Liberalizimi i vizave, stabilizohen çmimet
Mungesa e vizave për lëvizje jashtë kufijve ka dhënë efektet e para pozitive në treg. Bizneset e mesme dhe të vogla po importojnë vetë, duke rritur cilësinë e produkteve dhe ulur çmimet.
Lëvizja e lirë pa viza ka dhënë efektet e para tek çmimet e produkteve ushqimore në tregun vendas. Nga një vëzhgim i gazetës “MAPO” në marketet e kryeqytetit, nuk është vënë re një rritje çmimesh, ashtu siç ishte paralajmëruar nga tregtarët ushqimorë, duke vijuar traditën e përvitshme të rritjes së çmimeve në prag festash. Tregtarët ushqimorë u shprehën për “MAPO” se ky fundvit po paraqitet ndryshe nga vitet e tjera, përsa i përket çmimeve. “Me liberalizimin e vizave çmimet janë ulur, sepse tregtarët kanë mundësi të shkojnë vetë e të importojnë produktet. Prandaj ne nuk mund të abuzojmë dot me çmimet në ditët që do të vijnë. Mallin që kemi aktualisht do ta shesim me çmimet që kemi, por më vonë do t’i përshtatemi tregut”, - u shpreh Petriti, tregtar pakice në zonën e Medresesë. Jo vetëm tregtarët e mëdhenj, por edhe ata të mesëm e të vegjël, me lëvizjen e lirë po kanë mundësi të importojnë vetë produktet që shesin, duke ofruar cilësi dhe çmime më të ulura në treg. Ndërkohë që është rritur prodhimi i fermerëve shqiptarë të fshatrave përreth qyteteve, duke rritur mbjelljet dhe serat. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të provojnë një herë luksin e të festuarit të lirë. Në të njëjtën kohë, ekspertët thonë se në këtë moment që liberalizimi i vizave duhet të ketë efekte pozitive në treg për konsumatorët, duhet domosdoshmërisht që tregjet të monitorohen, pasi shpesh herë ka mungesë informacioni nga ana e konsumatorit. Gjithashtu, ekspertët thonë se duhet të ekzistojë një sistem fiskal, i cili i kontrollon tregjet në bazë të kuponit tatimor. Ndërsa muaji nëntor ka shënuar çmime shumë të larta, përsa i përket produkteve të shportës. Vaji i lulediellit ka shënuar produktin me çmim më të shtrenjtë 240 lekë, ndërkohë që tregtarët paralajmëruan ditë më parë, që ky produkt në prag të festave do të tregtohej me 300 lekë. Edhe sipas publikimit më të fundit të INSTAT, inflacioni mujor për nëntorin është rritur me 0.2 %, në krahasim me muajin paraardhës, ndërsa referuar krahasimit vjetor niveli i përgjithshëm i çmimeve ka qenë 0,2 % më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pra, inflacioni për muajin nëntor me ndikim vjetor është 2,8%, krahasuar me 3 % të nëntorit të 2009-ës. Në rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve ndikoi pikërisht rritja e çmimit të grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike”.
Tregtarët ushqimorë u shprehën për “MAPO” se ky fundvit po paraqitet ndryshe nga vitet e tjera, përsa i përket çmimeve. “Me liberalizimin e vizave, çmimet janë ulur, sepse tregtarët kanë mundësi të shkojnë vetë e të importojnë produktet.
Vaji i lulediellit ka shënuar produktin me çmim më të shtrenjtë 240 lekë, ndërkohë që tregtarët paralajmëruan ditë më parë që ky produkt në prag të festave do të tregtohej me 300 lekë
Ekspertët thonë se në këtë moment që liberalizimi i vizave duhet të ketë efekte pozitive në treg për konsumatorët, duhet domosdoshmërisht që tregjet të monitorohen, pasi shpesh herë ka mungesë informacioni nga ana e konsumatorit.