E Diel, 1 Nëntor 2026

Kasat fiskale, Tatimet: “31 dhjetori, afati i fundit i instalimit për biznesin”



Ervin KOÇI

Bizneset kanë afat deri më 31 dhjetor për të instaluar kasat fiskale. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka bërë apelin e fundit të gjitha bizneseve të vendit për këtë urdhër që mbetet në fuqi. Me tejkalimin e këtij afati ligjor, tatimorët do të vendosin gjoba te subjektet që nuk kanë vendosur kasën. “Data 31 dhjetor 2010 është afati i fundit, brenda të cilit tatimpaguesit që kanë detyrim ligjor të përdorin pajisjet fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme kuponin tatimor, duhet të instalojnë kasat fiskale. Gjatë periudhës 10 mujore janë verifikuar më shumë se 19 mijë subjekte, nga të cilat janë evidentuar 6387 pa kasa dhe për të cilat janë vendosur gjoba”,- theksoi përfaqësuesi i Tatimeve, Erjon Prifti. Zyrtarët e tatimeve kanë shpjeguar se bizneset do të rimbursohen deri në 44 mijë lekë për blerjen e kasës fiskale. Rimbursim do të ketë edhe për bizneset që operojnë në fushën e transportit për shumën 30 mijë lekë për blerjen e taksimetrit.

Kasat
Deri tani, janë instaluar 26.454 pajisje fiskale, ndërkohë që vazhdojnë kontrollet dhe verifikimet për evidentimin e subjekteve, të cilët nuk janë pajisur me pajisje fiskale. Gjatë periudhës 10-mujore, janë verifikuar më shumë se 19.000 subjekte, nga të cilat janë evidentuar 6387 subjekte për të cilat janë vendosur gjoba për mospajisjen me kasa. Vlera totale e gjobave deri tani ka shkuar në 424.830.000 lekë. Gjithashtu, të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë detyrimin për instalimin e pajisjeve fiskale dhe kanë bërë pagesën e blerjes së pajisjes së parë fiskale deri në datën 28 shkurt 2011 nga shoqëritë e autorizuara, iu rimbursohet pagesa deri në shumën 44.000 (dyzet e katër mijë) lekë. Edhe bizneseve që operojnë në fushën e transportit, që kanë detyrimin për t’u pajisur me taksimetër, u rimbursohet pagesa e bërë për blerjen e taksimetrit, sipas kontratës përkatëse, deri në shumën 30.000 (tridhjetë mijë) lekë. Në bazë të këtij ligji, rimbursimi kryhet në çastin e pagesës së këstit/kësteve pasardhës/pasardhëse të taksës së biznesit të vogël.

Tatimet
Administrata tatimore i kujton edhe një herë të gjithë tatimpaguesve të regjistruar në biznesin e madh në të gjithë Shqipërinë, si dhe në biznesin e vogël, që ushtrojnë veprimtari në bashkitë Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Lushnjë, Berat, Sarandë, Korçë, Pogradec, Elbasan, Shkodër dhe Lezhë, si edhe në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil, se afati i detyrueshëm për instalimin e pajisjeve fiskale ka përfunduar. Të gjithë tatimpaguesit e tjerë, për të kontraktuar dhe instaluar pajisjet fiskale duhet të drejtohen vetëm në shoqëritë e autorizuara për shpërndarjen dhe asistencën teknike të tyre, të cilat janë: “AED”, “BNT”, “IVA ELEKTRONIK” dhe “CKV NOKI ALBANIA”. Në linkun “Pajisje Fiskale”, në faqen zyrtare të internetit të Administratës Tatimore, tatimpaguesit mund të gjejnë të publikuar informacion mbi kontaktet dhe adresat e shoqërive të autorizuara, si dhe listën e pajisjeve fiskale për çdo shoqëri, të certifikuara nga Komisioni i Ministrisë së Financave.

BOX/////////////////////////////
Referenca Ligjore:

Ligji 9920 date 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”

Vendimi Këshillit të Ministrave Nr. 781 datë 14.11.2007 “Për karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike, të deklarimeve financiare, sistemit të komunikimit, për procedurën e dokumentacionin për miratimin e tyre dhe për kriteret për pajisjen, me autorizim, të shoqërive të autorizuara për ofrimin e pajisjeve fiskale”, i ndryshuar.

