E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hillari Klinton-Barak Obama, sërish në barazim

Barak Obama ka shënuar një fitore të pastër në zgjedhjet paraprake të demokratëve në Karolinën e Veriut, ndërsa Hillari Klinton me zor fitoi në parapraket e Indianas. Obama mori 56 për qind të votave në Karolinën e Veriut, ndërsa Klinton, 51 për qind të votave në Indiana. Votimi në të dyja këto shtete ishte i fundit çmim i madh në garën demokrate, që finalizohet me përcaktimin e kandidatit që do të prezantojë partinë në garën e vërtetë për Shtëpinë e Bardhë. Asnjë nga kandidatët nuk ka mundur deri më tani të "mbërthejë" nominimin, por analistët thonë se avantazhi i Obamës duket tashmë i pakthyeshëm. Obama kryeson në garë për sa u takon numrit të delegatëve që do të zgjedhin të nominuarin presidencial. Sipas "Associated Press", ai ka siguruar deri më tani 1840 delegatë kundrejt 1684 delegatëve të rivales së tij. Duke folur në një miting në Karolinën e Veriut, Obama tha: "Sonte ne na mungojnë vetëm 200 delegatë për të siguruar nominimin demokrat për President të Shteteve të Bashkuara. Analistët vënë re se fitorja e Obamës ishte thelbësore pas një fushate të vështirë të kohëve të fundit. Ai është rrethuar nga polemikat në lidhje me një koment të tij, ku theksonte se banorët e qyteteve të vogla ishin më "të hidhur", ndërkohë që u vendos në siklet edhe për shkak të predikimeve të pastorit të tij, Xheremia Rajt, që u konsideruan si raciste. Në anën tjetër, fitorja në Indiana konsiderohej thelbësore për Hillari Klintonin dhe për qëndrimin e saj në garë. Në një takim elektoral, në kryeqytetin e Indianas, Indianapolis, ajo tha para mbështetësve se ishte futur tashmë në rrugën e pakthyeshme drejt Shtëpisë së Bardhë. Por, pavarësisht fjalëve të saj sfiduese, edhe vetë Klinton e di se ka humbur shumë terren dhe gjendet në një pozitë të vështirë. Rivalët po përpiqen të "joshin" zgjedhësit që po vuajnë tashmë nën një ekonomi të dobët dhe kanë kaluar ditët e fundit duke polemizuar mbi propozimin e Hillari Klintonit për heqjen e taksës federale për naftën gjatë verës. Ndërkohë, kanë mbetur edhe vetëm gjashtë raunde të tjerash zgjedhjesh paraprake: në Virxhinian Perëndimore, Oregon, Kentaki, Puerto Riko, Montana dhe Dakotën e Jugut. Për vetë faktin se gara është shumë intensive, rreth 800 superdelegatët, anëtarë të lartë të partisë, duket se do të thonë fjalën e fundit dhe do të vendosin gjithçka në konventën e demokratëve në gusht. Shumë superdelegatë thonë se ata do të votojnë për kandidatin që ka shënuar edhe fitore në shtetin prej nga ku ata vijnë. Ndërkohë, në kampin tjetër, atë republikan, gjithçka ka përfunduar. Xhon MekKejn qëndron në pritje të garës finale, asaj të nëntorit dhe thotë me bindje se ai do të zëvendësojë Xhorxh Bushin në Shtëpinë e Bardhë. Pavarësisht nga kjo, edhe republikanët zhvilluan zgjedhjet e tyre paraprake në Indiana dhe Karolinën e Veriut, por votat ishin krejtësisht simbolike, për shkak se MekKejn e ka siguruar tashmë nominimin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›