E Diel, 1 Nëntor 2026

Kataklizma që nuk ndodhi

Se si do të përballen ithtarët e Harold Campingut me parashikimin e dështuar për fundin e botës më 21 maj, kjo do të varët nga struktura e grupit, thotë Steve Hassan, psikolog dhe ekspert për kultet e ndryshme. “Sa më shumë njerëz të kenë lidhje jashtë grupit, aq më të mëdha janë gjasat se ata nuk do ta konsiderojnë më Campingun si goja e Zotit në tokë”, shtoi ai. Nga Express më 26 maj 2011 në ora 08:52

Nëse jeni duke e lexuar këtë artikull, atëherë parashikimi i Harold Campingut, se fundi i botës do të fillojë të shtunën, më 21 maj, nuk është përmbushur.

Është ky një lajm i mirë për të gjithë ne, por Camping dhe ithtarët e tij mezi e pritën fundin. Pas të gjithave, ata besonin se ata me gjasë do të jenë në mesin e 200 milionë shpirtrave, të cilët do të jetojnë përgjithmonë në parajsë. Por si përballen besimtarët me dështimin e parashikimeve të tyre për ditën e fundit të botës?

Varët, thotë Lorenzo Di Tommaso, profesor i religjionit në Universitetin Concordia në Montreal, i cili studion historinë e parashikimeve për fundin e botës.

“Nëse ekziston një udhëheqës i fuqishëm, grupi mbijeton. Nganjëherë, grupet shpërbëhen. Në të shumtën e rasteve, përgjigjet që japin këto grupe janë se parashikimet e tyre ishin të vërteta, por se interpretimi ka qenë i gabuar”, thotë Tommaso.

Në vitin 1994, Camping parashikoi se fundi i botës do të ndodhë në shtator, por shtoi se megjithatë nuk është gjithaq i sigurt. Më vonë, Camping shkroi se ai kishte keqkuptuar një fragment të Biblës dhe se dëshmitë në Bibël flasin për fundin në vitin 2011.

Studimet klasike për parashikimet për fundin e botës datojnë që nga viti 1954. Një femër nga Chicago, e quajtur Dorothy Martin, kishte parashikuar vërshime apokaliptike, nga të cilat vetëm një numër i besimtarëve të vërtetë do të shpëtoheshin nga jashtëtokësorët.

Martin dhe kulti i saj, The Seekers, u tubuan një natë para vërshimit të pritur, për të pritur objekte jashtëtokësore fluturuese. Por anëtarët nuk kishin njohuri se në grup ishte infiltruar psikologu Leon Festinger, i cili dëshironte të kuptonte se çfarë do të ndodhë, kur të dështojë ky parashikim.

Studimi i Festingerit, i cili shërbeu si bazë për librin “Kur profecitë dështojnë”, zbuloi se në momentin kur kaloi koha e parë për arritjen e jashtëtokësorëve, anëtarët e grupit kishin mbetur gojëhapur. Por disa orë para agimit, Martin befas pranoi një profeci të re, në të cilën thuhej se The Seekers ishin besimtarë aq të devotshëm, sa që Zoti kishte vendosur të kursejë njerëzimin nga apokalipsi.

Në fund, pjesëtarët e grupit ishin aq të gëzuar, sa që ftuan pjesëtarët e shtypit, për t’u lavdëruar për atë që kishin bërë. Në fund, grupi u shpërbë. Martin më vonë ndërroi emrin në “Motra Thedra” dhe vazhdoi me profecitë e saj.

Profetët tjerë të dështuar të fundit të botës, e kanë pasur vështirë që të ruajnë kohezionin e ithtarëve të tyre. Profetja e vetëshpallur, Mariana Andrada, në vitin 1880 i tha një grupi të ithtarëve të saj se fundi i botës do të ndodhë në vitin 1886. Por ajo nuk ishte bindëse me parashikimet e saj dhe ithtarët filluan të largohen. Në përpjekje që të ndalojë largimin e një familje, Andrada ju tha se një anëtar i familjes do të vdes gjatë udhëtimit. Djali më i vogël i familjes u sëmur dhe vdiq. Familja e akuzoi Andradan se ajo e kishte helmuar djalin që vdiq. Ajo u arrestua dhe u shpall e pafajshme, por kur nuk ligjerojë më para ithtarëve të saj.

Se si do të përballen ithtarët e Campingut me parashikimin e dështuar për fundin e botës, kjo do të varët nga struktura e grupit, thotë Steve Hassan, psikolog dhe ekspert për kultet e ndryshme.

“Sa më shumë njerëz të kenë lidhje jashtë grupit, aq më të mëdha janë gjasat se ata nuk do ta konsiderojnë më Campingun si goja e Zotit në tokë”, shtoi ai.

Në bazë të përvojës së tij, tha Hassan, rreth një e treta e besimtarëve deziluzionohen pas një parashikimi të dështuar, ndërsa një e treta gjejnë arsye edhe më të fuqishme për të besuar. Pjesa e mbetur e pjesëtarëve të grupit mbesin diku në mes.

Grupet që parashikojnë fundin e botës, gjatë historisë kanë gjetur arsye të ndryshme, pas dështimit të parashikimeve të tyre, thotë Stephen Kent, sociolog në Universitetin e Albertas, i cili studion religjionet e reja dhe alternative.

Ekspertët dhe sociologët pajtohen se Camping vërtetë është i bindur se fundi i botës do të ndodhë dhe se nuk është i interesuar që të frikësojë njerëzit. Një mashtrues, thotë Hassan, kurrë nuk do të dilte publikisht, duke dhënë një datë të saktë se kur do të ndodhë fundi i botës.

Besimi në fundin e botës ju jep besimtarëve një ndjenjë të qartë për botën dhe vendin e tyre në të, thotë Kent. Ky besim është vështirë të ruhet, pas dështimit të parashikimit për fundin e botës.

“Kjo vërtetë mund të jetë një ditë pikëlluese për këta njerëz. Disa njerëz mund të jenë tejet konfuz për atë që nuk ndodhi”, nënvizon Kent.

(LiveScience)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›