Kastrioti fiton ndeshjen e kontrollit me Kamzën
Krutanët kanë fituar 2-1 në transfertë dhe me këtë tripikësh renditen të dytët në grup dhe janë pranë gjysmëfinales së kupës
Kamza Kastrioti 1-2
Shënues: Karapici 43 / Cetkoviç 20, Agolli 56
Kamza: Selaci, F. Tafaj, Likmeta, Hallaçi, E. Tafaj, Mici (Biba 55), Capa (Malindi 61), Pema (Kënga 47), Manuka, Tepshi, Karapici. Trajner: M. De Vekis
Kartonë të verdhë: F. Tafaj, Manuka
Kastrioti: Halili, Caca, Malakarne, Ognjanoviç, Hoxha, Dragoi, Agolli, Sefa (Sekseni 53), Muçollari (Grishi 89), Cetkoviç, Inkango. Trajner: R. Ndreu
Gjyqtarë: E. Sino, I. Tartari (Fier), F. Lamçe (Patos)
Radiografia
13- Inkango kombinon me Cetkoviçin, i cili gjuan, por grushton portieri Selaci.
18- Kapiteni Fatjon Tafaj lëshon një top të gjatë për Pemën, që fillimisht e kontrollon bukur, kalon mbrojtësin Hoxhan, gjuan, pret Halili.
20 – Krutanët nisin një sulm drejt portës së Kamzës dhe topi i nisur nga mesfusha përfundon te Cetkoviç, që në kufijtë e zonës shmang një mbrojtës, hyn në zonë, gjuan dhe shënon. 0-1 për Kastriotin.
24- Goditje dënimi për Kamzën. Karapici kombinon shkurt për Capën, që e godet fort topin, por jashtë kuadratit të mbrojtur nga Halili.
29- Artan Karapici mundohet të befasojë portierin krutan me një gjuajtje nga distanca, por Halili është i vëmendshëm dhe e grushton topin.
30- Goditje këndi për kamzalinjtë. Karapici vertikalizon te Capa, që përballë portës nga një distancë 20 metra gjuan bukur, por topi përfundon jashtë.
43- Kamzalinjtë nisin një sulm nga e majta. Mici pason për Manukën, që afër fundores kthen një top prapa te Hallaçi, i cili lëshon një kros në zonë. Karapici godet me kokë dhe shënon. 1-1.
53- Inkango lëshon një top në zonë për Cetkoviçin, por mbrojtësi Likmeta është më i shpejtë dhe e largon topin nga nga zona.
54- Cetkoviç në zonën e Kamzës kombinon me Inkangon, që nga një distancë 10 metra nga porta, gjuan dhe grushton portieri Selaci.
56- Dragoi nga e majta e sulmit lëshon një top në zonë për Inkangon, që gjuan, topi i grushtuar nga Selaci përfundon te Agolli dhe mesfushori krutan nuk e ka të vështirë të shënojë. 1-2 për Kastriotin.
60- Kapiteni i kamzalinjve Fatjon Tafaj lëshon një top të gjatë për Tepshin. Sulmuesi fillimisht e kotrollon mirë topin, shmang një mbrojtës, hedh një top parabël mbi portierin Halili, që kishte dalë, por topi përfundon jashtë.
81- Malindi provon me një gjuajtje nga distanca, që përfundon jashtë.
Komenti
Takimi KamzaKastrioti, që ishte i vlefshëm për serinë e pestë në grupin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, do të mbahet mend vetëm për rezultatin, 1-2 në favor të krutanëve, pasi loja ishte e një niveli të dobët, që nuk i shkon përshtat as një ndeshje kontrolli. Kamza dhe Kastrioti së bashku me Tiranën dhe Bylisin bëjnë pjesë në Grupin A dhe katër ndeshjet e para të grupit çerekfinal bënin që miqtë nga Kruja të ishin më të interesuar për sfidën e djeshme të luajtur në Kamzë.
Nëse për pjesën e parë mund të themi se u zhvillua një lojë e mirë, pasi të dy ekipet patën raste shënimi, pjesa e dytë ishte një përgjumje e thellë, ku edhe ndeshjet që luhen për qejf kanë më shumë grintë. Të dy trajnerët kishin rezervuar në këtë takim, pasi në fushë nuk zbritën formacionet më të mira, që i kemi parë shpesh në kampionat. Duhet thënë se duke qenë një ndeshje pa interes për kamzalinjtë, trajneri Mauro De Vekis e kishte përdorur më shumë rotacionin në ekip.
