Kastrioti nis sot zyrtarisht punën për sezonin e ardhshëm
Ashtu siç është bër me dije më parë nga stafi drejtues i Kastriotit, sot ekipi krutan do të nisë zyrtarisht nga puna për përgatitjet e edicionit të ardhshëm futbollistik. Ditë më parë, stafi i ekipit kishte bërë me dije se do të ishte qyteti i Pogradecit, vendi ku do të zhvilloheshin përgatitjet e para.
Por, skuadra që sot do të stërvitet në ambientet e ish-komleksit Dinamo. Në fundjavë, ekipi dhe stafi teknik do të udhëtojnë drejt qytetit liqenor të Pogradecit, ku edhe do të vazhdojnë fazën përgatitore, e cila konsiderohet mjaft e rëndësishme, për mbarëvajtjen e sezonit të ardhshëm.
Lajmin për ndryshimin e programit të grumbullimit të ekipit, e pohon numri një i pankinës krutane, Artan Mërgjyshi, i cili për Sportin shqiptar, ka pohuar: Kemi menduar që për disa ditë skuadra të zhvillojë disa seanca stërvitore ne kryeyqytet.
Do të punojmë nga kodrat e Liqenit Artificial, që është përzgjedhur si vendi më i përshtatshëm, ku futbollistët, të cilët janë momentalisht në dispozion do ti nënshtrohen një faze përgatitore paraprake, për të vazhduar më pas në bazë të programit që kemi vendosur disa ditë më parë.
Seancat stërvitore do të jenë të karakterit atletik dhe do të kombinohen me ushtrime fizike, ku edhe do të kemi mundësinë për të parë nga afër kondicionin fizik të lojtarëve që do të jenë prezent, – sqaron fillimisht, kreu i pankinës krutane, Artan Mërgjyshi, i cili jep kështu dhe një informacion të përgjithshëm se ku do të bazohet programi stërvitor, që skuadra e tij do të ndjekë këto ditë në kryeqytet.
Grumbullimi i skuadrës, në këto ditë të para të javës së dytë të korrikut, shihet dhe si mundësi që stafi i Kastriotit të vëzhgojë dhe të përzgjedhë edhe lojtarët e rinj që mund të afrohen në ekip në këtë merkato. Afrimi i elementit cilësor, pranë skuadrës vazhdon të mbetet detyra primare për drejtuesit krutan.
Përvec disa futbollistëve që janë nën kontratë, drejtuesit krutanë vazhdojnë të jenë në bisedime të vazhdueshme me disa futbollistë që mendohet se mund të bëjnë pjesë në planet e trajnerit Mërgjyshi, për të pasur nje grup lojtarësh të aftë për të përballuar takimet e superligës.
Përveç Turdiut, Alikajt, apo Abazajt, që tashmë duken më pranë se kurrë te skuadrës krutane, një tjetër goditje në merkato pritet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.
Burime të besueshme pranë skuadrës, bëjnë të ditur se radhëve të krutanëve mund ti shtohet dhe një mbrojtës i njohur, i cili më parë ka qenë pjesë e një prej skuadrave të Superligës. Një fakt të tillë e pohon edhe vetë trajneri Mërgjyshi, i cili shprehet se nuk mund të japë asnjë emër për momentin.
