Kasta e lartë si "përpunohej" në burg nga Sigurimi
Arkiv Pas gjyqeve politike dhe dënimeve në "emër të popullit", ish-drejtuesit e dënuar nga Hoxha viheshin në përpunim agjenturor nga Sigurimi i Shtetit. Dokumentet e arkivit tregojnë mënyrën se si agjentët përpiqeshin të "blinin" mendjen e "armiqve" të diktaturës së proletariatit. Rastet e Fadil Paçramit, Maqo Çomos, Gjin Markut, Bardhyl Belishovës dhe Andon Shetit Pa u zgjatur në historikun e goditjeve të grupeve armiqësore për sistemin e "Diktaturës së Proletariatit" në vitet 1970 në art -kul turë, ekonomi dhe në Forcat tona të Armatosura; pamvarësisht nga gjyqet partiake, hetuesia dhe gjyqet shtetërore, dënimet dhe burgosjet e protagonistëve kryesorë, duke vlerësuar se ende këta njerëz, edhe të mbyllur në qelitë e burgjeve të sigurisë së lartë përbënin një rrezik potencial për sistemin ekonomikoshoqëror në atë kohë, u vunë në përpunim agjenturor nga ana e Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet bashkëpuntorëve përkatës. Burgjet dhe veçanërisht diskutimet politike e ideologjike mes të burgosurve, kanë qenë vatra e vjeljes së informacionit dhe e thellimit të tij, nëpërmjet bashkëpuntorëve të "Majës së Shpatës të Diktaturës së Proletariatit", siç ishte Sigurimi i Shtetit. Bashkëpuntori i Sigurimit të Shtetit "........", i cili u përzgjodh me profesionalizëm për të përpunuar më thellë në burg jo vetëm Fadil Paçramin, por dhe të tjerë në atë kohë, nuk ishte një i burgosur ordiner dhe dosido. Ai ishte një bashkëpuntor me kulturë të gjerë jo vetëm politike, ideologjike dhe kulturore, por edhe me përvojë të gjatë në fushën e shërbimeve të fshehta dhe vjeljes së informacionit...dhe si i dënuar, vuante dënimin dhe jetonte në burg, bashkë me të burgosurit e tjerë, madje dhe ish- kolegë të tij... Për publikun e gjerë, po zbardhim duke i qëndruar besnik dokumentacionit të dosjes përkatëse, vetëm të "vijës së sjelljes" të dhënë nga organet përkatëse lokale të Sigurimit të Shtetit në drejtim të Fadil Paçramit, Maqo Çomos, Gjin Markut, Bardhyl Belishovës dhe Andon Shetit. Miratohet "Sekret" Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme 10. 10. 1977 ...................... Firma Vijë Sjelljeje Për bashkëpuntorin ".......", në drejtim të objektit të përpunimit Fadil Paçrami Bashkëpuntori ".......", është futur në përpunimin e objektit antiparti Fadil Paçrami, por në të dhënat e tij, vihet re se objekti mban një qëndrim mohues për vijën e tij armiqësore. Me qëllim që të arrihet futja më thellë e bashkëpuntorit në përpunimin e objektit, për të nxjerrë në pah aktivitetin e tij armiqësor në fushën e letërsisë e artit dhe të ideologjisë, mendojmë t'i jepet një vijë sjelljeje, në vazhdim të vijës së dhënë dhe më parë: 1. Mbi veprimet e Fadil Paçramit në sektorin e letërsisë e të arteve. Për të sqaruar këtë, do i thotë: " Nga morën shkak që të goditën ty dhe Todin ( Lubonjën-shën.im ), nga ndonjë veprim jo konform Partisë, si dhe kur filloi kjo punë? A e kuptove para se të jepej goditja në Plenium se diçka po të përgatitej, se ndaj teje nuk ishte më ajo konsideratë që kanë pasur? Po Todi a nuhati një gjë të tillë? Cili qe gabimi juaj tek i cili u kapën dhe morën shkas kritikat dhe që siç e shpjegon dhe e njeh më mirë ti, kjo kontradiktë jo antagoniste u kthye në antagoniste? Për mua një gjë është e qartë dhe e kuptimëshme që ju këto mendime e pikëpamje i keni shkëmbyer dhe me njerëz të tjerë sidomos