Krasniqi kundër marrëveshjes

(E plotësuar) Dialogun dhe marrëveshjen e ka kundërshtuar ashpër edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi.
“Këto bisedime janë zhvilluar në mjegull dhe nuk mund të prodhonin diçka tjetër përpos mjegullës. Më shumë jemi informuar prej korrespodentëve tanë në Bruksel sa prej zyrtarëve. Kur të legalizohet ka mundësi të shoshim ku fle djalli por atëherë do të jetë vonë. Marrëveshja nuk është ndërshtetërore por për çështjet e brendshme të Kosovës, kjo është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe me dokumentin themelor të shtetit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka kritikuar pothuajse secilën pikë të marrëveshjes.
---
“Kryeministri Thaçi po e shet Kosovën. Ne tani jemi në një fazë ku qëllimet duhet të jenë më ambicioze. Është realitet i krijuar me sakrifica të mëdha. Qëllimi duhet të jetë funksionaliteti i shtetit gjë që nuk ka ndodhur. Kryeministri Thaçi mund të jetë në presion të madh që të pranojë këtë marrëveshje por kjo nuk është arsye që ta pranojë. Iu bëj thirrje deputetëve që ta kundërshtojnë këtë marrëveshje. Ndërkaq, Kryeministrit Thaçi i bëj thirrje që të heqë dorë prej kësaj marrëveshje, nesë dorëhiqet mund t’i duket humbje personale por do të jetë fitore e madhe”, ka thënë Agim Kuleta në emër të Lëvizjes për Bashkim.
Ai ka përmendur edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës që janë të diskriminuar atje.
---
Ndërkaq në emër të grupit parlamentar të Aleancës Kosova e Re, megjithëse nuk është deputet ka folur zv/kryeministri bengjet Pacolli. Ai ka bërë thirrje për ratifikim të marrëveshjes megjithëse marrëveshja nuk është thirrur për votim por vetëm pë pëlqim.
“Mbetem besnik në bindjet e mia që kurrsesi Kosova nuk ka mundur ta shtrijë sovranitetin në një formë tjetër përpos dialogut dhe kështu doli. Ka ardhur dita kur ky dialog duhet të fillojë. Ky dialog nuk është definitiv por dita e firmosjes së kësaj marrëveshjeje do të jetë dita më e rëndësishme historike”, ka thënë Pacolli duke shtuar se zgjidhja është te zhvillimi ekonomik. Ai ka shtuar “Zoti të bekoftë zonja Ashton”.
---
“Me marrëveshjen në fjalë krijohen mundësi për integrimin e veriut të Kosovës pa e dëmtuar legalitetin e Kosovës. Në rast të kësaj domosdoshmëria e saj është virtyti i saj. Dihet që së shpejti duhet të përgatitet plani për zbatimin e marrëveshjes. Fati i kësaj marrëveshjeje është zbatimi i saj i plotë”, ka thënë Blerim Shala në emër të grupit parlamentar të AAK-së.
---
Në emër të grupit parlamentar të VV-së ka folur Albin Kurti që ka thënë se Kosova ndodhet në pikën e saj më të ulët. “Qëllimi i saj është i qartë, që Serbia ta dijë në mëngjes qëndrimin e Kosovës dhe të mos rrinë në ankth. E ka pranuar takimin pa e raportuar për takimin e tetë dhe të nëntë”
Ai ka thënë se u bë bosnjëzimi i Kosovës. Sipas tij, përmbajtja e kësaj marrëveshjeje nuk është vullneti i popullit.
"Kushti legal dhe juridik njohja e Kosovës. Kushti moral të kërkojë falje dhe t’i kthejë trupat e të pagjeturve, të ndalë shtypjen dhe diskriminimin e shqiptarëve në Luginë të Preshëvës, zhdëmtimi, depozitat bankare", ka thënë Kurti duke përmendur ksuhtet që duhej t'i vendoseshin Serbisë.
Kurti ka bërë një komentim të secilës pikë të kësaj marrëveshjeje duke pohuar se asnjë pikë nuk është e dobishme për Kosovën. Sipas tij, pikat lënë edhe hapësirë për interpretim e aty fiton kush është më i fortë.
Amnisti për strukturat kriminale dhe legalizim të tyre.
Do të jetë një tjetër komandant rajonal
---
Kurse në emër të partisë së parë opozitare Ismet Beqiri ka thënë LDK përkundër vërejtjeve që ka në disa pika, parimisht do ta përkrahë këtë marrëveshje. LDK konsideron se ka ardhur koha për paqen e qëndrueshme. Ai tha se e përkrahin marrëveshjen për hir të bashkësisë ndërkombëtare.
---
Në emër të grupit parlamentar të PDK-së Arsim Bajrami ka thënë se nuk është fillimi por është fundi i pengesave të vendeve. “Ne vlerësojmë se përmes kësaj marrëveshjeje e cila nuk është perfekte do të ruhet interesat kombëtare. Ky asociaocion i Komunave nuk është një entitet kushtetues”, ka thënë Bajrami.
----
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në seancën e jashtëzakonshme për raportimin për dialogun Kosovë- Serbi në procesin që është quajtur normalizimi i marrëdhënieve ka thënë se e kemi Serbia ka kërkuar të përdoret termi bashkësi kurse pas diskutimeve është vendosur që të përdoren të dyja termet bashkësi dhe asociacion.
“Pardje Republika e Kosovës vendosi çimentoi të ardhmen e saj në familjen europiane edhe pse nuk është marrëveshja ideale që do të dëshironim të gjithë ne, është marrëveshja më e mirë që do të arrinim”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, ka qenë një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë. Ai ka përmendur negociatat e mëhershme. “Njësoj si na ka ndodhur në proceset e mëhershme në Ramubuje dhe në Vjenë i kemi pasur në mendje humbjet dhe sakrificat tona, dëshmorët, familjet e tyre, të rënët, veteranët, pensionistët, minatorët. Mbi të gjitha kisha në mendje fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre”.
Sipas tij, gjithçka është kushtetuese në këtë marrëveshje. “Marrëveshja në asnjë pikë, në asnjë moment nuk e cenon kushtetutshmërinë tonë. Marrëveshja ideale do të përfshinte edhe shkëmbimin e notave verbale për njohjen reciproke.
Kjo marrëveshje është marrëveshje për të ardhmen. Kushtetuta dhe ligjet tona do të funksionojnë në tërë territorin tonë. Serbia e ka njohur këtë fat dhe e ka nënshkruar”
Ky proces nuk është i mbyllur ka thënë Thaçi. “Ky proces do të quhet i mbyllur vetëm kur të dyja vendet të vendosin marrëdhënie diplomatike”, ka thënë ai./Indeksonline/