E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrioti "shkrin si bora" para Tiranës



Dash Frashëri

Me një super-Pejiç dhe dyshen Plaku-Lila, Tirana sfidoi të ftohtin dhe borën e rrallë kryeqytetase për të triumfuar 4-0 ndaj Kastriotit – të mbërritur me vonesë - në ndeshjen hapëse të javës së 15-të. Një fitore shumë kuptimplote e rekordmenëve, duke entuziazmuar trajnerin Nevil Dede në tribunë dhe jo në bankinë, por dhe tifozët e pakët, por tepër entuziastë në “Selman Stërmasi”. Sulmuesi kroat Pero Pejiç është shndërruar në këtë sezon në liderin e Tiranës, dhe tani ish-lojtari i Dinamos është dhe udhëheqësi i golashënuesve, 11 gola, një më shumë se Daniel Xhafaj i Flamurtarit. 28-vjeçari shënoi një gol të shpejtë në minutën e 9-të me një aksion personal, ndërkohë që në të 37’, me një galopim të jashtëzakonshëm nën reshjet e borës, Pejiç pas një asisti të Plakut dyfishoi shifrat për Tiranën, duke realizuar edhe dopjetën e tij të katërt sezonale, pas atyre kundër Bylisit (Tirana fitoi 2-1), Teutës (2-0) dhe Elbasanit (3-1). Tre golat e tjerë ai i ka shënuar kundër Laçit, Flamurtarit dhe Shkumbinit. Me një dominim thuajse gjatë gjithë 90 minutave të zhvilluar në një terren të rënduar e të luajtura me një top të kuq, Tirana ishte skuadra e vetme që u pa në fushë pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme të miqve nga Kruja. Për ta kompletuar “pokerin” bardheblu – fitorja më e thellë e Tiranës në këtë sezon – menduan sulmuesi Sebino Plaku (82’) dhe mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila (90’), me këtë të fundit që shfrytëzoi një pakujdesi të portierit të Kastriotit, Halili. Si Plaku ashtu dhe Lila u ngjitën në kuotën e tre golave sezonalë. Tirana, pas fitores së 7-të sezonale u ngjit në kuotën e 25 pikëve dhe në vendin e tretë, duke lënë pas me një pikë më pak Vllazninë (të dielën luan kundër Skënderbeut në “Loro Boriçi”) dhe Dinamon që do të udhëtojë në “ferrin” e Peqinit në sfidën kundër Shkumbinit.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 15

17.12.2010
Tirana-Kastrioti 4-0
Shënues: Pejic 9’, 38’, Plaku 82’, Lila 90’

18.12.2010
Teuta-Besa
Bylis-Flamurtari

19.12.2010
Vllaznia-Skënderbeu
Elbasani-Laçi

20.12.2010
Shkumbini-Dinamo

V Skuadra N D+- P
1 Flamurtari 14 +13 31
2 Skënderbeu 14 +9 28
3 Tirana* 15 +9 25
4 Dinamo 14 +5 24
5 Vllaznia 14 +1 24
6 Teuta 14 +4 21
7 Kastrioti* 15 -6 17
8 Laçi 14 -2 17
9 Shkumbini 14 -3 17
10 Bylis 14 -10 12
11 Elbasani 14 -9 9
12 Besa 14 -11 9
* Një ndeshje më shumë

GOLASHËNUESIT

11 gola: Pejiç (Tirana)
10 gola: D. Xhafaj (Flamurtari)
8 gola: Balaj (Dinamo); Bërkiç –1p (Skënderbeu)
7 gola: Çota (Teuta); Vila – 1p (Dinamo)
6 gola: Sinani (Vllaznia); Kuli –1p (Shkumbini)
5 gola: Martinena (Dinamo); Dimo (Bylis); Babiç (Kastrioti); Dalipi -1p (Elbasani)
4 gola: Selimi –2p, Mile (Laçi); Soza, Joliç (Skënderbeu); Cikalleshi –1p, Mihani –1p (Besa); Sadiku (Elbasani), F.Xhafa (Bylis)
3 gola: Grizha, Gërboviç (Shkumbini); Ahmataj (Flamurtari); A.Lila –1p, Plaku (Tirana)
2 gola: Shkëmbi –1p (Skënderbeu), Biskup (Skënderbeu); Veliaj, Nora (Shkumbini); Progni, Sakaj –2p, Bajevski (Flamurtari); A.Lila –1p, Plaku (Tirana); Jovanoviç 1p, Vajushi (Vllanzia); Guy, Popoviç (Bylis); Alikaj, Alvizh (Kastrioti); Frashëri (Teuta)
1 gol: Ristevski, Gava, Lloga, Radoviç (Elbasani); Malindi, Muka, Osmani, Zizoviç, Tusha, Morina, S.Lilaj (Tirana); Rajoviç, Shtubina, Nallbani, Gocaj (Vllaznia); Gega, Egbo –1p, Bega (Bylis); Dervishi, Shenaj (Shkumbini), Djarmati, Jushi, Tepshi, Muçollari, Shameti, Turdiu –1p, Leci (Kastrioti); Roshi, Shehaj, Lena, Liçaj, Devolli (Flamurtari); Vishaj (Skënderbeu); Çavriç, Hysa, Vuçaj, Kaja, Shazivari, Marashi (Laçi); A.Hoxha, Sheta (Teuta), Malarkane, Allmuça, Sefa, Muzaka (Dinamo)
Autogola: Ramazani (Elbasani, në favor të Bylisit); Ristovski (Skënderbeu, në favor të Elbasanit); Sakaj (Flamurtari, në favor të Elbasanit); Jakupi (Besa, në favor të Skënderbeut), Lako (Skënderbeu, në favor të Teutës).

