“Transfertat e parave”, Berisha i përgjigjet opozitës: “Të shpifësh çdo ditë për Shqipërinë, pasioni dhe profesioni i neobllokmenëve”

Kryeministri: “Shqipëria, më mirë se 103 vende të tjera”
Shqipëria renditet vendi i 106 për shumën e parave që fshihen nga llogaritë zyrtare dhe që nuk u dihet origjina, duke lënë pas 103 vende të tjera. Këto të dhëna janë publikuar në raportin e organizatës Global Financial Integrity. Të parët që reaguan ishin socialistët, duke akuzuar qeverinë se kanë nxjerrë jashtë Shqipërisë në mënyrë të paligjshme në 5 vite, 1.3 miliard dollarë. Një ditë më pas reagoi ministri i Financave, Ridvan Bode duke i cilësuar deklaratat e Partisë Socialiste të paargumentuara që bëhen me qëllim që të përbaltin vendin. Kryeministri Berisha e ka ndarë me miqtë e tij në rrjetin social Facebook reagimin ndaj deklaratave të partisë socialiste. Ai ka akuzuar kryesocialistin Rama se ka mashtruar shqiptarët duke keqpërdorur dhe keqinterpretuar me qellim nxirjen e imazhit të vendit, lidhur me raportin e organizatës Global Financial Integrity. “Në këtë raport, ndryshe nga ç’e nxinte zoti Rama, Shqipëria renditej më mirë se 103 vende të tjera të planetit, shkruan kryeministri Berisha. Rikujtojmë këtu, thotë ai, se në raportin e saj për Shqipërinë të vitit 2004 gjatë qeverisjes socialiste, Banka Botërore shkruante se çdo vit në Shqipëri 1,4 miliardë dollarë, para të taksapagueseve shqiptare, përfundonin në xhepat apo llogaritë e zyrtarëve dhe kontrabandistëve të vendit. Pra mbi 10 herë më shumë se në vitin 2011”.
Reagimi i kryeministrit Sali Berisha
“Të shpifësh çdo ditë për Shqipërinë, pasioni dhe profesioni i neobllokmenëve. Dje zoti Rama mashtroi shqiptaret duke keqpërdorur dhe keqinterpretuar me qellim nxirjen e imazhit te vendit, raportin e organizatës Global Financial Integrity. Në këtë raport, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, bëhet vlerësimi në 143 vende të botës i shumave të parave që fshihen nga llogaritë zyrtare dhe që nuk iu dihet origjina. Në këtë raport, ndryshe nga ç’e nxinte zoti Rama, Shqipëria renditej më mirë se 103 vende të tjera të planetit. Vendi ynë, sipas raportit, paraqitej më mirë se të gjitha vendet e rajonit. Kështu, shuma e parave të fshehura dhe me origjinë të paqartë në një vit në Shqipëri ishte 136 milionë dollarë, kurse në vendet e tjera të rajonit kjo shumë ishte 3 deri në 36 herë më e madhe se në Shqipëri. Rikujtojmë këtu se në raportin e saj për Shqipërinë të vitit 2004 gjatë qeverisjes socialiste, Banka Botërore shkruante se çdo vit në Shqipëri 1,4 miliardë dollarë, para të taksapaguesve shqiptarë, përfundonin në xhepat apo llogaritë e zyrtarëve dhe kontrabandistëve të vendit. Pra mbi 10 herë më shumë se në vitin 2011. Pikërisht lufta ndaj këtij fenomeni ka bërë të mundur që në 7 vite qeveria e koalicionit të kryesuar nga Partia Demokratike të mbledhë 9 miliardë dollarë më shumë se qeveria socialiste në 8 vite”.
...