E Diel, 1 Nëntor 2026

Katalanasit, pa Mesin dhe Ibrahimoviç, fitojnë 2-0

Interi dorëzohet nga "Kamp Nou" përballë një Barcelone të parezistueshme. Katalanasit fitojnë bindshëm 2-0. Sfida e madhe e Champions kishte humbur tre yjet, të gjithë të dëmtuar dhe asnjëri i rikuperuar. Në fushë nuk ishin as Ibra, as Mesi. Ndërkohë që në krahun tjetër mungonte Shnajder, i cili po e ndiqte ndeshjen nga tribuna. Interi ishte vendosur me një mesfushë në formë rombi, me Stankoviç pas dy sulmuesve dhe Zaneti-Kambiaso-Thiago Mota pas tij. Ndërsa Barcelona kishte zbritur një formacion me tre sulmues, me Henri në qendër, Injesta në të majtë dhe Pedro në të djathtë. Në mesfushë Keitas i bashkoheshin Buskets e Ksavi, ndërsa në mbrojtje ishte rikuperuar Abidal. Katalanasit e mbyllën në avantazh 2-0 pjesën e parë ndaj Interit. Në këtë fraksion loje u vu re një dominim total. Deri këtu kemi parë një fraksion loje të dominuar totalisht prej skuadrës spanjolle, e cila ka shënuar dy fola në aksion. I pari mban firmën e Piksë në minutën e 10, pas një aksioni që vinte nga fundorja, ndërsa i dyti u realizua nga i riu Pedro, i cili pasi mori një kros nga krahu tjetër i sulmit, shënjestroi fort portën e Julio Çezar, i cili edhe pse e preku, nuk mund të devijonte topin që përfundoi në rrjetë. Barcelona ishte shumë e rrezikshme krijoi disa raste të tjera për shënim. Ksavi lëshoi një gjuajtje shumë të rrezikshme në ekzekutimin e një goditjeje dënimi, që përfundoi pak mbi portë. Interi ishte disi i kontraktuar dhe shumë nervoz. Thiago Mota mori një goditje dënimi. Duhen 45 minuta që të shikojmë gjuajtjen e parë të Interit me Militon, por që kontrollohet nga Valdes. Edhe pjesa e dytë nis aty ku u mbyll e para, me Barcelonën që administron topin, aq sa Interi e ka të vështirë ta prekë, ndërkohë rastet e rrezikshme për skuadrën e Guardiolës nuk mungojnë. Zikaltrit janë në vështirësi dhe vuajnë shumë presionin e kundërshtarit. Barcelona është e papërmbajtshme, qarkullon topin me lehtësi, më shumë pasime të sakta dhe shfaqet disa herë para portës së Interit. Ata që provojnë janë Henri e Dani Alvesh. Murinjo kërkon të freskojë sulmin dhe hedh në fushë Balotelin, por e ka të vështirë të ndryshojë fatin e ndeshjes. Ndërkohë që katalanasit kontrollojnë thuajse gjithçka, por pas minutës së 75-të ulin disi ritmin. Pedro i lë vendin Bojan Kërkiç. Interi duket sikur mendon më shumë për mbrojtjen e kësaj humbjeje 0-2, pasi me këtë Barcelonë përpara mundet edhe të rrezikojë të turpërohet. Në këtë grup ndeshja Rubin Kazan dhe Dinamo e Kievit ishte mbyllur në barazim 0-0. Liverpuli fiton 1-0 ndaj Debreçenit, por fitorja 1-0 e Fiorentinës në Firence ndaj Lionit e komplikon shumë kualifikimin për anglezët në grupin E. Rezultati surprizë ka qenë Unirea-Sevilja 1-0, por spanjollët ishin të pamotivuar, pasi janë kualifikuar që më parë. Por në grupin G, Shtutgarti fiton 2-0 në Skoci ndaj Rejxhërsave. Arsenali edhe pse e kishte të sigurt kualifikimin, ka mundur 2-0 Standart Liezhin, ndërsa mbetet ende e hapur lufta për vendin e dytë H, pasi Alkmar dhe Olimpiakos ndalen në një barazim 0-0.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›