Një Tartë optimiste e festive!

Koloreto Cukali
Nga Koloreto Cukali
Akuza më e madhe që më bëhet nga njerëz të njohur e të panjohur, është se unë vetëm kritikoj çdo gjë. Sado më vjen inat, e di se kanë të drejtë. E meqë jemi në një atmosferë festash, pas një viti ku vetëm kam kritikuar, le të shkruajmë diçka optimiste. E thënë ndryshe, le të lavdërojmë atë çfarë meriton të lavdërohet. 2011-a pavarësisht treguesve ekonomikë, nivelit të lirisë, 21 janarit a minatorëve, ka pasur momente mbi të cilat mund të flitet me superlativa, ose më e pakta me dashamirësi.
Për ta bërë këtë, njësoj si personazhi Raxhesh Kutrapali tek Big Bang Theory, i cili vuan nga memecëria selektive dhe të cilit i duhet të pijë alkool që të mund tu flasë femrave, edhe mua më duhet të dëgjoj Perfect Day nga Lou Reed për të krijuar një atmosferë optimiste.
Një rrugë
Për të qenë i sinqertë, e dëgjova nja 20 herë Perfect Day se më duhej dozë e fortë. Dhe ja ku jemi, optimistë. Problems are left alone. Diku kam shkruar që gjëja e vetme që la pas Edi Rama është pedonalja mes Bashkisë dhe Kinema Milleniumit (pavarësisht acarimit të fansave të Ramës që shohin shumë drita në fund të një tuneli të vetëm). Sepse, nuk dua ta konsideroj gjurmë, pallatin me shigjeta.
Është gjëja më e bukur në Tiranë e ndoshta në të gjithë Shqipërinë. E kam fjalën për gjërat e ndërtuara nga dora e njeriut, jo për gjiret e bregdetit të ndërtuar nga dora e zotit. Ajo rrugë është i vetmi vend ku ndjehem njeri. Me aq sa kam vërejtur, është e vetmja copë rrugë në Tiranë që askush nuk e kalon me ngut e me vrap.
Nuk është e pushtuar nga kafenetë – dhe shpresoj të mos bëhet e tillë – ka vetëm stola, ca pak karrike dhe njerëz që shetisin. Një gjë që e kemi harruar në Tiranë. Ne, mund të shetisim!!
Nëse në pjesën tjetër të qytetit dritat përdoren për të ndriçuar parkingjet e për të qorruar shoferët, këtu dritat vijnë ëmbël nga poshtë këmbëve. Nëse kudo tjetër pemë të vogla në saksi përdoren për të ndarë kafenenë nga rruga me pluhur, në pedonale pemët janë sipër nesh!!
Sigurisht, pedonalja nuk është e vetmja gjë që la pas Edi Rama. Nuk ka vend për kritikë një Tartë optimiste. Por, nuk gjej dot gjë tjetër që të më ketë bërë të ndjehem njeri në këtë qytet veç pedonales… Ah, po. Janë kumbullat e kuqe të Rrugës së Kavajës. Dy javë në vit! Nëse ia del të mos shohësh anash por vetëm mesoren me gjethet e kuqe, të vjen të thuash sa bukur.
Redon Makashi është gjallë
Fitorja e Redon Makashit tek Kënga Magjike është i vetmi çmim i drejtë i dhënë në një festival në shumë vjet. Ka diçka që ia vlen të respektohet në muzikën e Makashit. Ka një stil të vetin, të dallueshëm qartë. Sepse, e bën muzikën vetë. Nuk ka në këngët e veta një këngë dasme, një baladë një tekno e një dance. Gjëja që më mungon te muzika e sotme shqip, është që zhvillohet si një kopje rrymash të huaja. Te Makashi gjen ende melodinë, frymën dhe gjurmën e asaj muzike prej nga vijmë.
Teatri i Metropolit
Më pëlqen të shoh shfaqje në Teatrin e Metropolit. Ngrohtësia e sallave, kontakti me aktorin aq i drejtpërdrejtë sa mund ta prekësh, më ka dhënë mundësinë të ndjehem në një marrëdhënie krejt tjetër nga çjemi mësuar. E di që jashtë kjo është gjë e vjetër. Por në Tiranë, jemi mësuar që mes spektatorit dhe aktorëve ka dërrasa, pode, humnera, distanca. Sallat e Teatrit të Metropolit u japin mundësi dhe atyre performancave që mund të mos mbushin dot salla me 500 vetë, por mund të krijojnë mjedise intime me 30 a 60 vetë.
Barcelona
Unë nuk jam tifoz i Barcelonës. Njeriu nuk bëhet dot tifoz as 20 e as 40 vjeç. Tifozët e vërtetë bëhen që të vegjël dhe ajo që i lidh me një skuadër është shumë emocionale, diçka që kapërcen përtej futbollit. Kjo nuk më pengon të shoh çdo ndeshje të Barcelonës që mundem.
