E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale, Hidrokarburet akuzojnë Boden për arbitraritet

Shoqata e hidrokarbureve, kundër pesë kompanive: Asnjëra prej tyre nuk është e specializuar për instalimin e kasave


Shoqata e Hidrokarbureve proteston kundër vendimit të qeverisë në bazë të të cilit janë përzgjedhur pesë firma për vendosjen e kasave fiskale. Sipas pretendimit të shoqatës mësohet se vetëm një prej firmave të zgjedhura në mënyrë arbitrare është e specializuar për vendosjen e kasave fiskale.

Sipas pretendimeve të shoqatës mësohet se në mënyrë paradoksale me vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë, me njëanshmëri të theksuar, nga Ministria e Financave janë përzgjedhur kompanitë që duhet të bëjnë fiskalizimin, është caktuar edhe lloji i pajisjes fiskale dhe skema e implementimit. Përfaqësues të shoqatës shprehen se kjo skemë nuk gjendet askund në ndonjë nga vendet e BE, dhe ngrenë pretendime për hartimin dhe huazimin e saj.


Pretendimet
Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, si grupimi më i madh i kompanive elitare në fushën e importimit dhe tregtimit të hidrokarbureve, është e shqetësuar në vijimësi lidhur me metodat arbitrare dhe abuzive mbi të cilat administrata tatimore po synon të realizojë objektivat e saj në fushën e implementimit të projektit për fiskalizimin e tregut të hidrokarbureve. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve (SHSHH) ka qenë nga të vetmet grupime të biznesit shqiptar që ka përkrahur pa rezerva dhe madje ka dhënë kontributin e saj teknik e profesional në përmirësimin e procesit të fiskalizimit të pajisjeve që tregtojnë karburante, duke qenë pjesë e përmirësimeve ligjore e nënligjore në fushën respektive.
Por megjithë kërkesat e vazhdueshme të SHSHH për ti afruar Ministrisë së Financave obsione që do të ishin realiste dhe plotësisht të mundshme për të realizuar këtë proces, nga kjo Ministri nuk është marrë asnjë parasysh.


Shoqëritë
Nga pesë shoqëri që janë zgjidhur për fiskalizim, këtë lloj pajisje fiskale e ofron vetëm një prej tyre, por edhe kjo shoqëri nuk e implementon dot në praktikë, duke nxjerrë pretendime për llojin e pompave dhe duke e shtyrë procesin kohë pas kohe, shprehen përfaqësuesit e shoqatës. Sipas tyre me vendime të njëpasnjëshme qeverie, duke shkelur gjithë parimet e lirisë  së tregut, kompanive u caktohet lloji i pajisjes dhe shitësi ku duhet ta blejnë. Në të njëjtën kohë kur vetë shitësi nuk i përgjigjet dot kësaj lloj pajisjeje, ai ka të drejtën të vendosë çfarëdo lloj çmimi shitjeje, sepse është pa konkurrencë në treg.  Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, më shumë se njëherë, i ka propozuar Ministrisë së Financave të mbronte vendimin e saj për fiskalizimin e pajisjeve hidrokarbure, por duke nxjerrë një vendim të zbatueshëm, të drejtë. Ndërkohë mësohet se Shoqëritë e karburanteve është e gatshme dhe po krijojnë kushte për të implementuar procesin dhe nëse gjykohet se pagesën duhet ta përballojnë këto shoqëri, ta bëjnë pranë DPT dhe jo në llogarinë e shoqërive të autorizuara për fiskalizim. SHSHH kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve, pasi megjithë kontaktimet e vazhdueshme dhe faktit objektiv që fajtor për mosmontimin e kasave fiskale mund të jetë kushdo, por jo kompanitë e hidrokarbureve, nga administratë tatimore po vijon të zbatohen neni 38, pika a) i VKM nr.781, datë 14.11.2007, ndryshuar me VKM Nr.1476, datë 12.11.2008, sipas të cilit janë të detyruar të pajisen me kasa fiskale brenda periudhës nëntor 2008 - maj 2009, personat e regjistruar për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, të cilët administrohen nga drejtoria rajonale tatimore e tatimpaguesve të mëdhenj dhe drejtoria rajonale e Tiranës.


Rritja e çmimeve
Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar rritjen e çmimit të karburanteve në tregun vendas. Kjo rritje do të ndikohet nga çmimi në tregjet ndërkombëtare. Sipas Shoqatës së hidrokarbureve luhatje dhe kapërcime e çmimeve të kuotuara në bursën botërore janë përballuar në tregun e brendshëm në mënyrë graduale nga përdorimi i rezervave ligjore të sigurisë për karburantet, sipas legjislacionit në fuqi. Sipas shoqatës mësohet se përdorimi i rezervave nga kompanitë e tregtimit ka mbajtur për një periudhë të konsiderueshme çmime konstante në tregun e shitjes me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve, duke mos reflektuar luhatjet e përditshme të tregut ndërkombëtar të hidrokarbureve. Pritet një rritje prej 1 lekë/litër për benzinë apo diesel-in, që llogaritet si taksa e karbonit.

Pretendimet e Shoqatës së Hidrokarbureve
a) Meqë pajisjet fiskale janë një mjet që i shërbejnë administrimit fiskal, përgjegjësinë për vendosjen e tyre duhet ta marrë DPT (theksojmë se në shumë vende perëndimore kosto e fiskalizimit është përballuar nga vetë ministritë e financave, duke ua zbritur kompanive që fiskalizohen nga tatim fitimi i tyre).
b) Ministria e Financave dhe DPT të zgjidhin vetë kush do ti implementojë dhe vendosë kasat dhe përgjegjësinë në vijimësi ta kenë këto shoqëri të autorizuara dhe të mbikqyrura nga Ministria e Financave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›