Teuta – Besa, sfida e “motrave”
Dy klubet janë fqinjë, por dhe dy presidentët, Edmond Hasanbelliu dhe Nexhat Bizhdili janë miq të vjetër

Teuta e Durrësit - në një formë të shkëlqyer - dhe Besa e Kavajës – në një nga sezonet më të errëta të sa dhe në vend të fundit do të përballen të shtunën në “Niko Dovana”, në një ndeshje shumë të rëndësishme për fatet e mëtejshme të skuadrës kavajase. Dy klubet janë fqinjë, por dhe dy presidentët, Edmond Hasanbelliu dhe Nexhat Bizhdili janë miq të vjetër. Në fazën e parë, në Kavajë, sfida u mbyll në barazim pa gola. Teuta vjen pas fitores befasuese – e të merituar - ndaj Dinamos në kryeqytet (2-1), ndërkohë që Besa humbi 1-0 me Flamurtarin në Vlorë në një ndeshje shumë të kundërshtuar nga presidenti kavajas, Nexhat Bizhdili. Trajneri i Teutës, Edi Martini, në një prononcim të tij për mediat tha se ndeshja me Besën është shumë e vështirë pasi kavajasit ndodhen në një pozicion delikat. Gjithsesi, kapiteni i Besës, Meglid Mihani, premton se skuadra e tij do të marrë 6 pikë nga dy ndeshjet e mbetura: me Teutën në Durrës dhe Shkumbinin në Kavajë.
Në dy ndeshjet e zhvilluara gjatë sezonit të kaluar në Durrës, Teuta fitoi 3-2 dhe barazoi 1-1, ndërkohë që fitorja e fundit e kavajasve në “Niko Dovana” daton, më 20 dhjetor 2008 (1-0) dhe i përket sezonit 2008-2009. Aktualisht, dy skuadrat kanë një diferencë të qartë pikësh, me Teutën në kuotën e 21 pikëve dhe në vendin e gjashtë, ndërkohë që Besa ka grumbulluar nga 14 javët e para vetëm 9 pikë, e që për më tepër nuk ka mundur të fitojë asnjë ndeshje në transfertë. Interesant është një fakt, sulmuesi i ri i Teutës, Mirel Çota (22 vjeç) ka shënuar i vetëm 7 gola (nga 17 të durrsakëve), kur i gjithë ekipi i Besës ka realizuar 8 gola, sulmi më i dobët në kampionat.
Teuta bazohet tërësisht në një skuadër me moshë të re mesatare, ku vetëm mbrojtësi Arjan Sheta dhe mesfushori Edmond Doçi janë 29 vjeç. Mesfushori Erjon Hoti është 27 vjeç. Pjesa tjetër, ku mund të veçosh sulmin përbehet nga lojtarë të rinj pa shumë përvojë, por me pasion të madh për të luajtur: Mirel Çota është 22 vjeç, 7 gola; Brunild Pepa (20 vjeç, 5 gola), Orjon Xhemalaj (21 vjeç, 0 gola) dhe Astrit Rakipi (20 vjeç, 0 gola).

Sot, edhe Bylis-Flamurtari
Flamurtari kryesues do të përballet në “Adush Muça” të Ballshit, pikërisht me Bylisin, skuadrën që e eliminoi nga Kupa e Shqipërisë. Në fazën e parë, Flamurtari fitoi 1-0 në Vlorë.

Topalli, “kryetifozja” e Vllaznia-Skënderbeu

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli do të ndjekë në aksion te dielën ndeshjen më të fortë të kësaj jave Vllaznia-Skënderbeu, takim që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”. Tifozët shkodran i kanë kërkuar zonjës Topalli të jetë e pranishme e të bëjë tifo për Vllazninë dhe kjo kërkesë është pranuar. Kryeparlamentarja ka pranuar të jetë në “Loro Boriçi” dhe do ta ndjekë ndeshjen në krah të ministrit te Financave Ridvan Bode që do të bëjë tifo për Skënderbeun.

