E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- bashkëshortja i shkon për vizitë, i vjedh 30 mijë lekë

14/01/2010  Denoncon 54-vjeçari, tentoi të merrej vesh me të. Shpallet në kërkim autorja
KORÇE- Një grua 52- vjeçare i kishte shkuar për vizitë ish-bashkëshortit të saj, por në momentin që është larguar ish-bashkëshorti ka konstatuar se i mungonin 30 mijë lekë. Mësohet se vizita e gruas kishte ndodhur disa ditë përpara Vitit të Ri, ndaj për këtë arsye, ai kishte pritur që gruaja t’ia kthente lekët e vjedhura ose të merreshin vesh për atë që kishte ndodhur, por në të vërtetë ish-bashkëshortja e tij nuk është kthyer më në shtëpinë e ish-burrit të saj për t’i bërë vizitën e radhës.
Kallëzimi
Për këtë arsye, viktima, së fundi, duke këmbëngulur në kthimin e 30 mijë lekëve, ka kërkuar edhe ndihmën e policisë. Protagonistë të kësaj ngjarjeje janë: N. Bedulla, 52 vjeç dhe burri i saj, T. Ibrahimi, 54 vjeç, që të dy banorë të qytetit të Korçës. Sipas policisë, në lidhje me këtë ngjarje, në ngarkim të shtetases N. Bedulla, lindur dhe banuese në lagjen nr. 8 të Korçës, janë kryer veprimet hetimore procedurale për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Ndërkaq policia ka sqaruar edhe rrethanat në të cilat ka ndodhur vjedhja. Sipas burimeve në fjalë, kallëzimi është bërë nga shtetasi T. Ibrahimi, lindur dhe banues në lagjen nr 15 të Korçës, i cili ka deklaruar se në datën 22.12.2009, i kishte shkuar në banesën e tij shtetasja N. Bedulla, me të cilën kishte bashkëjetuar që prej vitit 2007, por kur ajo ishte larguar nga banesa, i kishte vjedhur një shumë prej 30.000 lekësh. Aktualisht policia po punon për kapjen e autores dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›