Ligji nr. Nr. 10 354, datë 18.11.2010, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Turizmi, BSH: “Këtë vit, 59 milionë euro më pak”

Të dhënat zyrtare, kanë shfryrë përfundimisht ‘boom’-in e pretenduar turistik të vitit 2010, duke raportuar për herë të parë në vitet e fundit rënie të të ardhurave nga turizmi.
Banka e Shqipërisë, autoriteti kompetent për llogaritjen dhe publikimin e të dhënave të turizmit, njoftoi se në 9 muajt e parë të këtij viti, periudhë që përfshin kulmin e sezonit turistik, të ardhurat nga turizmi jo vetëm që nuk u rritën krahasuar me vjet, por ranë me 5.7 për qind. Sipas BSH-së, “deri në fund të shtatorit, ekonomia shqiptare ka fituar nga turizmi 960 milionë euro, ose 59 milionë euro më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë”. Veç tkurrjes së të ardhurave, të dhënat tregojnë se këtë vit, për herë të parë gjatë viteve të fundit, edhe shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë shtetit kanë rënë. Sipas BSH-së, “në 9 muajt e parë të vitit, shpenzimet për udhëtime jashtë u ulën me 12.8 për qind, ose 115 milionë euro”. Tregues i krizës apo jo, kjo shifër dëshmon se këtë vit kanë qenë më të paktë shqiptarët që kanë shkuar për pushime jashtë shtetit. Përgjatë gjithë sezonit turistik qeveria dhe Ministria e Turizmit kanë trumbetuar në publik rritje të fortë të numrit të turistëve, duke ja atribuuar këtë edhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Por të dhënat e BSH-së nxjerrin tashmë një situatë kontradiktore, ku edhe pse numri i turistëve rritet, ekonomia fiton më pak, çka do të thotë që ose ata turistë që po vijnë po shpenzojnë më pak, ose që rritja e numrit të turistëve ka ardhur nga emigrantët.

Dimri ashpërsohet, shtrenjtohet gazi dhe nafta

Këtë dimër qytetarët duhet të paguajnë më shtrenjtë për lëndët djegëse çmimet e të cilave janë rritur së tepërmi. Prej më shumë se dy javësh në treg çmimi i gazit të lëngshëm që përdoret për ngrohje dhe gatim është rritur me rreth 10 lekë për kilogram. Çmimet e shitjes me shumicë për gazin variojnë nga 135 në 138 lekë/kg. Importuesit e gazit thonë se rritja e çmimeve ka ardhur për 3 arsye kryesore, e para është rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare, ku çmimi shkon deri në 1055 dollarë/toni. Ndërkohë zhvlerësimi i lekut kundrejt dollarit ka rritur koston e gazit. Importuesit thonë se edhe pengesat që po hasin në përpunimin e anijeve në portet kryesore është bërë shkak për rritjen e çmimit. Rritje të çmimit kanë pësuar edhe karburantet. Në pikat e shitjes me pakicë, çmimi i një litri naftë diesel ka arritur deri në 157 lekë, duke u rritur brenda një jave me më shumë se 10 lekë për litër. Duket se për momentin shqiptareve u leverdis të përdorin lënde drusore për ngrohje apo gatim. Tregtarët thonë ka rritje të shitjeve të sobave me dru. Çmimi i drurit varion nga 2300-2500 lekë një metër kub, aq sa ka qenë edhe një vit më parë.

Festat mbërrijnë me oferta nga Vodafone Albania

Festat e fundvitit po afrojnë dhe bashkë me to nisin ofertat speciale nga kompania Vodafone Albania. Në këtë fundviti Vodafone sjell disa oferta fantastike në treg për ta pritur Vitin e Ri me sa më shume festë dhe komunikim. Duke filluar nga 6 dhjetori dhe deri në fund të këtij viti, të gjithë abonentët “Vodafone Card” dhe “Vodafone Club”, të cilët kryejnë një rimbushje me 500 lekë apo më shumë nëpërmjet shërbimit “E-Top Up” do të bëhen automatikisht pjesëmarrës në shorteun e datës 31 dhjetor ku 2011 abonentë Vodafone do të përfitojnë 2011 minuta komunikimi falas për t’u konsumuar çdo muaj gjatë gjithë vitit 2011. Sa më shumë rimbushje të tilla të kryhen aq më shume rriten shanset për t’u bërë fitues. Dhe jo vetëm kaq. Për çdo ditë të shorteut Vodafone do të dhurojë një telefon “Samsung Galaxy Tab” me të cilin abonentët fitues mund të përdorin mundësitë e pafundme që ofron shërbimi i ri 3G që do të fillojë të jetë i pranishëm për pak javë. Nxitoni të bëheni edhe ju pjesë e promocioneve të Vodafone dhe të përfitoni nga ofertat e pafundme dhe surprizat e njëpasnjëshme për ti bërë vetes suaj dhuratën e parë të këtyre festave.

11 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›