E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi, Kroacia një nga vendet me korrupsion të lartë



Sipas një sondazhi të kryer nga “Institui Gallup Europe”, kroatët e konsiderojnë politikën dhe shërbimet publike si dy fushat ku korrupsioni është më i përhapur. Sondazhi u krye me 1 000 të anketuar në mbarë Kroacinë. Rezultatet e sondazhit të paraqitur nga drejtori i “Institutit Gallup Europe”, Robert Mançin, shërbyen si bazë për përcaktimin e masave individuale të planit kombëtar të veprimit për luftën kundër korrupsionit.
Kur u pyeten sesi e përcaktonin korrupsionin, shumica e të anketuarve thanë se korrupsioni kishte të bënte me faktin se zyrtarët e shtetit dhe politikanët toleronin krimin e organizuar në shkëmbim të të hollave apo kur vendet e punës jepeshin në shkëmbim të ryshfetit. Gjykatësit e korruptuar, politikanët dhe zyrtarët e shtetit konsiderohen si kërcënimi më i rëndë social që lidhet me korrupsionin dhe nëpunësit e shërbimeve publike dhe zyrtarë të shtetit shihen se përfitojnë më shumë nga korrupsioni sesa nga punësimet. Si më të korruptuarit e shërbimeve publike janë konsideruar mjekët, të ndjekur nga policia rrugore, zyrtarë të gjykatës, infermierët, punonjësit e doganës dhe personeli i administratës në ministritë e ndryshme të qeverisë.

SHBA-të përshëndetën ligjin për gjuhën shqipe në Maqedoni

Ambasada e SHBA-ve në Shkup ka përshëndetur miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. “E përshëndesim miratimin e ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve në Republikën e Maqedonisë më 25 qershor. Këtë e konsiderojmë si hap pozitiv në frymën e Marrëveshjes Kornizë të vitit 2001”,- thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane. Gjithashtu më tej nënvizohet se SHBA-të konsiderojnë se ligji do të avancojë principet e një shoqërie shumetnike që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve në Republikën e Maqedonisë. Ligji i ri për përdorimin e gjuhëve që mundëson përdorim të gjerë në pushtetin qendror dhe lokal të gjuhës shqipe u miratua nga maxhoranca aktuale me shumicë votash. Partia Demokratike Shqiptare e Maqedonisë ishte kundër miratimit të këtij ligji, duke e quajtur atë si diskriminues për shqiptarët.

Emigracioni, shuplakë Greqisë për keqtrajtim

Agjencitë e ndihmave kanë kritikuar Greqinë për krijimin e një krize humanitare për qindra mijëra emigrantë të paligjshëm që hyjnë në këtë vend. Organizata “Medecins Sans Frontieres”, ka bërë të ditur se kushtet e emigrantëve në Greqi janë të mjerueshme dhe se autoritetet shtetërore nuk kujdesen aspak për ta. Greqia kritikohet për mossigurimin e qendrave të strehimit të emigrantëve, mungesën e kushteve për ta, si dhe mosrespektimin e të drejtave të tyre. Greqia ka vetëm gjashtë qendra strehimi për emigrantët e paligjshëm që hyjnë në këtë vend dhe nuk ka as burime e duhura për të përballuar fluksin e tyre. Athina vetëmbrohet duke deklaruar se emigracioni i paligjshëm është një problem paneuropian dhe akuzon partnerët e saj në BE për mungesë ndihme.

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›