E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastriot Islami në krahun e majtë të Berishës

18/01/2012  Deputeti i përjashtuar nga PS-ja u shfaq dje në krah të kreut të mazhorancës

Gjatë ceremonisë për çeljen e festimeve të Kuvendit në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, në seancën e djeshme speciale ra në sy shfaqja e Kastriot Islamit në krah të kryeministrit Berisha. Kreu i mazhorancës kishte zgjedhur të kishte në krahun e tij të majtë deputetin e shkarkuar nga Partia Socialiste pak javë më parë, i cili votoi kundër PS-së në seancën e së hënës, ku u miratua kalendari trejavor i punimeve të Kuvendit. Por shfaqja e djeshme vijoi më tej, ku pas mbarimit të fjalimit përshëndetës Berisha zgjodhi sërish Islamin për të shtrënguar duart. Më 20 dhjetor të vitit të kaluar grupi i socialist vendosi përjashtimin e ish-sekretarit për çështjet zgjedhore nga radhët e tij, duke e lënë ish-përfaqësuesin e Lëvizjes për Mendim Ndryshe si deputet të lirë në Kuvend. Largimin e tij Islami e vlerësoi si hakmarrje personale të kreut të PS-së, që sipas tij veproi në mënyrë staliniste. Ndërsa procedurën e ndjekur nga kryesia ai e cilësoi të ngjashme me procedurën e ndjekur nga partia mëmë 30 vjet më parë në përjashtimin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Tri ditë më vonë Partia Socialiste kërkoi gjithashtu largimin e Kastriot Islamit edhe nga delegacionet parlamentare ku përfaqësohet nën siglën e selisë rozë. Por kjo kërkesë nuk gjeti mbështetjen e mazhorancës, e cila rikonfirmoi Islamin në përbërje të delegacionit të kësaj strukture. Kastriot Islami është raporter për Gjeorgjinë në Këshillin e Europës.

Mungesa e ftesës për Topin

I vetmi që mungoi në hapjen e festimeve nga Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë ishte Presidenti i Republikës. Të kontaktuar me telefon nga “Metropol”, burime nga Kuvendi mohuan faktin se kjo ishte pjesë e konfliktit institucional, duke u shprehur se në celebrimet e djeshme nuk mungonte vetëm Presidenti Topi. “Jo vetëm Presidenti Topi, por Kuvendi nuk ka ftuar as presidenten e Kosovës Jahjaga. Pasi veprimtaria ishte konceptuar në nivel parlamentarësh.”

Sali Berisha

Në fjalën e tij në seancën speciale për çeljen e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë Kryeministri Berisha tha se kontribut të madh për konsolidimin e shtetit shqiptar dha Ahmet Zogu. “Do të kujtoj emra të çmuar, që kontribuan për pavarësinë: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Ahmet Zogu. Përpjekje për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe që dha një kontribut të veçantë ishte mbreti i parë i shqiptarëve - Ahmet Zogu.”

Jakup Krasniqi

Kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi se Shqipëria, pavarësisht se nga kush qeveriset, është dhe do të mbetet shtet i shqiptarëve, kudo ndodhen ata. “Mund të ndërrohen formacione të administrimit, por Shqipëria, shteti i shqiptarëve, të gjallë e të shuar, do të jetojë për jetë të jetëve. Në këtë përvjetor jubilar nuk dua të fsheh ndjenjën e krenarisë, kënaqësinë, e kundërta do të më shpërfytyronte. Shqipëria do jetë në jetë të jetëve e lirë dhe e pavarur”, – tha Krasniqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›