Kasetat e partive për TV-të, KQZ-ja nuk shqyrton propozimin e Bordit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hequr dorë dje në momentet e fundit nga miratimi i propozimit të Bordit të Monitorimit të Medias, për të detyruar operatorët radiotelevizivë privatë që të transmetojnë pamjet e servirura nga subjektet politike në këtë garë elektorale nëpërmjet kasetave të parapërgatitura. Megjithëse nuk ka dhënë një argument për këtë tërheqje, KQZ-ja nuk ka shqyrtuar këto propozime që administrata kishte paraqitur në formën e një projekt-akti me 7 pika, ku ndërmjet të tjerave kërkohej që operatorët radiotelevizivë të mund të paraqitnin në mënyrë të barabartë garën elektorale për Bashkinë e Tiranës.
Raporti
Bordi i Monitorimit të Medias gjatë fushatës zgjedhore ka paraqitur dje para KQZ-së raportin e dytë të tij lidhur me vëzhgimet dhe konstatimet e arritura gjatë këqyrjes së transmetimit të fushatës nga operatorët radiotelevizivë. Por, ndërsa për kohën televizive të matur për çdo operator, gjithë anëtarët e këtij Bordi kanë qenë në unison, ata janë ndarë për shumë çështje të tjera që kishin të bënin me masat për të balancuar fushatën, ashtu edhe për shqyrtimin e ankesave të paraqitura nga subjektet elektorale për tre spote televizive. Një pjesë e raportit kishte të bënte me propozimet Bordit për të balancuar fushatën për kryetarët e bashkive kryesore dhe atë për të detyruar operatorët që të pranojnë kasetat filmike të servirura nga partitë, ka ndarë anëtarët e tij në dy pjesë. Në një nga propozimet e veta, Bordi propozonte që “Në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore kandidatët rivalë në të njëjtën njësi të qeverisjes vendore, të subjekteve me mbi 20% të vendeve në Parlament, do të kenë pasqyrim ditor nga operatorët radiotelevizivë, të barabartë midis tyre”. Ndërkohë në një tjetër pikë parashikohej se “Me qëllim të plotësimit të detyrimit për pasqyrim të barabartë, në rast të pamundësisë së mbulimit me resurset e veta, televizioni i ilustron aktivitetet e fushatës me filmimet e aktiviteteve të vëna në dispozicion nga kandidatët, subjektet përkatëse”. Lidhur me këto propozime, administrata e KQZ-së përgatiti dhe një projekt-akt, të cilin e paraqiti edhe në tryezë për miratim. Propozime këto që gjetën kundërshtimin e prerë të opozitës, e cila i konsideroi ato si antiligjore, pasi, së pari, Kodi nuk parashikon kohë për kandidatët, por për subjektet dhe, së dyti, KQZ-ja nuk mund të detyrojë operatorët për pranimin e kasetave, pasi kjo binte ndesh me parimet për një gazetari profesionale. Kundërshtimi i përfaqësuesve të opozitës, qoftë në tryezën e komisionit, qoftë nga anëtarët e Bordit, ka bërë që KQZ-ja të heqë dorë nga ky projekt-akt, duke mos e futur për votim.
Spotet
Ndërkohë, KQZ-ja ka marrë një sërë vendimesh të tjera dhe këto të propozuara nga Bordi, një pjesë e të cilave me pëlqimin e të gjithë anëtarëve. Pjesë e kësaj vendimmarrjeje ka qenë miratimi i kohëve të evidentuara nga Bordi për çdo operator, si dhe kohët që duhet të kompensojnë ato për subjektet më pak të transmetuara apo të pasqyruara. Ndërkohë që KQZ-ja ka marrë në konsideratë mendimin e shumicës së Bordit për rrëzimin e pretendimeve të ngritura nga PS-ja në shkresën e saj me 12 kërkesa nëpërmjet të cilave kërkonte edhe që spoti i lëvizjes “Zgjohu” të ndalohej. Sipas Bordit, kjo lëvizje nuk është subjekt zgjedhor dhe për rrjedhojë nuk mund të monitorohet. Më pas KQZ ka diskutuar edhe për dy kërkesa të tjera të PS-së dhe LSI-së për tre spote elektorale. Kështu, KQZ-ja ka rrëzuar propozimin e PS-së për ta konsideruar spotin e Ministrisë së Brendshme për vizat si spot të kandidatit Lulëzim Basha. Gjithashtu, KQZ-ja ka rrëzuar edhe dy kërkesat e LSI-së për të ndaluar transmetimin e dy spoteve të PS-së, “Kurrë më” dhe “Kush është Luli”.