E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastriot Islami: Me mendësinë e përçarjes dhe përndjekje në PS, e majta do i humbë edhe zgjedhjet e 2013-s

10-06-2011 / Gazeta 55

Deputeti socialist thotë se shumë deputetë tashmë kanë reflektuar se duhet ndërprerë bojkoti, por ky arsyetim s’i intereson lidershipit humbës të së majtës

Deputeti socialist dhe njëherazi Sekretari për Çështjet ligjore në Partinë Socialiste Kastriot Islami deklaron se të majtën politike do e shoqërojë humbja porsa kohë do drejtohet nga fryma diversive e Edi Ramës si dhe përndjekja e mendimit ndryshe e opinionit alternativ. Islami thotë se nuk është vetëm ai dhe Andis Harasani të distancuarit e parë nga aksioni për bojkotin e Kuvendit, por ka dhe shumë përfaqësuesit të mendimit konstruktiv në Partinë Socialiste, të cilët kanë reflektuar pas vendimit fillestar të grupit parlamentar socialist. “Në Partinë Socialiste pothuajse të gjithë kërkojnë reflektim. Thyerja e bojkotit është simbolik, pikërisht për t’i treguar faktorit ndërkombëtar që ka në Shqipëri politikanë që mendojnë në mënyrë Evropiane. Unë jam munduar të ruaj zjarrin e një Mendimi Ndryshe në PS që është në rezonancë me atë të faktorit ndërkombëtarë. Shumë njerëz me eksperiencë dhe jo vetëm, kanë filluar të reflektojë që veprimet e PS në këtë linjë që është aplikuar, nuk e sjell PS-në në sukses dhe fitore dhe për më tepër shumica ka reflektuar që, një bashki nuk mund të sjellë fitoren e Partisë Socialiste. Unë jam i lumtur që kundër bojkotit është shprehur dhe deputeti Braçe dhe jam dakord me të kur thotë se, kjo s’mund të ketë efekt mbi laraskat, por PS duhet të jetë në Parlament”, thotë Islami.
Deputeti socialist, kur deklaron se PS nuk ka fituar asnjë betejë elektorale me Edi Ramën, akuzon këtë të fundit se ka përçarë të majtën si dhe ka qenë i paaftë në unifikimin e grupit. “Çështja që shtrohet është se, ka 3 herë që z.Rama nuk arrin të bashkojë të majtën. Kam përshtypjen se përgjegjësi kryesor për mos arritjen e këtij bashkimi është vetë Edi Rama. Për mua është shumë e rëndësishme qasja dhe gjetja e një zgjidhje. Unë do t’i jepja një mesazh Edi Ramës: Në këto 20 vjet unë nuk mund të rri pa shprehur mendimin, aq më tepër kur ky mendim është në funksion se si PS të vijë në pushtet, apo e majtë të vijë në pushtet. Dikush më tha se, ne jemi në një gjumë të rehatshëm, është më i mirë ilaçi që na ka dhënë Edi Rama, duke na mbajtur jashtë parlamentit. Por jo, unë nuk mund të rri në hije dhe të mos shpreh qëndrimin tim personal, aq më tepër siç e thash, në funksion të fitores së zgjedhjeve nga Partia Socialiste dhe e majta e vendit”, u shpreh deputeti Kastriot Islami.
Duke iu rikthyer zgjedhjeve vendore të 8 majit, Islami thotë se rikandidimi i Edi Ramës për bashkinë ishte një tjetër gabim, pasi bashkia dhe partia nuk mund të drejtoheshin në unision me njëra-tjetrën për shkak të specifikave. Ai kujton se analiza e tij para zgjedhore për humbjen e PS-së në Tiranë nuk ishte sajesë kundër Partisë Socialiste, por do t’i shërbente kësaj force politike për të ndryshuar. “Unë shtroj pyetjen, qëndrim që e kam shprehur edhe në analizat e mia se, një kandidat tjetër me një të majtë të bashkuar do të sillte suksesin e Partisë Socialiste në Tiranë. Edi Rama gjithmonë e ka drejtuar PS-në përmes Bashkisë. Të qenurit në bashki i ka dhënë mundësi  Edi Ramës që të administrojë PS-në përmes bonuseve të njohura tashmë”, thotë Islami.
Duke e konsideruar Lëvizjen Socialiste për Integrim si një parti që vendos diferencën elektorale, deputeti socialist thotë se e majta e përçarë nën Edi Ramën do humbë çdo garë elektorale të ardhshme. Ai thotë se parlamentaret e 2013-ës do jetë disfata e radhës për këtë të majtë që gëzojmë aktualisht. “Nëse kjo analizë nuk do të shqyrtohet, nëse PS atëherë Partia Socialiste do humbë edhe zgjedhjet parlamentare të 2013-ës”, jep paralajmërimin e tij, deputeti socialist Kastriot Islami. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›