të sektorit tuaj poshtë, bie fjala me shkrimtarët, artistët dhe rininë, që kanë qënë e s'kanë qënë me pikëpamjet tuaja. Nuk di a të evidentuan ndonjë gjë në këtë çështje, kanë pësuar gjë ata që rrinin shumë e bisedonin me ty rreth këtyre çështjeve e që përkrahnin pikëpamjet e dramat e tua, apo në një formë apo një tjetër edhe ata janë larguar nga këto fiksione. Disa herë më ke folur për shkrimtarë që janë të talentuar, por kanë frikë, druhen dhe i përshtaten situatës. Për se ndodh një gjë e tillë? Mos mungon liria tek këta që të shkruajnë lirshëm dhe mos pikërisht për këtë gjë që ti deshe të bëje, morën shkas e të goditën? Po të jetë kështu, del edhe më e qartë se këto i ke biseduar me njerëz të këtij sektori dhe disave ua ke njohur mirë pikëpamjet, mendimet e dëshirat. Por ama edhe ata kanë njohur të tuat dhe kjo për mendimin tim nuk është një gjë e vogël, sidomos në atë situatë kur në letërsi e në art viheshin re fenomene negative, shfaqje liberalizmi dhe tendenca për t'u shkëputur nga aktualiteti. Kjo lidhet edhe me atë që ti thua që disa shkrimtarë kanë frikë dhe i përshtaten realitetit e rrethanave. Po kujt tjetër duhet t'i përshtaten e të shkëputen nga ky aktualitet? Në këtë çështje, megjithëse për sa i përket letërsisë ke një horizont më të gjerë, unë nuk jam dakord pasi vetë arti i realizmit socialist nuk të mbështetet tjetër veç realitetit socialist, përse do duheshin shkrimtarët të shkruajn e për ç'farë konkretisht? Vetëm po të jetë se ndonjeri do që në veprat e tij të vërë në dukje anë të errëta të këtij realiteti, atëhere të jap të drejtë, se ai jo vetëm do të druhet, por do të ketë frikë të errësojë këtë realitet". 2. Mbi pikëpamjet e Fadil Paçramit për Rininë Për këtë do marrë shkas nga fjala e udhëheqësit të Partisë në Kongresin e 7-të të Rinisë e do i thotë: " Ti Fadil thua që rëndësi ka lufta kundër skorjeve dhe skorje quan sklerozimin e rinisë. Nuk e kuptoj këtë perifrazim tëndin, por aty del qartë se skorjet jemi unë e ti dhe gjithë ata që dalin kundër vijës së Partisë e pengojnë ecjen përpara, ndërtimin dhe brezin e ri. Si e shpjegon ti këtë sklerozim të rinisë, ç'farë kupton me të? Kur t'u dha goditja ty dhe Todit në Plenumin e 4- të, u kritikuat dhe për "ndarjen e brezave e "kontradiktat" që nxirnit për këtë. Njëkohësisht u kritikuan dhe drejtuesit e rinisë për të metat, shfaqjet e liberalizmit e të tjera probleme. U bë në plenum ndonjë lidhje midis veprimtarisë tuaj dhe të metave në punën me rininë? Po në hetuesi a të dolën në një aspekt të tillë? Se, nga sa më ke thënë, ti me Agim Meron ( në atë kohë Sekretar i Parë i KQ të Rinisë,- shën.im ), keni biseduar për problemin e rinisë e keni pasur pikëpamjet tuaja për punën me rininë dhe këto mund të kenë ndikuar në këtë drejtim. Jam kurjoz të di si mendon ti për aktivitetet e rinisë, për kohën e lirë të tyre, për dëfrimet e dhënien pas artit e kulturës. Të pyes për këto duke ditur se fëmijët tanë në këtë kohë ishin të dhënë pas muzikës e artit të huaj dhe për këtë të jap si shembull fëmijët e Todit ( Lubonjës, - shën. im ) të cilët i njihja mirë, të dhënë pas muzikës angleze, pas modës, me flokë të gjata etj. Kështu mund të them dhe për fëmijët e mi, të tu dhe të ndonjë tjetri. Dhe të gjitha këto bëheshin nën hundën tonë dhe me aprovimin në heshtje tonin. Dhe ky edukim që u kemi dhënë fëmijëve tanë është pasqyruar dhe në pikëpamjet tona e tek ty Todi, e ndonjë tjetër edhe në punë. Puntori Operativ ................ Firma Miratohet Sekret Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme Ekz. I vetëm ......................./__// 1978 Firma *** Për bashkëpuntorin "........" në drejtim të Fadil Paçramit Nga ana jonë ndiqet në përpunim si element antiparti Fadil Paçrami i cili vuan dënimin në repartin ... në ... Nga të dhënat që disponojmë në ngarkim të tij del se agjiton dhe propogandon kundër Partisë dhe pushtetit popullor, u kundërvihet masave që ka marrë Partia dhe materialeve të udhëheqësit kryesor. Shprehet se ne tani kemi ngelur vetëm, nuk na ndihmon kush, do të ketë ndryshime etj. Me qëllim që b.p. (bashkëpuntori,-shën. im ) "........" të hyjë më thellë në përpunimin e tij dhe për të zbërthyer dhe nxjerrë mendimet që ai rezervon, do t'i japim këtë vijë sjelljeje: B.P. (bashkëpuntori,-shën.im ), si zakonisht do të bisedojë me të në dhomë. Në bisedë e sipër të thotë që me sa shoh, ti shënimet i nxjerr me përpikmëri, por nuk kuptoj që përse të druhesh nga një veprim i tillë? Bile, të drejtën, më çudit kjo që them se nuk përkon me atë që shkruan. Pastaj thuaj, se për ato që shkruan, përse të duhen; me sa duket ndoshta na njohin më shumë e më mirë nga sa pandehim. Pra, nuk është nga kjo që duhet të ruhemi. Të bëjmë kujdes është e domosdoshme. Po pa biseduar, pa shkëmbyer ndonjë mendim sidomos për probleme që direkt apo indirekt lidhen me neve s'mund të qëndrojnë. Dhe, po the ndryshe, më duket sikur shtiresh, sikur nuk më thua atë që mendon. S'je i çiltër. Në këto biseda të thuash se ti këto gjëra, duhet të na i shpjegosh më mirë e hapur. Se të kemi patur "ideollog" , se "je marrë me këto", se "i kupton" etj. Me një fjalë t'ia bësh qejfin. Pastaj b.p., do të dëgjojë se ç'farë do t'i thotë dhe ç'farë shpjegimesh do t'i japë ai dhe në vartësi me situatën, do të zhvillojë dhe bisedën me të. Vijë Sjelljeje Për b/p " ........ " nëdrejtim të Fadil Paçramit Në vijim të vijës së sjelljes që i kemi dhënë më parë, për të ecur më tej në bisedë, b/p, do të konsumojë edhe këtë vijë sjelljeje me objektin: T'i thotë se ti, ndryshe thua, ndryshe bën. Mirë jashtë mureve të kësaj dhome, por edhe mua, kujton se do të më bindësh, se ato ç'ka shkruan janë ato që mendon me të vërtetë? Në gjykon kështu, gabon sepse për mua, dramat që shkruan ti i bën me qëllim. Minimalja që do të arrish, është që t'i shpëtosh burgut. Pra pa përjashtuar përjashtuar pasionin "forcën krijuese", se "je mburravec, e tani..." etj., të gjitha provojnë të paktën për mua se ky nuk është qëllimi, por mjeti që ke zgjedhur gjoja për të korigjuar veten. Por kushdo e kupton se këtë e bën duke vënë interesin personal mbi atë të përgjithshëm. Kështu sikur don të mbrohesh e të bësh çudi sikur Partia ka bërë një "gabim", që të paska dënuar " një gjeni", pa të cilin Shqipëria, arti e kultura por veçanërisht drama qënkan në hall. Kjo është njëra anë, kurse kryesorja, thelbi, ti ke qenë e me kryeneçësi ngul këmbë e vazhdon të jesh kundër vijës, në shumë çështje. Të paktën këtë mua nuk mund të ma mohosh. Këto biseda dhe ide ai t'ia thotë gradualisht, me takt në mënyrë që kjo të mos bëhet pretekst për të thelluar mbylljen e tij në vetvete, po për të parë se si do të reagojë aty për aty dhe në të ardhmen. Vijë sjelljeje Për b/p. "........ " në drejtim të Fadil Paçramit Në vazhdim të bisedave që ka bërë b.p. sipas detyrave të marra me vijë sjelljeje, mbasi ka konsumuar me objektin, do t'i thotë edhe këto gjëra: Përse druhesh, bile shtiresh sikur problemet politike nuk të interesojnë, kurse në fakt ti s'ke ditë që s' kritikon propogandën, shtypin, radion, euforinë apo "pompën" që i bëhet jetës tonë, kritikës që ju bëjmë të tjerëve. Nëse këto të dhimbsen me gjithë mend, përse nuk ia thua Partisë? A nuk janë këto shprehje kundërshuese të tua të brendëshme, nga një anë hiqesh sikur të vjen keq, se këto, në mos sot, nesër mund të bëhen të rrezikëshme, kurse në thellësi të shpirtit sikur, gëzohesh që gjërat të ecnin në atë rrugë që do të sillnin "një ndryshim" për të cilin shpesh më ke folur, "se kështu s' mund të ecet". Pra të flasim midis nesh më hapur etj. Me këto biseda që do të bëjë b.p., do të mund të arrijmë se çfarë mendimesh ka objekti lidhur me politikën e vendit tonë dhe nëse ai është armik apo jo. Ndonëse deri tani ai e ka treguar veten se është i tillë. Vijë sjelljeje Për b/p " ........ " në drejtim të objekteve Maqo Çomo, Gjin Marku, Bardhyl Belishova etj. Bashkëpuntori "........ ", në të dhënat e tij, ka raportuar se objekti Maqo Çomo, nëpërmjet tij dhe të dënuarit të tjerë antiparti janë interesuar për lëvizje në burg si dhe hyrjet dhe daljet nga burgu, ka treguar interesim për të dënuarit Fehmi Frashëri, Dhimitër Kotefa dhe Avni Aliko. Të mësosh arsyen e këtij interesimi, përse e bën Maqo apo të dënuarit e tjerë antiparti këtë, nëse kanë lidhje me të dënuar të tjerë në krahët, si i realizojnë këto lidhje, mënyrat, format dhe mjetet. Nëse kanë veprimtari armiqësore të përbashkët dhe të organizuar, si e realizojnë këtë, shkallën e shtrirjes së saj. Për këtë, b/p të rrisë shkallën e besimit të objekteve ndaj tij, duke qëndruar korrekt në sjelljen dhe veprimet me ta. Të mos bësh provokime dhe as të mos ua kundërshtosh në mënyrë të prerë mendimet e tyre, por me kujdes dhe me argumente bindëse, t'u thuash të ruhesh të mos dënohesh përsëri se nuk mund të durosh më burgun etj. Të mësosh nëse kanë veprimtari armiqësore të përbashkët me lidhjet e tyre jashtë repartit, me familjet apo të afërmit e tyre, si e realizojnë këtë, format, metodat dhe mjetet që përdorin për realizimin e saj. Cilët nga të dënuarit që vijnë nga reparti 313- Tiranë kontaktohen apo kanë ndërlidhje me të dënuarit antiparti, karakteri i këtyre lidhjeve dhe çfarë komunikojnë konkretisht. Në vëndin e punës ku je, ka mundësi kontakti me të gjithë të dënuarit e burgut. Gjatë kryerjes së detyrës si .......... dhe ...... do të evidentosh lidhjet që kanë të dënuarit nga dhoma në dhomë dhe nga krahu në krah, karakterin e këtyre lidhjeve dhe qëllimin e tyre, çfarë fshihet pas tyre etj. Të na informosh për lidhjet që kanë të dënuarit antiparti njeri me tjetrin, çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan, nëse kanë veprimtari armiqësore të përbashkët, nëse kanë lidhje me të dënuarit antiparti në Repartin e Ballshit dhe të Spaçit, në se kanë lidhje të tyre jashtë, që aktualisht zhvillojnë aktivitet armiqësor të përbashkët. Për këto, të shfrytëzosh biseda direkte me objektet si dhe bisedat me lidhjet e tyre brenda në burg etj. Në të dhënat e mëparëshme ke raportuar se Maqo Çomo është interesuar për të dënuarit Fehmi Frashëri e Dhimitër Kotefa dhe këta të dy të fundit janë interesuar për Maqon e për të dënuar të tjerë antiparti. Të mësosh nëse kanë veprimtari armiqësore të përbashkët mes tyre, si i koordinojnë veprimet, çfarë formash e mjetesh përdorin për këtë