Që pas mbylljes së serisë së tretë të ndeshjeve në grup, me atë humbje 2-1 në derbi me bardheblutë, Kamza e shpalosi se nuk e ka më qëllimin e dikurshëm për kupën. Kështu që vëmendja kryesore zhvendoset në kampionat, për vetë pozitat jo të favorshme. Duke ditur se blutë janë para një transferte të vështirë në fundjavë, ku do të jenë mysafirë në Fier, për javën e 17-të kampionatit, trajneri De Vekis e nisi takimin me Kastriotin me disa ndryshime. Bytyçi në portë ia kishte lënë vendin të riut Selaci, gjithashtu edhe në mbrojtje u rezervuan Ardit Beqiri dhe Gjoko Cvetanovski. Në mesfushë mungonin Ishka dhe Belçev, ndërsa në sulm mungonte Malindi.
Pjesa e parë Takimi nisi i qetë, ku skuadrat mundohen të fitojnë betejën në mesfushë, pastaj të mendojë për sulmet. Inkursioni i parë në drejtim të portave vjen në minutën e 13-të, kur Cetkoviç provon gatishmërinë e portierit Selaci. Kamzalinjtë kujtohen vetëm në minutën e 18-të që të shkojnë në drejtim të portës së Kastriotit, por edhe në këtë rast triumfon portieri Halili.
Në minutën e 20-të krutanët e arrijnë misionin e tyre, duke shënuar me malazezin Cetkoviç, i cili e konkretizon si duhet pasimin e marrë nga Inkango. Pas golit të Kastriotit janë kamzalinjtë ata që e rrisin forcën dhe mendojën më shumë për të të ngacmuar portën kundërshtare. Në minutën e 43-të kamzalinjtë nisin një sulm nga e majta.
Mici pason për Manukën, që afër fundores kthen një top prapa te Hallaçi, i cili lëshon një kros në zonë. Karapici e godet me kokë topin dhe shënon, 1-1. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë, e cila duhet thënë se nisi më mirë për miqtë, por janë vendasit ata që mbyllin në mënyrën e duhur.
Pjesa e dytë Të dy skuadrat e nisën edhe këtë pjesë me lojtarët, që u aktivizuan në 45 minutat e para. Por pas dy minutash lojë te Kamza nisin ndryshimet, ku Pema i lë vendin Këngës, në të 55-ën Mici zëvendësohet nga Biba. Rezultati i pjesës së parë nuk i favorizonte krutanët, kështu që janë miqtë ata që janë më kërkues që në minutat e para. Pas minutës së 53-të kemi një shpeshtim të sulmeve të Kastriotit, që provojnë në tre raste me Inkangon dhe Cetkoviç.
Por në minutën e 56-të miqtë marrin frymë, pasi shënojnë golin e dytë. Dragoi nga e majta e sulmit lëshon një top në zonë për Inkangon, që gjuan, topi i grushtuar nga Selaci përfundon te Agolli dhe mesfushori krutan nuk e ka të vështirë të shënojë, 1-2 për Kastriotin. Pas kësaj minute në fushën e stadiumit të Kamzës nuk bëhej fjalë të shikohej një ndeshje e mirëfilltë futbolli.
Të dy skuadrat duket se ishin të kënaqura me këtë rezultat dhe 30 minutat e fundit nuk pati asnjë rast për tu shënuar. Kjo gjysmëore loje krijoi një koreografi të çuditëshme, pasi 20 futbollistë ishin të përqendruar në një zonë me diametër 40 metra. Në këto 30 minuta më shumë u aplikua një kuadrat i madh, ku 20 futbollistë qarkullonin topin mes tyre.
Ndërsa portierët Selaci dhe Halili ndiqnin në distancë dhe të pashqetësuar lojën e shokëve të skuadrave. Kamza vërtet nuk kishte motiv në këtë sfidë, por edhe krutanët pas golit të dytë e ulën ritmin. Edhe vetë trajneri i Kamzës Mauro De Vekis e pranoi në fund të ndeshjes se kjo përballje me Kastriotin kishte karakter stërvitor, pasi vëmendja e tyre është nga transferta e Fierit.
De Vekis: Ndeshje stërvitore në funksion të Fierit
Ishte një ndeshje e bukur stërvitore, që do të na shërbejë edhe për sfidat e radhës. U dhamë hapësirë disa lojtarëve të rinj, kështu që sot (dje) isha i fokusuar te loja e tyre, pasi mund të na nevojiten për të ardhmen. Duke parë kalendarin e ngjeshur dhe prioritenin në kampionat, preferuam që sot (dje) të rezervojmë diçka.
Pas kësaj ndeshjeje me Kastriotin jemi përqendruar totalisht te transferta e Fierit. E kam thënë edhe para ndeshjes me Bylisin se nga dy sfidat e radhës kërkojmë minimumi 4 pikë, por padyshim që do të ishim të kënaqur sikur të fitonim me Apo
