E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i vizave “Shengen”, prangoset kreu i shoqatës së romëve



KORÇË – Pas skandalit me vizat te shoqata “OMONIA”, një tjetër ka vijuar pas tij me shoqatën e romëve. Edhe në këtë rast, në qendër të abuzimeve janë mashtrimet me vizat “Shengen”, të cilat kanë çuar në pranga kreun e OJF-së, Artur Lamove, ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij po hetohen në gjendje të lirë. Burimet zyrtare të Policisë së Korçës bëjnë të ditur se ditën e hënë është arrestuar shtetasi Artur Lamove, 45 vjeç, lindur dhe banues në qytetin juglindor. Sipas tyre, operacioni për kapjen e tij është bërë nga agjentët e Sektorit Kundër Krimit Financiar, të cilët realizuan kapjen e tij në vendin e quajtur rruga “Koço Tupa” në Lagjen Nr. 4 në Korçë. Burimet policore sqarojnë se ndaj drejtuesit të Shoqatës së Romëve nisi hetimi i Njësisë së përbashkët të Task-Forcës pranë Prokurorisë së Korçës, pasi kishte informacione se Lamove u merrte personave nevojtarë 1500 deri në 2000 euro në këmbim të nxjerrjes së një vize “Shengen”. Katër ditë më parë iu referuan materialet Prokurorisë së Korçës, e cila nisi hetimet për veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave publikë” për shtetasin Artur Lamove, i cili është kryetar i shoqatës “Lëvizja për mbrojtjen e të drejtave rome”. Burimet policore sqarojnë se po hetohen në gjendje të lirë edhe shtetasit Jani Lamove dhe L. Hajredini, 44 vjeç, lindur në Korçë. Burimet policore bëjnë të ditur se ata po hetohen për “moskallëzim krimi”. Pak ditë më parë një tjetër skandal plasi në shoqatën “OMONIA” në Korçë, ku nisën hetimet ndaj kreut të saj për trafik vizash greke.

I jep fund jetës 41-vjeçarja, autopsia nxjerr shkak vetëhelmimin

KORÇË – Një 41-vjeçare është zhdukur nga banesa e saj dhe më pas ka pirë një substancë helmuese duke i dhënë fund jetës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje policia ka gjetur të vdekur shtetasen Spira Potka, lindur në fshatin Mesmal dhe banuese në fshatin Ravonik të rrethit të Korçës. “Pas këtij informacioni është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para procedurale, ku rezultoi se Potka është larguar nga shtëpia e saj që prej ditës së diel. Familjarët e saj janë shqetësuar dhe kanë bërë denoncimin në polici. Pas verifikimeve të para u bë e mundur gjetja e trupit të 41-vjeçares. Sipas policisë, “nga veprimet e para hetimore, si dhe nga këqyrja e vendit dhe të kufomës nuk rezulton se vdekja e saj të ketë ardhur si pasojë e veprimeve të dhunës apo ndonjë veprimi kriminal”. Po ashtu, edhe pasi janë marrë në pyetje familjarët, nuk rezulton se viktima vuante nga ndonjë sëmundje. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë bërë ekzaminimin e kufomës, ku rezultoi se “vdekja e shtetases Spira Potka ka ardhur nga helmimi. Burimet policore sqarojnë se janë kryer veprimet e para procedurale për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes”.

6 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›