E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama, strategji për kontestim të zgjedhjeve

I bindur në suksesin elektoral të koalicionit qeverisës dhe kritik ndaj kreut të opozitës, Edi Rama, Ilir Meta ka analizuar në “Studio e Hapur” situatën politike në prag të zgjedhjeve të 8 Majit, duke u shprehur se Partia Socialiste ka një strategji për të tensionuar situatën. “Këto janë gjëra që tregojnë qartë një panik. Njëkohësisht edhe një strategji për të justifikuar një kontestim të mundshëm të zgjedhjeve”, tha Meta. Ndonëse nuk ka dhënë shifra, Meta u shpreh i sigurt se rezultati i zgjedhjeve të 8 Majit do të jetë pozitiv për koalicionin “Aleanca për Qytetarin”. Meta vlerësoi fushatën e zotit Basha në Tiranë, duke theksuar se ai do të votohet edhe nga socialistët. “Kemi një kandidat, që është kandidati i ‘Aleancës për Qytetarin’, Lulzim Basha, me projekte shumë të qarta, i cili praktikisht, nga dita e parë, e udhëheq këtë fushatë dhe kemi jo një fushatë tjetër paralele apo krahasuese, por kemi thjesht një antifushatë. Edi Rama po bën fushatë politike sepse është në panik, pasi i mungojnë bilancet e katër viteve të fundit në krye të baskisë”, deklaroi Meta. Mandati i parë, u shpreh kreu i LSI-së, ka qenë një progres, por e theksoj mbështetjen e jashtëzakonshme që ka pasur në atë kohë nga qeveria. “Mandati i dytë ka vazhduar për një lloj inercie, mandati i tretë është një katastrofë, jo thjesht sepse ne kemi këtë pozicion politik, por sepse Tirana është shtuar, problemet janë shtuar. 11 vjet kryetar bashkie nuk ka bërë një studim të përgjithshëm urbanistik”, nënvizoi Meta. Ndërsa është në koalicion me zotin Berisha që prej 2009-s, ndërkohë që aleati i tij me herët ka qenë edhe Edi Rama, kreu i LSI-së, jep këtë vlerësim për bashkëpunimin me ta: “Mund t’ju them fare shkurt: më mirë një ‘jo’ e Berishës se sa një ‘po’ e Ramës. Pra, është shumë më mirë kur Berisha të thotë jo për diçka, se sa kur Rama të thotë po për diçka”. Sakaq, dje kreu i LSI-së shkoi edhe në qytetin e Lushnjës për të prezantuar kandidatin e koalicionit, Albert Sanxhaku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›