, frigoriferë, lavatriçe dhe pajisje të tjera. Nuk bëhet fjalë për biznese këtu, ka mbaruar çdo gjë, por në shtëpi kemi fëmijë të vegjël dhe nuk shtyhet më në këtë gjendje”. Një tjetër banor i kësaj zone, Sefedin Çamo, shprehet se për ngjarjen në fjalë nuk ka asnjë ndihmë apo përkrahje nga kryetari i bashkisë së Sukthit. “Bëmë dje një takim me kryetarin e Bashkisë së Sukthit, Yrjan Hasani, por ai na ka deklaruar se nuk e zgjidh ai problemin e energjisë. Pas debateve që bëmë për këtë problem, ai na ka kërcënuar se do na flakte jashtë, madje ka njoftuar policinë për të nxjerrë forcërisht nga zyra ne banorëve që ishim brenda”. Protesta e banorëve ka marrë të tjera përmasa, pasi është bllokuar rruga që shkon nga Sukthi në Manzë për 30 min. Më pas ka ardhur policia, e cila ka debatuar me banorët për lirimin e rrugës. Policia ka bërë të ditur se banorët po shkelin ligjin dhe do ndiqen penalisht, madje më pas 7 prej tyre janë shoqëruar në polici. Pas shumë debatesh dhe negociatash, banorët e kanë liruar rrugën.
Aleks Kalemasi