Mavraj kërkon të ruaj majat, Bundensligën 1 dhe kombëtaren
Sezoni i fundit ka qenë për tu mbajtur mend për Mërgim Mavraj, i cili me Grojther Fyrther u ngjit nga Bundensliga 2 në të parën, si dhe fitoi fanellën kuqezi
Nga ILIR CARA
Sezoni i fundit ka qenë për tu mbajtur mend për mbrojtësin, Mërgim Mavraj, i cili me skuadrën Grojther Fyrther u ngjit nga Bundensliga e dytë në të parën. Gjithashtu ai fitoi edhe fanellën kuqezi, ku në dy miqësoret e majit bëri një paraqitje shumë të mirë, pikërisht ndaj Katarit dhe Iranit. 26 vjeçari shqiptar u shpall si mbrojtësi më i mirë në Bundensligën 2 dhe nga mediat gjermane është cilësuar si një nga prurje cilësore në Bundensligën e parë për sezonin e ri. Një një prononcim për tabloidin gjerman Bild Mavraj flet për skuadrën e tij Fyrther, që sipas tij, do të jetë e denjë edhe në Bundensligën e parë, si dhe këtë sezon të ri ai e shikon edhe si një sfidë personale, pasi i duhet të ballafaqohet me sulmues klasi. Njëkohësisht, kosovari nuk lë pa përmendur edhe konsideratën e trajnerit të kombëtares shqiptare Xhani De Biazi rreth paraqitjes së tij në dy miqësoret e zhvilluara me kuqezinjtë. Grojther Fyrther ndodhet me meritë në Bundensligën e parë, pasi në sezonin e fundit ekipi tregoi potencial, kështu që nuk jemi rastësisht këtu. Kam bindje se skuadra do tia dalë dhe në të parën. Forcën tonë e treguam edhe në sezonin e fundit në ndeshjet kupës ku u ballafaquam me skuadra të elitës. Që në ditën e parë ne do të synojmë mbijetesën, pasi ky është qëllimi sezonal i ekipit. Na duhet ta konfirmojmë veten javë pas jave. Përballja me sulmuesit më të mirë, Gomez, Huntelar dhe të tjerë? Edhe në Bundensligën e dytë sulmuesit nuk janë të dobët. Natyrisht, çdo lojtar ka specifikën e tij dhe duhet të gjejë mënyrën për ta ndaluar. Prandaj këtë gjë unë dhe shokët e repartit mbrojtës do të mundohemi ta tregojmë edhe në Bundensligën 1. Sezonin e kaluar kam arritur të kap disa maja, të cilat më duhet që ti ruaj. Ku përveç rikthimit në Bundensligën 1 arrita të fitojë edhe fanellën e kombëtares shqiptare, ku në maj zhvillova dy miqësore. Padyshim që ndihem i lumtur për këtë arritje dhe aq më shumë kur merr urime dhe fjalë të mira edhe nga trajneri i kombëtares, Xhani De Biazi,- u shpreh ndër të tjera mbrojtësi i kombëtares shqiptare dhe Grojther Fyrther në Gjermani, Mërgim Mavraj.
Lacio fiton 14 -0 në miqësore, Cana luan në pjesën e dytë
Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri dje Lacio ka zhvilluar një miqësore me modestët e Auronco, takim i cili u fitua thellë nga lacialët. Kapiteni i kombëtares shqiptare është aktivizuar në 45 minutat e dyta kur rezultati ishte 7-0. Kapiteni i kuqezi me ardhjen e trajnerit Petkoviç në krye të Lacios shikohet si një alternativë e parë tek të kaltrit. Lorik Cana gëzon një raport të mirë edhe me tifozët, gjë të cilin ai e shfaq edhe para seancave stërvitore ku lëshon autografe me ata, apo ndan edhe ndonjë foto.
Elis Bakaj e nis me fitore sezonin, Sadiku mundet thellë
Dy nga futbollistët e kombëtares shqiptare, Elis Bakaj dhe Armando Sadiku, dje kanë nisur sezonin e ri futbollistik me skuadrat respektive. Çernomorec Odesa ku bën pjesë Bakaj e ka nisur me fitore kampionatin ukrainas, pasi kanë fituar 3-2 me Zakarpatin. Bakaj është aktivizuar për 84 minuta, por pa mundur të shënojë. Në ekip me Bakajn bën pjesë edhe mbrojtësi kuqezi, Kristi Vangjeli, por korçari nuk është aktivizuar dje, pasi është i dëmtuar. Lokarno e Armando Sadikut e ka nisur keq sezonin e ri, pasi në fushën e saj është mundur thellë 5-0, nga Uinterthur. Sulmuesi elbasanas mbetet në merkato dhe me shumë mundësi ai do të largohet nga Lokarno, pasi ndaj Sadikut ka interes, ku flitet edhe për një bashkim me Jahmir Hykën tek Lucerna.