qëllim. Me Xhavit Qesen do të bisedosh, se nga kush e pret lirimin, kur nuk e pret nga Kulikovi si këta të tjerët, pse nuk i përfill udhëheqësit e tjerë të Partisë dhe të Shtetit, por vetëm udhëheqësin kryesorë të Partisë etj. Pasazh nga raportimet e bashkëpuntorit " ........" Mbi Andon Shetin ( ish-Drejtor i Zbulimit Ushtarak Shqiptar) dhe Kristo Mërtirin /Transferimi i tyre në burgun e Burrelit/ Në burg hynë kur i pranishëm në fillim ishte Ai në oborr dhe më pas Nuri Stepa. Mbas kontrollit na u kërkua t'i ndihmonim. Kështu bëmë. Në "Mes", mësova që dikush erdhi. Pyetjet dhe ngacmimet e Maqo Çomos me shokë ranë në vesh të shurdhër. Të nesërmen kur ishim në ajrim, te Rahman Parllaku dhoma 7, dëgjoj zërin e Andon Shetit dhe e njoha. Po atë mëngjez, si nderi në tel, si ky dhe të tjerët, panë të shkruar emrin në çarçafë, peshqirë etj. Kështu tani e di pothuaj tërë burgu. Si me njërin dhe me tjetrin, ai kreu veprimet që i takojnë furnizimit. Veç përshtypjes, s'pati kohë e rast të bisedonim, vetëm në datën 13, kur Ai preu kuponin për një kafe. Andoni tha: "Unë i bëra telegram. Kur ta marrin, do të bjerë tavani si një mandat i ri tepër i rëndë. Se të vesh nga kampi (Ballshi,-shën.im) në Burrel, të gjithë e dinë si një mandat. Kaq tha. VENDIM MBI ARKIVIMIN E DOSJES SË PUNËS TË BASHKËPUNTORIT " ........" Unë Puntori Operativ ..... ...., efektiv i Degës së Punëve të Brendëshme ..., pasi studjova materialet e dosjes së punës të b.p. me pseudonimin "........", i cili kohët e fundit është liruar nga burgu; GJETA : Se b.p. gjatë kohës në burgun e ........, ka dhënë të dhëna me vlerë operative për 43 persona, nga këta 26 persona të dënuar antiparti dhe 17 të tjerë të dënuar për krime të ndryshme kundër shtetit. Dosja e tij e punës, ka dhe një nëndosje. Dosja e parë ka 621 fletë, ndërsa dosja e dytë ka 114 fletë. Të dhënat e këtyre dosjeve nuk janë shfrytëzuar plotësisht, sepse personat që implikohen në këto të dhëna nuk janë dënuar për këto. Gjithashtu këto të dhëna kanë edhe vlerë për ruajtje e ristudim në të ardhmen. Bazuar sa sipër, si dhe në rregulloren e evidencës agjenturoro - operative Nr. 0132 datë 20. 10. 1977, VENDOSA : Që dosjen e parë të b/p " ........", ta arkivoj pranë kartotekës së Degës së Punëve të Brendëshme ..........., për 20 vjet kohë. Puntori Operativ Shef i Seksjonit të Sigurimit Detyrat udhëheqëse: Sekretar i Komitetit të Partisë -deputet i Kuvendit Popullor -ministër për kulturë Disa nga dramat e botuara: "Në tufan" (që është dhe drama e parë), "Shtëpia në Bulevard" "Rrugëve të pashkelura", "Ngjarje në fabrikë", "E bardha dhe e zeza", "20 ditët", "Viti 61", "Nuk kam mall për vjetërsira", "Çështja e inxhinier Saimirit"… Në dorëshkrim la, siç thot djali i tij , 56 drama. Studime: "Panoramë për Shekspirin" - "Pasqyrë për Eskilin" Shpërblimet: "Medaljen për Merita të Veçanta Civile"-13 Korrik 2007 Biografia Fadil Paçrami (1922-2008) Fadil Paçrami lindi në Shkodër më 27 maj te vitit 1922 dhe vdiq me 15 janar 2008 në Tiranë. Për biografinë e tij dihet pak, por dihet se Pas Luftës së Dytë Botërore ishte udhëheqës i lartë në Shqipëri. Shkrimeve nuk iu nda as kur ishte në kolltuqet udhëheqëse, as kur qëndronte në birucat e ftofta të burgjeve, por as pas lirimit. Me burg në kohëzgjatje prej 25 vjetësh u dënua në Plenumin e 4-të në vitin 1973. U lirua në vitin 1991, pra me ndryshimin e regjimeve. Pas lirimit nga burgu, nuk u mor me politikë, por me shkrime.