Ramazan Ndreu jep dorëheqjen nga Kastrioti

Krutanët bëhen ekipi i gjashtë i Superligës që hyn në valsin e shkarkimit apo vetëlargimit të trajnerëve

Pas humbjes së turpshme 4-0 me Tiranën në “Selman Stërmasi”, Ramazan Ndreu dha dorëheqjen si trajner i Kastriotit, duke mbetur vetëm në detyrën e sekretarit të klubit krutan. “Do të largohem. Nuk mund të vazhdoj më kështu”, - ishte fraza e thatë e ish-trajnerit që e drejtoi për 15 javë Kastriotin.
Ndreu - i cili edhe sezonin e kaluar e dha disa herë dorëheqjen, e më pas e ktheu po aq herë - grumbulloi në 15 javët e tij 17 pikë, duke koleksionuar 4 fitore, 5 barazime dhe 6 humbje. Kastrioti bëhet kështu ekipi i gjashtë i Superligës që hyn në valsin e shkarkimit apo vetëlargimit të trajnerëve, pas atyre të Shkumbinit (ku deri tani kanë drejtuar 3 trajnerë: Mirel Josa, Agim Canaj dhe aktualisht Përparim Daiu); Besës (3; Shpëtim Duro, Përparim Daiu dhe Gerti Haxhiu); Bylisit (2: Ilir Spahiu dhe Nikola Ilievski); Tiranës (2, Sulejman Starova dhe Nevil Dede); Vllaznisë (Mojash Radonjiçit dhe Mirel Josës). Në largim e sipër – pritet vetëm zyrtarizimi – është dhe trajneri argjentinas i Dinamos, Luis Manuel Blanko, i cili do të drejtojë blutë në dy ndeshjet e fundit, ato kundër Shkumbinit dhe Vllaznisë, për të mos u kthyer më në Shqipëri.

VALSI I BANKINAVE
Në sezonin aktual, valsi i famshëm i lëvizjes së bankinave nisi me shkarkimin e Mirel Josës nga Shkumbini në javën e 2-të (u zëvendësua nga Agim Canajt), për t’u pasuar me Ilir Spahiun e Bylisit (u zëvendësua nga Nikola Ilievski). Shpëtim Duro u largua nga Besa në javën e 4-t (i pasuar nga Përparim Daiu), ndërsa Sulejman Starova u shkarkua në javën e 6-të (i zëvendësuar nga Nevil Dede). Shkarkimit nuk i shpëtoi dhe një trajneri i huaj, malaziasi Mojash Radonjiç i Vllaznisë u zëvendësua nga Mirel Josa, ky i fundit e nisi sezonin te Shkumbini. Seriali i shkarkimit të trajnerëve vazhdoi me Përparim Daiun, i cili la vendin Gerti Haxhiut, njeriut që drejton Besën nga java e 11-të. Përparim Daiu zëvendësoi në javën e 14-të te Shkumbini ish-trajnerin Agim Canaj, që dha dorëheqjen pas 11 javëve në drejtimin e skuadrës peqinase, vetëlargim i motivuar nga ikja e ish-presidentit Ylli Ndroqi.
Gjithsesi, dorëheqje publike ka dhënë dhe Stavri Nica i Laçit, por që nuk u pranua nga presidenti Pashk Laskaj. Në fakt, për të drejtuar një ndeshje futbolli në bankinë janë ulur dhe Agim Meto i Bylisit (java e 4-t), kur zyrtarisht trajner i emëruar ishte maqedonasi Nikola Ilievski, por dhe Artan Mërgjyshi i Dinamos, i cili ka zëvendësuar për dy javë (9 dhe 10) në stolin blu argjentinasin e pezulluar, Luis Manuel Blanko.
Në bankinë së fundi u ul dhe ndihmëstrajneri i Tiranës, Alpin Gallo (java 15), ky u fundit zëvendësoi trajnerin Nevil Dede (të pezulluar për dy javë).

SUPERLIGA 2010-2011
LËVIZJET E TRAJNERËVE

Shkumbini: Mirel Josa (nga java 1-2), Agim Canaj (nga java 3-14). Përparim Daiu (nga java 15)

Bylisi: Ilir Spahiu (nga java 1-3), Agim Meto (java e 4-t), Nikola Ilievski (nga java 5-të).

Besa: Shpëtim Duro (nga java 1-4), Përparim Daiu (nga java 5-10), Gert Haxhiu (nga java e 11-të)

Tirana: Sulejman Starova (nga java 1-6), Nevil Dede (nga java e 7-të).

Vllaznia: Mojash Radonjiç (nga java 1-8), Mirel Josa (nga java e 9-të).

Kastrioti: Ramazan Ndreu (nga java 1-15)

BANKINAT AKTUALE

Dinamo Luis Manuel Blanko (argjentinas)
Flamurtari Gugash Magani
Skënderbeu Shkëlqim Muça
Tirana Nevil Dede
Shkumbini Përparim Daiu
Vllaznia Mirel Josa
Teuta Edi Martini
Laçi Stavri Nica
Besa Gert Haxhiu
Kastrioti ..........
Bylis Nikola Ilievski (maqedonas)
Elbasani Krenar Alimehmeti

18 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›