Panairi i Rudian Zekthit
Kam blerë një libër me poezi të Rudian Zekthit. Libri është i trashë sa Bibla, dhe me numër vjershash, thuajse si ajo. Është një libër që ti mund ta hapësh një mbrëmje ku të mundesh të lexosh disa faqe e ta harrosh për disa vjet. Pastaj e hap prapë.
Zekthi, ka shekuj që nuk shkruan. Dikur, në fillimvitet 90, poezia e tij ishte agresive, jashtë skemave, gati-gati, një anti-poezi! Pas kaq vitesh, jam kurioz si një fëmijë për këtë libër.
Nuk e kam lexuar akoma, vetëm i kam hedhur një sy faqeve nëpër të. Por, është gjë e bukur ta di që e kam aty, e ndonjëherë, të filloj të luftoj me çmendurinë e një poeti jashtë rrymash.
Çaji me çajnik, edhe pse ne nuk kemi çajtore
Çaji me çajnik, gradualisht po fiton qytetari në Tiranë. Në ndryshim nga modeli i vjetër, kur kursehej uji i nxehtë, tani të sjellin falas një çajnik të madh!
Vudi Alen, shqip
Sado ankohem, shpesh, kam gjetur e shkruar për gjëra befasuese në Tiranë. Pjesa e vetme që më ka shijuar fillim e mbarim, në çdo detaj e element, ka qenë Riverside Drive me tekst të Woody Allen e regji të Milto Kutalit. Pjesa, kaloi pa u vënë re, meqë e pati premierën në kohë para-zgjedhore.
Riverside Drive, është e shkruar mrekullisht nga Woody Allen dhe e luajtur në mënyrë të jashtëzakonshme nga Gaz Gjoka, së bashku me Arben Derhemin. Milto Kutali e ka bazuar mbi një skenografi minimaliste por shumë funksionale dhe për 80 minuta, siç kam shkruar kur e pashë së pari, nëse doni të ndjeheni në Nju Jork e jo në Tiranë, nëse doni të ëndërroni me yje e jo me kulla të shtrembëta mbi kokë, ky është vendi ku mundeni.
Smoking causes impotence… tek ata që të rrethojnë!
Ka dy vende në Tiranë ku VËRTET nuk lejohet duhani brenda. Radio dhe Iliria, dy bare (që rastësisht kanë një kombinim kuptimplotë emrash) ku pjesa e margjinalizuar e jo-duhanpirësve mund të ndjehet e qetë. Dy, vetëm dy. Por, në Tiranë janë shumë. Dhe mbi të gjitha, janë një lumturi e pashpresuar.
Krishtlindja
Ata që janë jashtë, kthehen. Pabet e klabet janë plot me ata që na kanë munguar, që do të rrinë ca ditë, e do të ikin prapë. Por, Tirana me ata, është ndryshe. Ka diçka magjike për Krishtlindjen, që i jep Tiranës jetë e xixa.
Pranvera
Pranvera arabe, Occupy Wall Street, rebelimi në Londër, madje edhe 21 janari ynë, pavarësisht viktimave, më kanë mbushur shpirtin plot. Ajo që e kujtoja të vdekur, nuk qenka pra e mbaruar. Revolucioni – dhe nuk e kam fjalën për armë, por për revolucion idesh, mospranim të shtypjes dhe rebelim ndaj së ligës – ekziston. Pushteti i elitave po shkundet. Kabalët, nuk janë më të qetë. Nuk mund të ketë gjë më të bukur. Është ajër. Jo më kot The Protester u ngrit në pranverë. Se pas dimrit vjen një verë… shkruante aventurieri i vjetër rebel.
Kategoria e optimistëve
Kaq, mbajti optimizmi im dhe syri pozitiv jo-kritik. Do habitesha nëse keni mbërritur deri këtu. Shumica më doli duarsh si reklamë. Shumë gjëra të bukura që përjetojmë janë përvoja personale, e jo sociale.
Optimistët, në këtë vend janë përgjithësisht njerëz që gjërat u shkojnë mirë, dhe që preferojnë të mos ua përmendësh problemet e thella sociale, paçavuret politike, turpet kulturore, sepse nuk duan ta dinë. Duan të shijojnë atë pjatën e tyre plot, në tavolinën e tyre të vogël, në shtëpizën e tyre me kredi, para LCD-së së madhe.
Dashamirët tanë jashtë shtetit do të preferonin të merrni vesh lajme të mira nga këtu brenda, të lexonin për diçka të bukur që ne bëjmë këtu, të ndjejnë që ky vend ka ende diçka me të cilën ia vlen