E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastriot Islami: PS s’vjen në pushtet në vitin 2013

23-12-2012 / Gazeta 55

Flet ish Sekretari i PS-së për Çështjet Zgjedhore
 
“Në PS do ketë largime të tjera”
 
Ish-Sekretari i PS-së për Çështjet Zgjedhore, Kastriot Islami u shpreh dje gjatë një deklarate për mediat, se kryesocialisti Edi Rama është duke përdorur partinë vetëm për karrigen e tij. Në analizën e tij, ish-deputeti i PS-së shprehet se me Edi Ramën, socialistët nuk mund të vijnë në pushtet as në vitin 2013. Kjo se, sipas tij, të metat e opozitës së sotme nisin që me programin.
“Elementi kryesor është programi, i cili është ende në diskutim dhe ka inkoherencat e tij. Ekipi i Partisë Socialiste është i gjithi në një situatë pasigurie. Janë një situatë që nuk e dinë nëse janë apo jo në listat elektorale dhe për rrjedhojë janë të demotivuar”, thotë ai. Islami shton se një tjetër faktor i rëndësishëm është dhe koalicioni.
Sipas tij, Rama nuk ka një formulë për bashkimin me të majtën.
“E rëndësishme për ndërtimin e këtij ekipi qeverisës është një formulë për aleatët. Nuk ka një bashkim të së majtës dhe këtu kam parasysh bashkimin me LSI-në. Pra e gjithë fushata e ardhshme do të jetë një aritmetikë numrash dhe shanset për fitore janë pothuajse zero”, shprehet ai.
Islami shton se mbi këtë analizë rezulton se; “Partia Socialiste do të mbetet prapë në opozitë në vitin 2013”.
Ai ndalet dhe në frymën që ka sjellë Rama në krye të partisë duke futur në radhët e saj ish aktivistë të Lëvizjes Mjaft dhe klientë që ndihmuan të merrte drejtimin e partisë.
“Rama në fushatën e 2005, bashkë me Lëvizjen Mjaft kanë punuar intensivisht për të realizuar humbjen e PS, gjë që do t’i jepte më pas mundësinë për të ardhur në krye të PS-së. Në vitin 2007, për shkak se donte të qëndronte në krye të Bashkisë së Tiranës realizoj një koalicion me LSI-në, i cili funksionoi vetëm në Bashkinë e Tiranës. Në zgjedhjet e 209 humbi sepse nuk kishte një lider në krye të saj dhe sajoi alibinë e manipulimeve, e njëjta histori me sajesa manipulimesh ishte dhe në 2011. Ndërkohë që në 2009 tha që më vodhën në fshat 100 mijë vota, tani pretendoi se ju vodhën vetëm në Tiranë”, shprehet Islami. Ish-Sekretari për Çështjet Zgjedhore u përjashtua vetëm një vit më parë nga PS-ja, Sipas tij kjo është një strategji e Ramës për largimin dhe margjinalizimin e figurave me kontribute në parti dhe zëvendësimin e tyre me djemtë e Lëvizjes Mjaft dhe me klientët që e kanë ndihmuar të marrë drejtimin e Partisë Socialiste. Sipas tij, këto janë arsye të mjaftueshme për të besuar se do të ketë largime të tjera nga Partia Socialiste. “Z. Rama e thotë shpesh herë dhe me mburrje që kjo nuk është partia që kem gjetur unë, por po ndërtojë një parti të re. Po ta shohim me vëmendje kjo parti e re është e ndërtuar mbi bazën e një klientele. Themeli i saj është Lëvizja Mjaft, e cila në zgjedhjet e ardhshme do të përbëjë një pjesë të konsiderueshme të listës elektorale të Partisë Socialiste”, shprehet ish-deputeti socialist Kastriot Islami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›